Lajme
Çka do të ndodhë me dialogun? | BE-ja nuk i dëgjoi thirrjet e Kurtit për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës
Demokracia
18:37 | 11 Tetor 2023

Share:

“Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati apo mungesës së shtendosjes që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhë para kësaj…”.

Kjo është përgjigjja zyrtare e Bashkimit Evropian për sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, përmes së cilës qartësohet pozicioni evropian se nuk ka ndonjë ndërlidhshmëri midis masave ndëshkuese të fillimit të korrikut 2023 dhe sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023.

Largimi eventual i këtyre masave ndëshkuese do të mund të ndikonte pozitivisht në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka stagnuar pas sulmit terrorist mbi instituiconet e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Qeveria e Kosovës ka prezantuar fakte të shumta e të pakundërshtueshme që Serbia ishte e përfshirë, shkruan Demokracia.com.

Përgjigjja e mësipërme është pjesë e qëndrimit më të gjerë të BE-së të shprehur nga zëdhënësi i saj, Peter Stano, i cili ka njoftuar se masat ndëshkuese do të mbesin në fuqi pasi shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova.

“Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi”, ka thënë Stano.

BE thotë se masat mbesin në fuqi: Nuk kemi parë hapa kuptimplotë nga Kosova për shtendosje në veri

Në disa raste, kryeministri Kurti ka kërkuar që Bashkimi Evropian të korrigjojë vendimin dhe të largojë masat ndaj Kosovës. Kurti, në këtë drejtim, kishte përmendur edhe reduktimin e prezencës së Policisë së Kosovës, dy herë nga 24 për qind, në komunat veriore të Kosovës.

Megjithkëtë, shpresat e kryeministrit Kurti dhe qeverisë janë shuar nga Stano të mërkurën e 11 tetorit 2023, i cili një ditë më herët ka hedhur poshtë edhe formulën e prezantuar nga presidentja Osmani për ta kushtëzuar dialogun me Serbinë me sanksionimin e saj.

BE-ja refuzon kërkesën e Kosovës për kushtëzimin e dialogut me sanksionim të Serbisë

Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian kanë filluar të japin efekte të rënda në ekonominë kosovare dhe një gjendje e tillë është pranuar publikisht edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Masat po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”, është shprehur Kurti në fund të muajit gusht 2023.

BE thotë se masat mbesin në fuqi: Nuk kemi parë hapa kuptimplotë nga Kosova për shtendosje në veri

Thirrjet e kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij drejtuar BE-së kanë qenë të shpeshta e madje në një rast ai kërkonte mirënjohje nga BE-ja dhe jo masa ndëshkuese.

“Ne konsiderojmë që Kosova me progresin e saj ekonomik dhe demokratik do të duhej të kishte mirënjohjen e BE-së edhe kurrfarë masash ndëshkuese. Sa më herët që merret vesh një gjë e tillë, natyrisht që është më mirë për të gjithë”, deklaronte Kurti më 21 korrik 2023.

Sanksionet e vendosura nga BE-ja përfshijnë pezullimin e fondeve IPA 2024, përjashtimin e Kosovës nga takimet e nivelit të lartë dhe pezullim të vizitave bilaterale. Gjithashtu, nuk janë marrë parasysh as propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) si dhe është pezulluar puna e trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. /Demokracia.com/

Të ngjashme