Lajme
Padia kundër Serbisë për gjenocid: A ka lidhje siç pretendon ministrja Haxhiu me anëtarësimin në KiE?
Demokracia
22:23 | 28 Prill 2024

Share:

Janë bërë tash më shumë se tri vite që Qeveria e Kosovës zotohet se do të ushtrojë padi për gjenocid ndaj Serbisë. Madje këtë premtim e kanë inkorporuar edhe në planin qeverisës të tyre. Kosova s’është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por Këshilli i Evropës sipas Ministres Haxhiu, do të jetë një opsion.

Por a është Këshilli i Evropës opsion për padinë për gjenocid?

Në një pronocim për “Kosovapress” Haxhiu duke e quajtur padinë për gjenocid “prioritet të qeverisë” tha se me t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës hapet edhe kjo rrugë.

E kemi në programin qeverisës dhe prioritet edhe padinë për gjenocid dhe kemi pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertët që janë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje nuk mund të jap më shumë informacione”.

Ndërsa, natyrisht që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës ne na hapen shumë rrugë dhe sigurisht bazuar në këtë do të vlerësojmë edhe veprimet që dalin pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që ta shfrytëzojmë si mekanizëm në kuptim të vendosjes së drejtësisë”, tha Haxhiu.

Përparim Gruda i PDK-së i ka reaguar ministers, duke thënë se kjo deklaratë e saj s’ka asnjë bazë profesionale. “Ministrja e Drejtësisë deklaron diçka që nuk ka asnjë bazë profesionale. Padia për gjenocid duhet të bëhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (nese do të jet e mundur), jo në mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tij kjo po ndodh, meqenëse pritet që organet e vendit ta çojnë në Kushtetuese Asociacionin, si kusht për anëtarësim në KiE.

“Tani që duan të dërgojnë statutin e Zajednicës në Gjykatën Kushtetuese, provojnë të krijojnë sa më shumë paqartësi në publik duke folur për padinë pa asnjë bazë profesionale” – ka shkruar ai.

Pra, Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut e Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë janë dy trupa të ndryshëm. Padia e një shteti ndaj tjetrit s’mund të ushtrohet në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, që është organi –që do të hapet- për Kosovën, nëse anëtarësohet në KiE.

Por, a ishte ndonjëherë opsion real kjo padi?

Kritik i madh i këtij premtimi qeveritar që nga fillimi ishte Drejtori i Institutit për Drejtësi në Kosovë, Ehat Miftaraj.

Miftaraj ishte e është kritik, sepse sipas tij premtime si këto shfrytëzohen vetëm për fushatë elektorale, meqenëse formalisht e juridikisht, Kosova nuk ka kapacitete për ta bërë një gjë të tillë. Sidomos jo, pa u bashkërenduar me ShBA-të dhe BE-në.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi edhe gjatë fushatave elektorale në vitet 2019 por edhe 2021, kishte kërkuar që partitë politike të mos premtojnë gjëra të cilat janë të paarritshme ose vështirë të arritshme pa përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë.

E njëjta kishte nënkuptuar edhe lidhur me padinë për gjenocid apo padinë për kompenzimin e dëmeve të luftës.

Derisa Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara, derisa Kosova nuk e fiton subjektivitetin ndërkombëtar në bazë të asaj që e përcakton karta e OKB për të pasur të drejtën që ta ratifikoj statutin e GJND, në këtë fazë thjesht mund të bisedojmë por nuk është se mund të ndërmarrësh një hap formal për të paditur Serbinë.

Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës pa pajtim me SHBA-në dhe BE-në, kam frikë se do të kishte kundërefekt dhe do të vinte Kosovën në një situatë të pafavorshme, ku besoj publiku dhe qytetarët që kuptojnë sadopak nga politika dhe duan ta shohin me sy të pavarur politikbërjen në Kosovë tanimë e kuptojnë qartë se sa e rëndësishme është koordinimi dhe bashkëpunimi me ShBA dhe vendet aleate në procese që lidhën me fatin e republikës së Kosovës.” – ka thënë Miftaraj për Nacionalen.

Të ngjashme