Lajme
BE zbuloi të vërtetën e hidhur të pranuar nga Albin Kurti: Statusi i institucioneve paralele zgjidhet me “Zajednicë”
Demokracia
13:00 | 04 Shkurt 2024

Share:

Një reagim i Bashkimit Evropian kundër aksioneve të ditëve të fundit të Qeverisë së Kosovës, me anë të të cilave janë mbyllur disa zyre që funksionojnë si institucione paralele e ilegale të Serbisë brenda territorit të Repubikës së Kosovës, ka zbuluar një të vërtetë të hidhur se çfarë lloji të Zajednicës/Asociacionit ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Bashkimi Evropian ka treguar se statusi i strukturave ilegale të Serbisë që funksionojnë në Kosovë “është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”.

Në fakt, ky qëndrim i Bashkimit Evropian zbulon të vërtetën e mbajtur fshehur për kaq kohë nga kryeministri Albin Kurti, i cili më 21 tetor 2023 pranoi draftstatutin për themelimin e Zajednicës, të cilin ia dorëzuan 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 shprehu gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë, shkruan Demokracia.com.

Lajmi i plotë:

Pas ShBA-së, vjen reagimi edhe nga BE-ja: Të shmangen veprimet që mund të rrisin tensionet

“ZAJEDNICA” E KURTIT SI STREHË E STRUKTURAVE ILEGALE TË SERBISË

Deklarata e Bashkimit Evropian, ndonëse e shkruar për qëllime të tjera më të rëndësishme për momentin, tregon se çfarë fshihet prapa nenit 7 të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Po bëhen gati 110 ditë që nga ajo kohë dhe kryeministri Kurti vazhdon ta mbajë të fshehur statutin për themelimin e Zajednicës, e pranuar nga Kurti me Marrëveshjen Bazë dhe nenin 7 të saj, por reagimi i BE-së tregon se shpërbërja e strukturave nga Serbia në Kosovë nuk nënkupton edhe largimin e tyre nga Kosova.

Pra, strukturat ilegale të Serbisë nuk do të largohen nga Kosova, por ato do të “strehohen” nën instrumentin e Vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës, i paraparë në nenin 7.

Neni 7 ka dy pjesë përbërëse e themelore. Në pjesën e parë të tij serbëve në Kosovë u sigurohet një nivel i duhur i vetëmenaxhimt dhe një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, Kosova ka marrë obligime që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe, shkruan Demokracia.com.

Çështja e strukturave të Serbisë në Kosovë ishte pjesë e propozimit edhe të Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me ndërmjetësuesin Mirosllav Lajçak ua kanë prezantuar të dy palëve, edhe Kosovës edhe Serbisë, në takimin e 14 shtatorit 2023.

Kurti nuk e kishte kundërshtuar përmbajtjen e këtij dokumenti, por vetëm hapat sesi ishte planifikuar të zbatohej Marrëveshja Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023].

Sipas propozimit të BE-së, si pikë e 7 përmendej “themelimi i instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”, kurse në pikën 10 parashihej “shpërbërja e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre, i përshtatshëm, nën instrumentin e vetmenaxhmit për serbët e Kosovës”.

KURTI KRENOHEJ PËR NENIN 7 (VETËMENAXHIMIN)

Më 3 nëntor 2023, gjatë raportimit të tij për takimin e 21 tetorit me 5 emisarët që vinin nga ShBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe BE-ja, të cilët ia dorëzuan në zyrën e tij një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kurti ishte krenuar me përfshirjen e nenit 7 në Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023].

“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”, deklaronte Kurti.

Në fakt, përmes kësaj deklarate, kryeministri Kurti kishte zbuluar se neni 7, i cili shikohet me mjaft frikë në Kosovë si një derë që mund të çojë në autonominë e serbëve, është rezultat i dialogut të tij.

Lexo më shumë:

Si e zbuloi rastësisht Albin Kurti se rezultat i dialogut të tij është Neni 7 për Vetëmenaxhimin e serbëve dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe?

Por, tani pas Deklaratës së BE-së, që mban datën e 4 shkurtit 2024, përmbajtja e nenit 7 ka edhe kuptim tjetër, si një instrument që do ta zgjidhë çështjen e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, të cilat do të marrin pamje tjetër, nën instrumentin e vetëmenaxhimit me Zajednicën. /Demokracia.com/

Të ngjashme