Sport
Barcelona shet një nga yjet e saj për para!
Demokracia
18:00 | 07 Qershor 2023

Share:

Tashmë dihet mirë se Barcelona ka nevojë, në kontekstin mjaft të komplikuar financiar në të cilin ndodhet, të heqë dorë nga disa lojtarë për të sjellë të tjerë. “Operacioni” kryesor, i synuar këtë verë, është ai i rikthimit të Lionel Messit në skuadër.

Kështu, zyrtarët e klubit ‘blaugrana’, pasi kanë diskutuar më parë me trajnerin Xavi Hernandez për këtë temë, vendosën të nxjerrin në shitje disa lojtarë me emër, por që performuan pak në sezonin e përfunduar së fundmi.

Bëhet fjalë kryesisht për Franck Kessie, Ferran Torres dhe Ansu Fati. Dhe, siç qëndrojnë gjërat për momentin, ka shumë gjasa që mesfushori mbrojtës nga Bregu i Fildishtë të jetë i pari që do të largohet nga Barcelona këtë verë, siç raporton ‘as.com’.

Ai duket më ndryshe nga Ferran Torres dhe Ansu Fati, pasi ka rënë dakord të largohet nga kampionët spanjolë, pas një diskutimi që ka pasur me Xavin, në të cilin i është shpjeguar se largimi i tij nuk përcaktohet nga paraqitjet e tij në fund të sezonit, por në situatën financiare të klubit.

Kështu, futbollisti 26-vjeçar afrikan është pajtuar me idenë dhe është gati të largohet nga Barcelona pas vetëm një sezoni. Ai nënshkroi verën e kaluar si lojtar i lirë, pasi u largua nga AC Milan, skuadra me të cilën sapo kishte fituar titullin e Serie A.

Sipas burimit të cituar, tashmë janë tre klube të mëdha të interesuara për shërbimet e tij, Inter, Liverpool dhe Tottenham. Nga këta, për momentin, favorit kryesor duket se është skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp, një teknik që kërkon të “përziejë” mesfushën këtë verë.

“The Reds” janë pranë prezantimit zyrtar të argjentinasit Alexis Mac Allister, kampion bote në Katar, të cilit i kanë paguar klauzolën e ndërprerjes që kishte në Brighton dhe që tashmë ka përfunduar vizitën mjekësore.

Thjesht ai është një mesfushor mjaft sulmues, që dallohet me teknikën e tij, por Klopp ka nevojë gjithashtu edhe për një mesfushor të fortë si Franck Kessie. Për këtë arsye gjermani e do shumë lojtarin e kombëtares së Bregut të Fildishtë.

Gazetarët spanjolë theksojnë se për momentin nuk është bërë asnjë ofertë zyrtare për Kessie, por ka pasur disa kontakte në këtë drejtim. Ata pretendojnë se ky biznes do të kishte shanse shumë të larta për t’u mbyllur në këmbim të një shume prej rreth 35 milionë euro.

Të ngjashme