Lajme
Besnik Bislimit i “turbullohet” inteligjenca | Brenda dy ditësh nga “të flasësh kundër sistemit të drejtësisë nuk është ndërhyrje” kalon në “të flasësh kundër vendimit të BQK-së është ndërhyrje”
Demokracia
09:49 | 27 Janar 2024

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është shfaqur kontradiktor dhe i çakorduar në inteligjencën e tij brenda vetëm dy ditësh në çështje të rëndësishme shtetërore.

Është bërë e zakonshme për Qeverinë Kurti, që paradite të deklarojnë diçka dhe pasdite ta mbrojnë të kundërtën e saj, shkruan Demokracia.com.

Joserioziteti, i cili po përkthehet në degradim të Republikës së Kosovës, është bërë i përditshëm për Qeverinë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

Më 24 janar, Bislimi ka mbrojtur gjuhën e përdorur nga Qeveria Kurti kundër sistemit të drejtësisë me arsyetimin se deklaratat publike janë certifikim i mosndërhyrjes, kurse më 26 janar ai ka thënë se çdo diskutim për vendimin e BQK-së është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.

24 JANAR 2024 – BISLIMI: TË FLASËSH PËR PROBLEMET NË SISTEMIN E DREJTËSISË NUK ËSHTË NDËRHYRJE

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka arsyetuar sulmet prej disa muajsh mbi institucionet e drejtësisë. Ai ka çuditur, si në shumë raste të tjera, me përgjigjen e tij.

Sipas tij, deklarimet publike mbi problemet në sistemin e drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes.

“Çdo deklarim publikisht i imi për problemet me sistemin e drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi, sepse tregojnë se unë kam një pakënaqësi dhe unë s’e kam zgjedh mënyrën e ndërhyrjes. Por, jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi është rezultat i mosndërhyrjeve”, tha Bislimi.

26 JANAR 2024 – BISLIMI: TË FLASËSH PËR VENDIMIN E BQK-së ËSHTË NDËRHYRJE

Krejtësisht ndryshe është deklaruar zëvendëskryeministri Bislimi kur është pyetur për deklaratat e ambasadorëve të ndryshëm lidhur me Rregulloren e re të BQK-së, me anë të së cilës euro mbetet monedha e vetme në Kosovë, ndërkaq dinari serb nuk do të mund të përdoret për pagesa.

Bislimi ka thënë se diskutimi për këtë vendim të Bankës Qendrore të Kosovës është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni.

“Besoj që është shumë me rëndësi që edhe ndërmjetësuesi ta kuptojë që BQK-ja nuk është negociu në Bruksel, neni 11 i Kushtetutës nuk është negociu në Bruksel, pavarësia e BQK-së nuk është negociu dhe rrjedhimisht nuk duhet të preken. Çdo kush që e takon BQK-në dhe e pyet pse e keni marrë këtë vendim dhe si do ta zbatoni, ndërhynë në pavarësinë e këtij institucioni. Mendoj që gjithë ne duhet ta mbrojmë pavarësinë e BQK-së”, ka thënë Bislimi gjatë raportimit në njërën nga komisionet parlamentare. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme