Lajme
“Asnjë veprim hiç”: Si e përgatiste Konjufca ligjërimin për sulm ndaj Blerim Isufajt?
Demokracia
09:41 | 22 Prill 2023

Share:

Lëvizja Vetëvendosje përpara një dite ka shpërndarë një pjesë të intervistës së kryekuvendarit, Glauk Konjufcës, dhënë në dhjetor të vitit të kaluar, ku ai sulmonte kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn.

Konjufca në këtë intervistë po përgatiste ligjërimin kundër kandidatit kryesor për kryeprokuror. Ai e akuzonte Isufajn për mos-veprim kundrejt bandave kriminale veri, shkruan Demokracia.com.

“Njeriu kryesor i sistemit të drejtësisë, njeriu kryesor, prej muajit shtator të vitit të kalum e ka dosjen e plotë të bandave kriminale të veriut. Asnjë veprim hiç, asnjë veprim, asnjë milimetër hiç. Njeriu kryesor i drejtësisë. Ai që po don me kanë në krye të drejtësisë. Prej shtatorit të vitit të kaluar, një vit e tre muaj, 15 muaj, e ka në tavolinë dosjen voluminoze me krejt emrat, me krejt fotografitë, me krejt incizimet e personave të cilët janë kryesorët të cilët e bëjnë organizimin e krimit në pjesën e veriut të Kosovës”, deklaronte kryekuvendari.

Megjithatë, ndryshe nga bashkëpartiakët e tij që e lidhën arrestimin e kryeshefit të KEK-ut me “hakmarrje” të Isufajt, Konjufca zbuti ligjërimin. Ai nuk shtoi shumë, veçse tha se drejtësia nuk duhet të jetë selektive.

“Për çka do që ka fakte dhe argumente drejtësi unë mendoj se duhet të veproj. Nuk kam koment të tjera në këtë drejtim. Vërejtja e njerëzve është se duhet të veprojë në mënyrë jo selektive, duhet të veproj për të gjithë”, deklaroi ai së fundmi.

Ligjërimi, të cilin siç duket Konjufca e përgatiste nga dhjetori i vitit të kaluar, veçse u forcua pas arrestimit të Krasniqit. Ishte vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se nuk do ta lejojë kurrë emërimin e Isufajt për kryeprokuror.

“Nagip Krasniqi është në burg. Dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe ai me siguri e sheh në TV këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në Kuvend për njerëzit që janë në burg. Le t’i jepet fjala drejtësisë, le të shohim procedurat normale profesionale, mirëpo emri kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasoja. Nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen e bëri vetëvrasje, e vetëvrasjen vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të Presidentes, krye parlamentarit, kryeministrit duan me patjetër të bëhen kryeprokuror, por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo sepse jam unë, jo sepse jeni ju. Në këtë shtet ka Republikë edhe popull”, deklaroi Kurti nga Kuvendi përgjatë së enjtes.

Sulm direkt drejt Isufajt bëri edhe “masha e Kurtit”, Dejona Mihali. Ajo tentoi ta denigronte figurën e kandidatin për kryeprokuror, duke e akuzuar atë për rastin e Milan Radoiçiqit.

“Pse do të thoni ju? Kur ja heq një herë në jetë fletëarrestin kryekriminelit Millan Radojciq çka mendoni ju se mund të bëj tjetër një prokuror si Blerim Isufaj përveçse të zhytet edhe më thellë në ujra të zeza”, shkruante ndër të tjera ajo.

Reagime të orkestruara të këtij lloji ka pasur edhe nga ana e deputetëve të VV-së, menjëherë pas arrestimit të Krasniqit. /Demokracia.com/

Të ngjashme