Lajme
Cani flet për mundësinë që liberalizimi të rikthehet si çështje politike
Demokracia
18:56 | 03 Janar 2024

Share:

Më 1 janar 2024 ka hyrë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën.

Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, përmes një lidhjeje direkte për Tëvë1, komentoi se a ka rrezik që liberalizimi i vizave të rikthehet si çështje politike, derisa fajësoi politik bërjen e Kosovës për vonesën e deritanishme të lëvizjes së lirë.

Megjithatë, Cani e cilësoi të rëndësishëm faktin që vendet kryesore të zonave Schengen, janë të bindura që liberalizimi i vizave duhet të mbetet.

“Me rëndësi është që vendet kryesore të zonat Schengen janë shumë të bindura që liberalizimi i vizave duhet të mbetet. Ne e dimë shumë mirë që ka qenë një gjysmë deklaratë e Macronit, që e ka përmendur edhe këtë mundësi, mirëpo procedurat për pezullimin e liberalizimit janë pak më të komplikuara. Sa i përket faktorit politik në Kosovë, kjo pyetje duhet t’u bëhet personave atje, sepse vetë ata janë fajtorë për shumë gjëra e vonesa që kanë ndodhur deri tani”, deklaroi Cani në emisionin “Ditari”.

Më tej, Cani foli edhe për pasojat e keqpërdorimit me lëvizjen e lirë, duke theksuar faktin që ndonjë vend mund të iniciojë pezullimin e liberalizimit të vizave.

“Liberalizimi i vizave do të ishte mirë të mos rrezikohet. Në qoftë se ka keqpërdorime masive të liberalizimit të vizave, siç është kalimi i afateve, kërkimi i azilit, ose kushte të tjera, mund të ndodhë që një vend të iniciojë pezullimin e liberalizimit të vizave. Kjo ka ndodhur edhe me Shqipërinë në vitin 2019. Duhet të ketë kujdes me respektimin e rregullave, sepse penalizimet janë krejtësisht të panevojshme”, shtoi tutje Cani në Tëvë1.

Kujtojmë se liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Të ngjashme