Gjithashtu, një falënderim të veçantë patën për Operën e Kosovës, për organizimin e koncertit “Kosova në Tinguj”, enkas për takimin vjetor të EFJ-së. Koncerti u realizua nga Orkestra Harkore e Operës së Kosovës, me dirigjent Edon Ramadanin, soliste: Adelina Paloja (Soprano), Besa Llugiqi (Soprano), Zana Abazi – Ramadani (Soprano) dhe instrumentistë mysafirë: Jon Rrecaj (klarinetë) dhe Gent Hoxha (fyell e çifteli).
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për herë të parë në histori të organizatës, ka qenë nikoqir i European Federation of Journalists – EFJ, në organizimin e takimit vjetor, i cili u mbajt në Prishtinë.
Rreth 100 delegatë nga 45 shtete evropiane, më 23 dhe 24 maj 2024, patën rastin që krahas kuvendit punues e tryezave të diskutimit, të vizitojnë Prishtinën e Prizrenin, e të njihen nga afër me kulturën, e shtetin e Kosovës.
“Për AGK-në, besimi i organizimit të këtij eventi kaq të rëndësishëm nga EFJ, është jashtëzakonisht nder dhe krenari, të cilin nuk do të mund ta realizonim pa ndihmën e institucioneve e organizatave partnere, të cilat nuk hezituan të na mbështesnin”, ka thënë AGK-ja në një komunikatë për media.
AGK-ja ka falënderuar bashkëpunëtorët dhe mbështetësit për këtë ngjarje, të cilët janë: Komuna e Prishtinës, Fakulteti i Arkitekturës Universiteti “Hasan Prishtina”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit, OSCE Mission in Kosovo, UN Kosovo Team, UNDP Kosovo, UN Women Kosovo, Embassy of the Netherlands in Kosovo, Lingua, ASHA, Golden Eagle Energy Drink, Korporata Rugove dhe VALA.