Lajme
Daçiç: Deklarata e Von der Leyen për njohjen e Kosovës është dhënë për t’i kënaqur veshët e Prishtinës
Demokracia
15:52 | 04 Nëntor 2023

Share:

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka pretenduar se deklarata e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se Serbia duhet që ta njohë de facto Kosovën, “është bërë për t’i kënaqur veshët e Prishtinës”.

“Ai term nuk ekziston në aktet dhe dokumentet e Bashkimit Evropian apo ndonjë tjetër që ka të bëjë me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, kështu që nuk është shkruar askund, ajo fjalë është përdorur për t’i kënaqur veshët e Prishtinës, që të duket se ata morën diçka”, tha Daçiç.

Kreu i diplomacisë serbe theksoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë “pafundësisht se çdo njohje e Kosovës – formale apo joformale – është e papranueshme për Beogradin”.

“Ajo u përpoq ta shpjegojë këtu me faktin se mund të tregojmë me disa veprime se jemi dakord se është një entitet i veçantë dhe ky është një interpretim i papranueshëm”, pretendoi Daçiç, duke shtuar se edhe i Dërguari Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, “tha se ky nuk është një dialog për njohjen, por për normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi ai, transmeton media serbe me seli në Kosovë “KosovoOnline”.

Siç pretendon ai, BE-ja e vuri “në vijë të gjithë integritetin dhe besueshmërinë e saj duke e detyruar Beogradin të nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit, e cila ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne dhe e cila, në parim, ishte e pranueshme me kusht që të formohej Asociacionin e Komunave me Shumivë Serbe”.

“Nëse nuk ka një gjë të tillë (krijimi i Asociacionit), është iluzore të flitet për ndonjë pikë tjetër dhe ky është thelbi”, pohoi Daçiç, teksa shtoi se “zbatimi i asaj që u nënshkrua 10 vjet më parë në Bruksel është një parakusht për gjithçka që po flitet tani”.

Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nis procedurën për themelimin e Asociacionit në Kosovë siç është përshkruar në draft-statut [të propozuar nga BE] dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, thuhej aty, teksa shtohet se formalitetet, “nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

“Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, paralajmëruan ata.

Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe Charles Michel

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar.

Në deklaratën e përbashkët, Scholz, Meloni dhe Macron theksuan se i kanë marrë parasysh komentet e dy liderëve, përkatësisht Kurtit dhe Vuçiç-it, për statutin evropian për themelimin e Asociacionit në Kosovë dhe “gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

“Draft-statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.

Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë nënvizuan edhe një herë pritshmëritë që palët: “të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.

Të ngjashme