Lajme
Degradimi i komunikimit | Një presidente si Osmani që i thotë Sekretarit të NATO-së se mosndëshkimi i Serbisë është inkurajim për sulme të reja dhe një kryeministër që e quan naiv Sekretarin e ShBA-së
Demokracia
09:12 | 21 Nëntor 2023

Share:

“Nëse Serbia nuk përballet me asnjë masë për këto sulme të vazhdueshme do të jetë një inkurajim që të sulmojë Kosovën dhe ta destabilizojë rajonin sërish”.

Kjo nuk është një deklaratë e thënë nga ndonjë analist i tipit të Sadri Ramabajës apo Krenar Shalës. Por, është një deklaratë e dhënë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Demokracia.com.

– E kujt ia thotë këtë presidentja Osmani?
– Hiç më pak se Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kjo është vetëm një deklaratë e të parës së shtetit të Kosovës, të cilën ia tha shefit politik të NATO-s në konferencën e përbashkët më 20 nëntor 2023, ku ajo kujtoi sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në mesin e shumë deklaratave të pamatura të drejtuesve shtetërorë.

Kjo deklaratë, është një akuzë për bashkësinë ndërkombëtare demokratike, të cilat kanë ndërtuar edhe NATO-n, në duar të të cilave është mundësia për ta ndëshkuar ose jo Serbinë për rolin dhe përgjegjësinë e saj në këtë sulm terrorist mbi shtetin e Kosovës.

Deklarata e presidentes Osmani nuk ka nevojë për interpretime, pasi ajo është e qartë se mosndëshkueshmëria do të inkurajojë Serbinë. Pra, një inkurajim që vjen nga shtetet që do të duhej ta ndëshkonin.

Por, cilat janë këto shtete që mund ta ndëshkojnë Serbinë? Përgjigjen e dijmë të gjithë: ShBA-të, BE-ja dhe Britania e Madhe.

Kjo deklaratë e Osmanit është vetëm njëra prej shumë deklarimeve të tjera të drejtuesve shtetërorë, që përbëjnë një listë të gjatë të qëndrimeve skandaloze e të pamatura. Këto deklarata, sidomos të presidentes Osmani dhe të kryeministrit, Albin Kurti, shfaqin degradimin e komunikimit publik.

Deklarata si kjo e Osmanit dhe si ajo e Kurtit për Sekretarin e Shtetit, Blinken, se është “naiv”, bartin edhe pasoja për Republikën e Kosovës. Në thelb, këto deklarata dëmtojnë raportet ndërshtetërorë dhe nxisin mosbesueshmëri në mesin e qytetarëve të Kosovës për shtetet dhe organizatat e caktuara.

Sulmet, ofendimet dhe fushatat linçuese kundër përfaqësuesve të shtetit tjetër padyshim se ndikojnë në marrëdhëniet ndërshtetërore. Por, këtë fakt, kryeministri Albin Kurti nuk e mori asnjëherë parasysh kur në qendër të fjalimeve dhe deklaratave të tij ishin përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

https://demokracia.com/kurti-kalon-kufijte-e-normales-e-godet-sekretarin-blinken-ne-gazeten-britanike-dha-deklarate-te-padrejte-te-gabuar-dhe-naive/ https://demokracia.com/kurti-vazhdon-ta-sulmoje-perfaqesuesin-e-aleatit-kryesor-te-kosoves-e-akuzon-rende-escobarin/

Jo vetëm kur bëhet fjalë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtar, por presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë qenë në ballë të gjuhës së rëndë e akuzuese edhe në çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës.

Në jo pak raste dhe si në sinkron, Osmani e Kurti kanë sulmuar, sidomos instituicionet e drejtësisë, duke nxitur mosbesimin e qytetarëve të Kosovës në institucione shtetërore. /Demokracia.com/

Të ngjashme