Lajme
Bombardimi i Jugosllavisë nga NATO | Qëndrimi skandaloz i Albin Kurtit kundër intervenimit të Aleancës Veriatlantike
Demokracia
08:41 | 24 Mars 2024

Share:

Sot shënohet 25-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake policore serbe. 25 vjet më parë, NATO ndërhyri për të ndalur gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës.

Ndonëse partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fshirë nga ueb-faqja e saj shumë dokumente dhe komunikata që kanë publikuar në të kaluarën, ky subjekt politik në të kaluarën thoshte se NATO-ja nuk e ka çliruar Kosovën.

Madje, shkonte aq larg saqë thoshte se NATO-ja ka intervenuar për interesa të Millosheviqit në Kosovë.

Si kryeministër, Albin Kurti sot ka qëndrime pro NATO-s dhe aspiron anëtarësimin në këtë aleancë.

Lëvizja Vetëvendosje para se të vinte në pushtet vazhdimisht kishte deklaruar se NATO-ja nuk e ka çliruar Kosovën, shkruan Demokracia.com.

Në komunikatën e LVV-së të publikuar më 2 qershor të vitit 2010 thuhej se NATO-ja nuk e ka çliruar Kosovën.

Aty thuhet se të gjitha rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë riafirmuar integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës Federale Jugosllave mbi Kosovën.

LVV-ja në këtë komunikatë thoshte se intervenimi i NATO-s nuk kishte autorizim “ab initio” të OKB-së, që nënkupton se nuk kishte miratimin nga fillimi për të ndodhur. Por, pyetja që Vetëvendosje e shtron në këtë komunikatë është se çfarë ka prodhuar ky intervenim dhe a është çliruar Kosova apo është ruajtur sovraniteti territorial i Jugosllavisë mbi Kosovën?

“Në fund të fundit, nuk është edhe aq e rëndësishme se a ka qenë ky intervenim legal, sa e rëndësishme është të zbërthehet se për çfarë në të vërtetë është bërë ky intervenim?! Është çliruar Kosova me intervenimin e NATO-s apo është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë?!“, thuhet në komunikatën e LVV-së, përcjell Demokracia.com.

LVV i referohet librit të Wesley K. Clark ku thotë se me intervenim tokësor do të shpëtoheshin më shumë njerëz dhe së këndejmi Vetëvendosje thotë se shqetësimi i NATO-s nuk ka qenë për ta zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile.

“Pra, vërehet se NATO nuk ka qenë edhe aq e shqetësuar për të zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Edhe këtë e dëshmon vetë deklarata e gjeneralit Wesley K. Clark, komandant suprem i NATO-s gjatë bombardimeve në Kosovë, i cili thotë se ashpërsimi i dhunës dhe mizorive të forcave serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ka qenë krejt i parashikueshëm”, thuhet në këtë komunikatë.

“Pasiqë bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e preokupuar me fatin e qytetarëve të Kosovës dhe pasiqë qëllimet e saj kanë qenë qëllime humanitare, atëherë pse ajo ka vendosur që para fillimit të intervenimit të NATO-s t’i lë qytetarët e Kosovës nën mëshirën e regjimit të Millosheviqit duke e larguar KVM-në nga Kosova?!… Një shkrimtar serb, Vladimir Arsenijevic, në ditarin e tij për luftën, “Mexico – Ditari i luftës”, thotë: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin duke ndihmuar që ta ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë, si dhe ta forcoj kontrollin e tij në gjithë Jugosllavinë. Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren” (faqe 121)”, thuhej mes tjerash në komunikatën e VV-së.

Po ashtu, në komunikatën e LVV-së thuhej se intervenimi i NATO-s nuk është bërë për çlirimin e Kosovës por për ta shtrënguar Serbinë për ta pranuar planin e paqes dhe t’i garantojë NATO-s qarkullim të lirë nëpër Jugosllavi, por edhe garantim të integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë.

Sipas LVV-së, intervenimi i NATO-s është bërë që Serbia ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, por njëkohësisht sipas tyre është ruajtur edhe sovraniteti dhe integriteti territorial i Jugosllavisë.

“Intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën, por për ta shtrënguar palën serbe ta pranoj planin e paqes, e ai plan jo vetëm se ka garantuar që NATO-ja të ketë qarkullim të lirë nëpër tërë RFJ-në, por ka garantuar edhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë (qëllimi ka qenë që të ruhet paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar) dhe këtë më së miri e dëshmon dokumenti i 3 qershorit të vitit 1999 (Ahtisari dhe Çernomerdini)”, thuhej tutje në komunikatën e VV-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme