Lajme
Çmimi dhe akciza e naftës| Për inati të opozitës, Qeveria ua “nxinë” jetën qytetarëve  
Demokracia
15:56 | 13 Qershor 2022

Share:

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se nuk do të hiqet akciza për naftën. Madje, sipas tij, këto janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve. Këtë vendim, Murati e ka marrë për inati të opozitës, duke ua vështirësuar jetën qytetarëve. Çmimi i derivateve tashmë ka shkuar në rreth 2 euro.

“Për inati të nuses, më vdektë djali”, kjo është një thënie popullore që përdoret shumë në Kosovë, kur flitet për raportet mes vjehrrës dhe nuses.

Kjo situatë është krijuar edhe tash kur po flitet për çmimin e naftës dhe heqjen e akcizës.

Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti dhe Ministria e Financave që ka shef Hekuran Muratin, për inati të opozitës kanë vendosur që t’i ndëshkojnë qytetarët e Kosovës.

Në reagimin pas rritjes së çmimit të derivateve në Kosovë dhe kërkesës për heqjen e TVSH-së dhe akcizës, ministri Hekuran Murati ka bërë të ditur se nuk do të hiqet akciza për naftën, derisa ka thënë se këto janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve, shkruan Demokracia.com.

Rritja e çmimit dhe heqja e akcizës për naftën, Hekuran Murati kapet me opozitën

“Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër”, ka thënë Murati.

Por, ai nuk u ka dhënë shpresa qytetarëve, se çmimi i derivateve do të ulet, vetëm se ka thënë se po punojnë.

“Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi. Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori”, ka thënë ai.

Murati ka thënë se dëshminë më të mirë për këtë e kemi parë përgjatë tërë vitit të kaluar me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë Hoti.

“..TVSH-ja për bizneset e gastronomisë ishte ulur nga 18% në 8%, për tërë vitin 2021. Përkundër kësaj, për asnjë moment çmimet e kafesë dhe produkteve tjera të gastronomisë nuk u zbritën, sepse e tërë ulja e TVSH-së u kthye në marzhë shtesë të fitimit për bizneset”.

1.90 euro për litër, rekord i ri në çmimin e naftës-LDK dorëzon kërkesë për debat

E derisa Murati është i zënë duke u marrë me opozitën dhe ka bërë analiza, çmimet e karburanteve sot kanë shënuar rekord, ku një litër naftë dhe benzinë ka arritur rreth 1.90 euro.

Aktualisht, çmimet derivateve janë shtrenjtuar për gati 0.15 centë në litër brenda një jave.

Kurse, ish-kryeministri Avdullah Hoti, që është profesor i ekonomisë, ka shpërndarë një tabelë dhe bashkë me të një analizë sesi do të mund të kushtonte më lirë një litër naftë, nëse Qeveria do të shkonte në disa hapa që ai beson që do të duhej ndërmarrë.

Fadil Berjani i përgjigjet Hekuran Muratit për çmimin dhe akcizën e naftës

Qeveritarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje shpërndajnë shpesh të dhënat që tregojnë se arka e shtetit po mbushet nga tatimet.

Ish-kryeministri Hoti ka dhënë një version të tij sesi po arrihet kjo. Ai ka pyetur Qeverinë si mund të krenohet me rritjet e të hyrave buxhetore kur kjo është bërë në kurriz të qytetarëve, duke u rritur çmimet e mallrave e veçanërisht naftës.

Hoti ka shkruar se kur ka qenë një litër naftë 1 euro në Kosovë, TVSH ka qenë 14 centë. Tani ai thotë se me rritjen e çmimit të naftës, të hyrat që i grumbullon shteti nga qytetarët janë dyfishuar.

“Kur çmimi i naftës në treg ishte 1 Euro, Qeveria mblidhte 14 centë TVSH për litër të naftës, siç shihet në tabelë në kolonën (e). Tani kur çmimi naftës sillet rreth 1.85 Euro, Qeveria mbledh 27 centë TVSH për litër, që është gati dyfish më shumë ngarkesë me TVSH për qytetarin. Rrjedhimisht, Qeveria do të mund të përgjysmonte TVSH-në në naftë dhe prapë të mblidhte njësoj të hyra buxhetore. Pse nuk është bërë kjo deri më sot? Si mund të krenohet Qeveria për rritje të të hyrave kur kjo rritje vjen nga rritja e çmimit në kurriz të qytetarit?!”, ka shkruar ai.

Si mund ta ulë çmimin e naftës Qeveria, sipas analizës së Avdullah Hotit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar që të bëhet debat në Parlamentin e Kosovës lidhur me rritjen e çmimeve.

Kështu ka njoftuar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë.

“Kemi kërkuar debat parlamentar lidhur me ngritjen e çmimeve dhe masat urgjente që duhet të merren. Kemi propozuar edhe rezolutë. Kërkuam që ky debat të mbahet këtë të enjte, por partia në pushtet insistoi që agjenda është shumë e ngarkuar dhe mbetet për të enjten e ardhshme”, tha Gashi.

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) i ka propozuar Qeverisë që deri në fund të verës të suspendojë akcizën për derivatet e naftës.

Sipas kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, kjo do të ndikonte që një litër të shitet më shumë se 35 centë më lirë.

Ai thotë madje që ka kërkuar, që marzha për import dhe shitje të derivateve të naftës të jetë së paku 2 për qind, kurse marzha për shitje me pakicë të jetë rreth 10 për qind.

“Kosova duhet të merr shembuj të mirë të shteteve të ndryshme për tejkalimin e krizës pas shtrenjtimit të energjisë, derivateve dhe të gjitha artikujt ushqimor. AKB-ja i propozon Qeverisë që përkohësisht deri në fund të verës të suspendon akcizën në derivate, e cila do të ndihmon më shumë se 35 cent për çdo litër për çdo qytetar pavarësisht a është ai subjekt ekonomik apo subjekt individual”.

Sot një litër naftë është duke u shitur nga 1.86-1.90 euro në tregun e Kosovës.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni ka arritur 12.5 për qind në muajin maj 2022 krahasuar me majin e vitit 2021.

Sipas indeksit të çmimeve, karburantet janë shtrenjtuar 45,3 për qind në muajin maj të këtij vitit krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Po kështu edhe vaji për gatim është shtrenjtuar 54.3 për qind./Demokracia.com/

Çmimet e karburanteve arrijnë rreth 1.90 euro

Të ngjashme