Lajme
Bandat serbe në veri i rrahin gazetarët, Kurti dhe militantët e tij në jug i ofendojnë, linçojnë dhe bëjnë fushata kundër tyre
Demokracia
15:29 | 17 Qershor 2023

Share:

Prej fundit të muajit maj, kur filloi një fazë e re e tensioneve në veri, gazetarët e mediave kosovare, pa asnjë mbrojtje, i gjen çdo ditë në komunat veriore të Kosovës, atje ku kryeministri Albin Kurti nuk po e merr guximin të shkojë. Kurti, i cili për gati 3 vite si kryeministër, ka arritur të përurojë vetëm urën 12 metërshe në Saradran të Istogut, nuk po arrin t’i përballojë kritikat e mediave dhe opinionistëve për dështimin e tij në qeverisje, prandaj ka zgjedhur rrugën e fushatave të rrezikshme të sulmit, linçimit, njollosjes dhe etiketimit të tyre.

Organizatat ndërkombëtare kanë alarmuar për ambientin gjithnjë e më armiqësor për gazetarët në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Statistikat e fundit të publikuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) për dhunën që është ushtruar kundër gazetarëve gjatë këtyre tri javëve të fundit në katër komunat e veriut të Kosovës, janë tronditëse.

Gjatë kësaj periudhe kohore, në “AGK janë regjistruar 30 raste të sulmeve kundër gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe mediave që kanë përcjellur zhvillimet nga komunat veriore të vendit”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë në rrjetin social të këtij asociacioni.

Lexo më shumë:

Në mes të këtij rreziku të madh, mediat shqiptare, kanë qenë zë i fuqishëm i paraqitjes reale të situatës së tensionuar në këto katër komuna, ku Qeveria e Kosovës ka këmbëngulur të vendosë në zyret e objekteve komunale katër kryetarët e zgjedhur më 23 prill 2023, në një proces zgjedhor të bojkotuar nga serbët e këtyre komunave.

Por, institucionet kosovare kanë dështuar deri më tani që atyre t’u ofrojnë siguri për të raportuar nga kjo zonë.

Pavarësisht rrezikut të madh dhe pa asnjë mbrojtje, gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave, kanë rrezikuar dhe vazhdojnë ta rrezikojnë jetën e tyre për ta mbajtur publikun të informuar për zhvillimet atje.

Ambienti i punës për mediat në Kosovë po vështirësohet çdo ditë e më shumë. Kjo nuk po ndodhë vetëm në veriun e Kosovës, atje ku kanë pushtet bandat kriminale serbe, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me Beogradin zyrtar. Por, këtij ambienti kaq të pafavorshëm për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, po i kontribuon më të madhe edhe Qeveria e Kosovës dhe subjekti politik që qeverisë me Kosovën, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe personalisht kryeministri Albin Kurti.

Nuk janë të rralla rastet kur Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvivizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është kyçur drejtpërdrejtë në fushatën linçuese kundër medieve dhe gazetarëve kritikë ndaj pushtetit të tij.

Në dy dekada të lirisë së Kosovës, nuk ka ndodhur kurrë që një Kryeministër i Kosovës të bëjë deklarata kaq të rënda për mediat kosovare. Gjuha përgjithësuese e kryeministrit Kurti, pa përmendur ndonjë emër të veçantë, ka për qëllim që t’i shmanget ndonjë padie eventuale për shpifje dhe të krijojë përshtypjen tek militantët e tij se çdo media kritike ndaj tij është e tillë.

Pikërisht në ditën kur në veriun e Kosovës ishte tensionuar situata për çështjen e targave, kryeministri Kurti në një videomesazh të tij kishte lënë të kuptohet se ka medie në Kosovë që me vetëdije po i shërbejnë Beogradit.

“Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre”, deklaronte Kurti.

Video e publikuar në kanalin zyrtar të kryeministrit Kurti në Facebook:

Kjo nuk ishte një gjuhë e rastësishme. Ai e vazhdoi këtë edhe në shumë raste të tjera, shkruan Demokracia.com.

Lexo më shumë:

E pritshme: Kurti sulmon mediat, aludon se disa prej tyre janë argat të Beogradit

Kryeministri Kurti jo vetëm për situatën në veriun e Kosovës shpikte armiq në mediat e Kosovës. Ai edhe në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kur mediat po kritikonin më të madhe shtrenjtimin e jetës në Kosovë dhe pazotësinë e Kurtit për të përmbushur premtimet e tij për “shporta familjare më të rënda për nga pesha e produkteve dhe më të lirë për nga çmimi”.

“Jemi dëshmitarë që ka investime në keqinformim dhe në përçarje e çoroditje të opinonit publik, ka edhe njerëz dhe ndonjë kanal medial në Kosovë që interesim medial e ka që të besohet më shumë lajmi me origjinë nga Beogradi sesa lajmi me origjinë nga Prishtina. Pavarësisht se ne po japim shembull për korrektësi dhe vërtetësi, nga Beogradi vijnë lajme të rrjeshme”, deklaronte Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës në një ditë të veçantë për Kosovën.

Fjalimi i plotë i publikuar në Kanal10:

Këtë deklaratë të rëndë, kryeministri Kurti e bëri në prezencë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, burri i së cilës, Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, në jo pak raste nuk ka zgjedhur gjuhën për të sulmuar mediat, duke i quajtur ato ndërmarrje të përbashkëta kriminale.

Lexo më shumë:

SKANDALOZE: Prindon Sadriu i quan mediat ‘Ndërmarrje të Përbashkëta kriminale’

Kjo gjuhë e rëndë e zyrtarëve qeveritarë është pasqyruar edhe në raportet ndërkombëtare, të cilat flasin për cenimin e hapur nga pushteti të fjalës së lirë në Kosovë.

