Sot mbushen plot 24 vjet nga ndarja e parakohshme nga jeta e lady Dianës, princeshës më të dashur e më të përfolur të të gjitha kohërave. Shtypi britanik e ai ndërkombëtar vijon të gëlojë edhe sot nga lajmet e shumta për jetën e saj, teoritë konspirative të një vdekjeje të organizuar, pa harruar të përmendim edhe detajet që ndoshta nuk i dinim më parë për të.
Ish-shefi i saj i kuzhinës, Darren Mc Grady, në një video të publikuar në kanalin në YouTube, ka rrëfyer marrëdhënien speciale që kishte me të duke zbuluar edhe disa të pathëna për të, si për shembull që nuk ia thonte fare për kuzhinë.
Ai ka treguar se princeshës i pëlqente të zbriste në kuzhinë dhe të fliste me të për serialet e preferuara, si dhe të provonte të gatuante vetë ndonjë gjë.
“Gatuaja nga e hëna në të premte për të. Ia lija ushqimet gati edhe për fundjavën. Stafi kujdesej që t’ia ngrohte dhe t’ia shërbente ku ajo dëshironte. Një herë mbaj mend që më tha se donte të gatuante një pjatë makarona, por u përhumb në diskutimet e vazhdueshme me Charles dhe një pjesë e kuzhinës në Buckingham Palace mori flakë, aq sa u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për ta shuar.”-tregon ndër të tjera ai.