Lajme
Konfiskohen gati 9 mijë monedha për dy ditë: A po rikthehen dy eurot false në treg?
Demokracia
14:39 | 25 Maj 2024

Share:

Duket se problemi i dy eurove false po rikthehet ngadal në shoqërinë kosovare. Në momentin kur u besua se problemi i dy eurove false u neutralizua, tashmë janë disa raste kohëve të fundit, të cilat japin sinjale për një rikthim të mundshëm të dy eurove false në tregun e Kosovës. Çka po ndodh?

Vetëm këtë të shtune, në tregun kosovar janë sekuestruar nga ana e Policisë së Kosovës disa mijëra monedha dy euroshe. Në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të problemeve me dy euro false.

Rasti i parë ka ndodhur në një market në Lipjan. Në këtë rast, policia e Kosovës ka konfiskuar hiç më pak se 2362 monedha dy euroshe, që arrijnë vlerën e gati 5 mijë eurove.

“FALSIFIKIM I PARASË

Kam Marketi, Lipjan Data dhe koha e incidentit e panjohur. Raportohet se ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar 2362 monedha në vlerë nga 2 euro të cilat dyshohet që janë të falsifikuara. Parat janë konfiskuar. Rasti nën hetime” – thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Ndërsa rasti i dytë ka ndodhur në qytetin e Vitisë dhe është raportuar nga një zyrtar i një banke. Në këtë qytet, Policia e Kosovës ka konfiskuar 1131 monedha dy euroshe, të cilat dyshohet se janë deponuar në një bankë nga klientë të ndryshëm.

“FALSIFIKIM I PARASË

Viti 24.05.2024 – 12:50. Ankuesi mashkull kosovar zyrtar i një banke ka njoftuar policinë se në bankë nga klientë të ndryshëm në intervalin kohor 28-30.12.2024 janë deponuar 1131 monedha nga 2 € të cilat dyshohet se janë të falsifikuara të cilat janë sekuestruar. Rasti në hetime” – shkruhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Ndërsa dje, Policia e Kosovës njoftoi edhe për një rast të falsifikimit të monedh 2 euroshe në qytetin e Podujevës. Edhe në këtë qytet, monedhat që dyshohet se janë të falsifikuara u deponuan në një bankë.

“FALSIFIKIM I PARASË

Rr. Zahir Pajaziti, Podujevë 23.05.2024. Ankuesi mashkull kosovar, zyrtar i një banke ka njoftuar policinë se në intervalin kohor 01.12.2023 – 12.03.2024 nga klientë të ndryshëm janë deponuar në bankë 886 euro para në monedha nga 2 € dhe kartëmonedha nga 50 € që dyshohet se janë të falsifikuara. Rasti në hetime” – ka shkruar Policia e Kosovës në raportin e tyre 24-orësh.

Pra për dy ditë, Policia e Kosovës ka konfiskuar hiç më pak se 4379 monedha dyshe, që dyshohet se janë falsifikuar. Vlera totale e parave të falsifikuara arrin në 8758 euro.

Sjellim ndër mend që muaj më parë Banka Qendrore e Kosovës e njoftoi publikun për masat dhe aktivitetet e këtij institucioni kundër parave të falsifikuara. Në njoftimin e tyre, BQK theksonte se janë tërhequr nga qarkullimi në treg rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve 2 euroshe.

“Janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh;

Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara;

Është furnizuar ekonomia me afro 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar” – thuhej, ndër të tjera, në njoftimin e BQK-së.

Të ngjashme