Lajme
Çfarë ka më pak Sonila se Veroni? VV dikur e quante “trokitje në diktaturë” atë çfarë e bënë vet sot
Demokracia
20:19 | 20 Dhjetor 2023

Share:

Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Sonila Pllashniku, gjatë ditës së sotme në një aksion të saj simbolik ka protestuar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ajo ka fishkulluar dhe ka gjuajtur disa fletushka me mbishkrime në drejtim të kryeministrit Kurti, por truprojat e tij menjëherë me forcë e larguan Pllashnikun nga ambientet e Bibliotekës Kombëtare ku po mbahej aktiviteti. Vetëvendosje dikur këtë e konsideronte “trokitje në diktaturë”.

Sonila në fletushkat e hedhura ndaj kryeministrit Kurti thotë se ka renditur dëmet të cilat sipas saj Kurti ia ka sjellur vendit. Ajo u shoqërua në polici nga mbrojtja e afërt e kryeministrit, shkruan Paparaci.com.

Sipas asaj që është raportuar, Sonila ka thënë se mbrojtja e afërt e kryeministrit gjatë rrugës dhe brenda stacionit policor i kanë bërë pyetje provokuese dhe kanë ndërhyrë tek hetuesit për cilësimin e veprës. Këto veprime e kanë shqetësuar Sonilen e cila thotë së nuk bëri asgjë vetëm nuk u pajtua me fjalimin e kryeministrit Albin Kurti.

Por, krejt ndryshe prej kësaj Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet vepronte sa ishte në opozitë. Në vitin 2020, aktivisti i këtij subjekti politik, Veron Hasani ishte arrestuar pasi kishte protestuar ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi duke e quajtur “hajn”.

Lëvizja Vetëvendosje ishte treguar jashtëzakonisht e ashpër në reagim. Përveç se e kishte cilësuar si arrogancë të pushtetit, në reagimin e tyre ishte thënë se “në derë po troket diktatura”.

Madje, LVV kishte thurur elozhe për fjalën e lirë në reagimin e tyre.

“Truprojat e presidentit përçarës kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani vetëm pse ky i fundit ka guxuar të ngrejë zërin gjatë kohës kur Hashim Thaçi po mbante konferencë për media në shesh. Aktivisti Veron Hasani ka thirrur “o hajn!”, duke besuar se në Kosovë ende funksionon demokracia dhe liria e fjalës. Por kështu nuk mendon Thaçi dhe truprojat e tij.”, thuhej në reagim.

Ata kishin publikuar pamjet e arrestimit të aktivistit Veron Hasani dhe për të arsyetohej se nuk ka bërë asgjë “përveçse ka folur”.

“Nga pamjet e videos bashkangjitur, xhiruar nga mediat, shihet qartë sjellja çnjerëzore dhe brutale e këtyre truprojave ndaj një qytetari që nuk ka bërë asgjë, përveçse ka folur. Me të mbaruar punë me qytetarin, truprojat i janë kthyer gazetarit, i cili po ashtu është sulmuar që t’i merret videoja. Mbulimi i gjurmëve, karakteristikë e bashkëpunëtorëve të këtij presidenti.” thuhej në reagim.

VV në reagim thoshte se vetëm regjimi s’e duron të vërtetën, kritikën e drejtësinë mund të sillet në këtë mënyrë.

“Një regjim që nuk e duron të vërtetën, kritikën, dhe drejtësinë mund të sillet vetëm në këtë mënyrë. Lëvizja VETËVENDOSJE! aktivistët dhe asnjë qytetar nuk ua ka frikën shkelmave të fundit të Pronto-Presidentit që ka humbur toruan. Së bashku me qytetarët ne do ta ndalim atë, dhe gjithë abuzuesit.”, thuhej në reagim.

Megjithatë, duket se gjërat kanë ndryshuar me të ardhur në pushtet. Sot, u arrestua aktivistja e PSD-së, Sonila Pllashniku vetëm pse fishkëlleu në një aktivitet të Kurtit dhe pse i hodhi disa letra me mbishkrime. A është kjo trokitje në diktaturë, siç do ta quante VV në vitin 2020?.

Të ngjashme