Sport
Cila është ‘Vëllazëria Myslimane’ dhe çfarë lidhje ka Benzema me ta?
Demokracia
15:11 | 18 Tetor 2023

Share:

“Vëllazëria Myslimane”, e njohur gjithashtu si “Shoqëria e Vëllazërisë Myslimane” ose “Al-Ikhwan Al-Muslimun” në arabisht, është një organizatë me ndikim fetar dhe politik islamik e themeluar në Egjipt në fillim të shekullit të 20-të, me të cilën Ministri i Brendshëm i Francës e ka lidhur pa prova Karim Benzema-n.

Historia e grupimit dhe ndikimi i tij në politikë dhe shoqëri në rajon ka qenë i dukshëm, duke u bërë kështu një referencë për Islamin politik në botën arabe dhe myslimane.

“Vëllazëria Myslimane” u krijua në vitin 1928 në Egjipt, nën udhëheqjen e Hasan al-Banna, me synimin për të promovuar një interpretim më të rreptë të Islamit dhe për të përmirësuar moralin dhe etikën në shoqëri.

Me kalimin e viteve, organizata është diversifikuar dhe zgjeruar, duke u angazhuar në një gamë të gjerë aktivitetesh, nga kujdesi social dhe arsimor e deri te politika.

“Vëllazëria Myslimane” konsiderohet një organizatë terroriste nga shumë vende (ndër të tjera, Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Rusia). Një nga parimet qendrore të “Vëllazërisë Myslimane” është zbatimi i sheriatit (ligjit islam) si bazë për legjislacionin dhe jetën publike.

Objektivi kryesor është të zgjerojë ligjet dhe parimet islame të përfshira në Kuran dhe Sunet në të gjitha fushat e jetës, qoftë personale, sociale, ekonomike, kulturore apo sociale, në mënyrë graduale dhe paqësore.

Përveç kësaj, ata kanë kërkuar pjesëmarrje në proceset demokratike dhe në disa raste kanë qenë aktorë me ndikim në zgjedhjet në Egjipt dhe vende të tjera arabe.

Megjithatë, pjesëmarrja dhe ndikimi i tyre politik kanë qenë burim polemikash dhe konfliktesh me qeveritë laike dhe autoritare. Në Egjipt, për shembull, organizata ishte subjekt i persekutimit dhe shtypjes gjatë dekadave, megjithëse ata erdhën në pushtet për një kohë të shkurtër në 2012 pas revolucionit të 2011, por zgjati vetëm një vit.

Gjatë viteve, “Vëllazëria Myslimane” është degëzuar dhe diversifikuar në vende të ndryshme, duke krijuar rryma dhe qasje të ndryshme brenda organizatës. Historia e saj është një shembull i kryqëzimit midis fesë dhe politikës në botën myslimane dhe një çështje e rëndësishme në gjeopolitikën e Lindjes së Mesme.

Benzema, i përfshirë pa prova

Deklaratat e ministrit të Brendshëm francez, Gerald Darmanin, kanë shkaktuar zhurmë të madhe në Francë.

Darmanin, në televizionin francez “CNews”, ka deklaruar prerë se Karim Benzema ka lidhje “famëkeqe” me “Vëllazërinë Myslimane”, edhe pse pa asnjë provë.

Nuk ka asnjë të dhënë, me sa duket, që sulmuesi francez të jetë i lidhur me këtë grupim, ndaj edhe ajo që tha ministri është befasuese.

Benzema ka mbështetur banorët e Gazës ditët e fundit dhe ka marrë kritika.

Të ngjashme