Lajme
Çollaku: Për keqardhje që qeveria nuk ka përgjigje të qartë për planin franko-gjerman
Demokracia
19:16 | 09 Nëntor 2022

Share:

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Bekim Çollaku, ka thënë se është për keqardhje që s’ka përgjigje të qartë nga ana e qeverisë sa i përket propozimit franko-gjerman.

Sipas tij, edhe zyrtarët e qeverisë edhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, po japin përgjigje gjysmake në lidhje me këtë dhe s’po sqarojnë asgjë.

“Opinoni publik e ka të drejtën ta dijë dhe e ka të drejtën të kërkojë llogaridhënie nga institucionet shtetërore se për çfarë plani bëhet fjalë, pse i njëjti plan nuk po bëhet publik dhe pse qytetarët dhe deputetët e kuvendit nuk janë të informuar se çfarë përgjigje konkrete i ka kthyer qeveria këtij plani”.

“Nuk ka transparencë sa i përket planit franko-gjerman, s’ka transparencë sa i përket përgjigjes së qeverisë dhe kjo është për keqardhje”, është shprehur Çollaku në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se qeveria në këtë rast s’është konsultuar as me opozitën e as me deputetët e kuvendit, teksa sipas tij, qeveria po thotë se i ka kthyer përgjigje atyre që e kanë propozuar planin, teksa shtoi se me elementet e këtij plani është në dijeni edhe i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Edhe kryetarit të PDK-së i janë bërë të njohura elementet e këtij plani nga përfaqësuesi i ShBA-së, Gabriel Escobar, dhe nga Mirosllav Lajçak”, është shprehur Çollaku.

Më tej, ai tha se Kosova është shumë larg mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

“Jemi larg, larg, larg mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, por jemi duke folur për hapat konkret që mund të çojnë tek një marrëveshje përfundimtare”.

“Të gjitha ato që i ka thënë Escobar janë plotësisht të sakta dhe janë të njëjtat që ai ia ka transmetuar liderëve të opozitës në Kosovë”, është shprehur Lajçak, transmeton Klankosova.tv.

Të ngjashme