Edhe Human Right Watch (HRW) në raportin për vitin 2022 thekson se gjuha e Zotëriut të Parë, Prindon Sadriut, dhe shefit të kabinetit të kryeministrit Kurtit, Luan Dalipit, krijuan një ambient armiqësor për gazetarët në Kosovë.

Lexo më shumë:

AGK: Shqetësuese raporti i HRW, gjuha e Prindon Sadriut e Luan Dalipit krijuan ambient armiqësor për gazetarët

Mjaftojnë deklaratat e kryeministrit Kurti dhe të zyrtarëve tjerë shtetërorë, që pastaj militantët e partisë së tij, që kanë një telefon në dorë, të fillojnë fushatën e tyre linçuese kundër gazetarëve, opinionistëve e mediave të caktuara.

Ndaj të gjithë atyre, gjuha linçuese është e njëjtë dhe është në vijë me atë që e thotë vetë kryeministri Albin Kurti.

Të gjithë kritikët e Kurtit dhe të VV-së zakonisht quhen si “të paguar nga Serbia”, “Agjentë të Serbisë”, “Gazetarë të Serbisë”, “Analistë të Serbisë”. Pra, atë që e thotë Kurti me gjuhë përgjithësuese e vazhdojnë me emra të përveçëm militantët e tij.

Kësaj gjuhe kaq të egër të militantëve të partisë së Kurtit, nuk i ka shpëtuar as gazetarja nga Prishtina, Dafina Demaku, e cila është vajza e Vesel Demakut, dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një kanal në Tik Tok të emërtuar si Qeveria Kurti 2, nuk po shpërndahen vetëm deklaratat e kryeministrit Kurti, si shenjë mbështetjeje për të. Por, në këtë kanal ishte zhvilluar edhe një fushatë e rrezikshme kundër gazetares Demaku, e cila shquhet për kritikat e saj ndaj keqqeverisjes së kryeministrit Albin Kurti.

Çmenduria e mbështetësve të Kurtit ka shkuar deri aty sa vajzën e dëshmorit të UÇK-së ta bënin si agjente e dyshuar serbe dhe që kinse paguhej nga Serbia.

Lexo më shumë:

U përkeqësohet gjendja militantëve të Kurtit | Vajzën e dëshmorit të UÇK-së e bëjnë gazetare bashkëpunëtore të UDB-së

Kjo fushatë linçuese në rrjete sociale (Facebook, Tik Tok) zhvillohet nga mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo mund të vërtetohet fare lehtë, duke kontrolluar profilet e shpërndarësve të këtyre gënjeshtrave, fotomontazheve dhe videomontazheve. Çuditërisht, të githë këta dalin se janë mbështetës të Kurtit dhe VV-së, duke shpërndarë rregullisht propagandën e tyre.

Edhe pas tri vitesh në pushtet, as kryeministri Albin Kurti dhe askush nga partia e tij, deri më sot, nuk kanë bërë thirrje që të ndalen fushatat e tilla denigruese dhe linçuese nga militantët e tyre.

Lexo më shumë:

Kurti nuk e dënon fushatën e militantëve të tij kundër gazetarëve

Rasti më i fundit i një fushate linçuese që nxitej nga kryeministri Kurti, ishte edhe ajo e aktivistëve të Vetëvendosjes, duke shkruajtur në Facebook se Serbia e dërgoi gazetaren e Nacionales në konferencën e kryeministrit Kurti, vetëm se ajo e kishte shfrytëzuar mundësinë për të bërë një pyetje ashtu siç bëjnë gazetarët në çdo vend demokratik.

Lexo më shumë:

E ulët: Aktivisti i VV-së thotë që Serbia e dërgoi gazetaren e Nacionales në konferencë te kryeministri Kurti

Kjo gjuhë e rëndë e aktivistit të Vetëvendosjes, i parapriu një gjuhë akuzuese dhe plotë nervozizëm të kryeministrit Kurti kundër gazetares, e cila vetëm kishte pyetur nëse mund të merrej parasysh shkëmbimi i 3 policëve të arrestuar të Kosovës me një serb të arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë farë shkëmbimi. Nuk po e kuptoj pse keni nevojë ta thoni?  Shkëmbimi mund ta kërkonte Beogradi, por mos e përfaqësoni atë. Jeni qytetarë të Republikës së Kosovës, jeni gazetarë të këtij vendi. Nuk keni nevojë të paraqitni një kërkesë të Beogradit karshi Republikës demokratike të Kosovës. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur? Kush e ka kërkuar atë? Ne jemi vend demokratik edhe i lirë. Kosova është vendi me lirinë më të madhe të mediave në rajon. Kur flisni ju kisha sugjeruar, mos flisni në emër të Beogradit zyrtar duke imagjinuar kërkesat e mundshme të tyre më vonë sepse nuk i kontribuoni as lirisë së mediave dhe as sigurisë në vend”, u shpreh plotë nervozizëm e paragjykim kryeministri Kurti.

Video e plotë e momentit:

Lista e deklaratave sulmuese dhe akuzuese të kryeministrit Kurti kundër mediave është e gjatë dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.

Përmes kësaj fushate të rrezikshme, Kurti dhe partia e tij po synojnë ta bëjnë të parëndësishëm zërin e mediave, të cilat vazhdojnë ta kritikojnë për dështimin e tij në të gjitha dikasteret qeveritare.

Kurti, për gati 3 vite si kryeministër, ka arritur të përurojë një urë 12 metërshe në Saradran të Istogut.

Sulmi, linçimi, njollosja dhe etiketimi i gazetarëve si agjentë të Serbisë apo që i shërbejnë Serbisë, është vetëm një prej mënyrave të Kurtit dhe Vetëvendosjes për ta errësuar të vërtetën e keqqeverisjes në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme