Lajme
Mësimi që Kurti dhe vartësit e tij nuk po e mësojnë | Pse Kosova nuk përfiton nga sulmet dhe ofendimet mbi përfaqësuesit e shteteve aleate?
Demokracia
10:18 | 20 Janar 2024

Share:

Nuk ka asnjë dyshim se sulmet, ofendimet dhe fushatat linçuese kundër përfaqësusve të shtetit tjetër, ndikojnë në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe mund të përcaktojnë edhe rezultatin e negociatave.

Në rastin e Kosovës, sulmet dhe ofendimet mbi zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës janë drejtuar në kohën vendimtare të negociatave me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Gjuha e rëndë, shpeshherë jashtë çdo kufiri, nuk ka asnjë dëshmi se kanë përmirësuar pozicionin e Kosovës në procesin negociator dhe as nëse kanë përmirësuar rezultatin e negociatave.

Tri vite pas këtij procesi negociues të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, rezultati i negociatave me Serbinë është Marrëveshja Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], Aneksi për zbatimin e saj [Ohër, 18 mars 2023] dhe Statuti për themelimin e Zajednicës / Asociacionit [21 tetor 2023], i cili po shihet në Kosovë si dokument që siguron autonomi politiko-territoriale për komunat me shumicë serbe.

Pavarësisht faktit se sulmet mbi përfaqësuesit e shteteve aleate nuk kanë sjellur asnjë dobi, kryeministri Kurti dhe vartësit e tij nuk kanë marrë mësimet e duhura, pasi së fundmi, më 18 janar 2024, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e ka akuzuar emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, se ka dështuar procesin e dialogut dhe se “Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut”.

https://demokracia.com/rikthehen-sulmet-e-pushtetit-te-kurtit-mbi-lajcakun-gervalla-e-akuzon-per-deshtim-te-dialogut/

GRENELLI, BLINKENI, ESKOBARI, LAJÇAKU…

Gjuha e rëndë e Kurtit kundër përfaqësuesve të ShBA-së dhe BE-së është shpeshtuar, sidomos kur ai u bë kryeministër dhe dialogu me Serbinë ishte barrë mbi të. Ai asnjëherë nuk bëri thirrje që të ndaleshin fushatat linçuese në rrjetet sociale të militantëve apo edhe zyrtarëve të lartë të partisë së tij, shkruan Demokracia.com.

Zyrtari i parë i lartë amerikan, i cili ishte në qendër të sulmeve nga kryeministri Albin Kurti, ishte dërguari special për dialogun Kosovë – Serbi i presidentit Donald Trump, Richard Grenell. Në maj të vitit 2020, vetë Kurti e ka akuzuar publikisht ambsadorin Grenell se ka mbajtur anën e Serbisë.

“Ambasadori Grenell ka patur qëndrimin që Kosova ta heqë taksën 100% dhe Serbia duhet ta pushojë fushatën e çnjohjes së Pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më pas ai e braktisi këtë të dytën pas një udhëtimi në Beograd, por së fundi u deklarua edhe kundër reciprocitetit ndaj Serbisë. Ky për mua ishte kulmi”, deklaronte Kurti.

Më 26 maj 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka zgjedhur gjuhën as për të kundërshtuar hiç më pak se Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Atë e ka kualifikuar si naiv, pasi i njëjti kishte kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcat e njësisë speciale në ndërtesat komunale në veriun e Kosovës. Ai kishte thënë se vendimi ishte marrë “kundër këshillës” së ShBA-së dhe partnerëve evropianë dhe që vendimi ka “përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, kishte thënë Kurti për The Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

https://demokracia.com/kurti-kalon-kufijte-e-normales-e-godet-sekretarin-blinken-ne-gazeten-britanike-dha-deklarate-te-padrejte-te-gabuar-dhe-naive/

Jo vetëm përfaqësuesit amerikanë, Grenell e Blinken, janë bërë pjesë e gjuhës së ashpër të Kurtit, që përfaqëson Republikën e Kosovës, një shtet të krijuar me ndihmë dhe mbështetjen e madhe amerikane.

Më 8 qershor të vitit 2023, Kurti ka folur për agjencinë e njohur të lajmeve The Associated Press, ku është ankuar për njëanshmëri ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe për tolerancë, siç ka theksuar ai, të regjimit autoritar të Serbisë.

Gjatë intervistës, Kurti ishte ankuar sesi emisarët nga SHBA dhe BE (Escobar dhe Lajçak), po i shkojnë në takime me kërkesa të Serbisë. “Po vijnë te ne me kërkesa të palës tjetër”, kishte thënë ai për AP-në.

https://demokracia.com/kurti-vazhdon-ta-sulmoje-perfaqesuesin-e-aleatit-kryesor-te-kosoves-e-akuzon-rende-escobarin/

Kurti ka përdorur gjuhë edhe më të rëndë ndaj emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Më 18 shtator 2023, vetëm disa ditë pasi dështoi takimi i 14 shtatorit në Bruksel, Kurti ka akuzuar ndërmjetësuesin Lajçak se është pozicionuar qartë kundër Kosovës.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes bazike. Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, deklaroi Kurti, i cili tregoi se për Lajçakun është ankuar në Uashington, Bruksel, Paris e Romë. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/kurti-i-ankohet-uashingtonit-brukselit-parisit-e-romes-se-lajcaku-e-ka-vendosur-qerren-para-kalit/

Të ngjashme