Lajme
“Askush nuk dëshiron të punojë me të” – Pasi ia lanë punën 12 këshilltarë e 2 shefa kabineti, Rozeta Hajdari emëron shoferin këshilltar politik
Demokracia
12:35 | 10 Tetor 2023

Share:

Aq mirë duhet ta ketë vozitur veturën Drilon Zyba, saqë ministrja Rozeta Hajdari e pa të arsyeshme që nga pozita e shoferit të saj personal ta gradojë në pozitën e këshilltarit politik.

Ky drift ministror u bë me 18 gusht të këtij viti.

Se çfarë ndërlidhje ka mes aftësive në vozitje me atë të këshillimit për politika këtë e di ministrja Hajdari.

Për kapërcimin në pozita të Drilonit mund të ketë ndihmuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sali Zyba, meqë Drilonin e ka nip.

Nuk mbaron me kaq.

Këshilltare politike është emëruar edhe Zyrafete Shala, që dikur ishte asistente administrative e Hajdarit e angazhuar për të kontrolluar agjendën e ministres. Tash edhe ajo jep këshilla.

Por, krejt këto emërime të personave pa përvojë kanë një arsye.

Rozeta Hajdarit që nga marrja e mandatit i kanë ikur plotë 12 këshilltarë, duke ia lënë punën.

Hajdari kishte mbetur vetëm me tre këshilltarë e të tjerë s’pranonin të punonin me të, prandaj iu desh ta plotësojë numrin me shofer e asistente.

Askush nuk po arrinte ta kalonte më shumë se 1 vit në kabinetin e saj. Madje ka raste që as tre muaj nuk kanë punuar.

Albanian Post ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike të gjitha emërimet e këshilltarëve politik në kabinetin e Rozeta Hajdarit. Qasja u mundësua tek pas dy muajsh dhe pas shumë ankesave në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Jo veç këshilltarët, gjatë këtyre viteve qeverisje Hajdarit ia kanë lënë punën edhe dy shefe të kabinetit – Leman Hatashi dhe Arjeta Latifi.

Në total punën në kabinetin e Hajdarin e kanë lënë 12 këshilltarë, 2 shoferë e 3 asistente.

Nga dy ish-bashkëpunëtorë të Rozeta Hajdarit me të cilët ka biseduar Albanian Post, në kushte anonimiteti kanë pranuar se arsyeja e secilit të larguar ka qenë e njëjtë – “sjellja skandaloze e ministres”.

Edhe njëri nga të dorëhequrit politik të Rozeta Hajdarit ka konfirmuar në kushte anonimiteti për AP se sjellja e ministres ka çuar në dorëheqjen e gjithë këtyre këshilltarëve.

Ai e përshkruan Hajdarin si “person skandaloz, që nuk ka ide se si drejtohet një ministri”.

“Ministrja gjen kohë t’i shkruajë sekretarit që disa zyrtarë nuk po e respektojnë kodin e veshjes. Qëndron në ministri deri në ora 2 të natës pa ndonjë arsye e motiv. I keqtrajton shoferët dhe sigurimin e ministrisë. Disa shoferë ia kanë lënë punën, sepse askush nuk arrin t’i kuptojë kërkesat e saj shumë absurde. Askush nuk i duket që dinë diçka dhe asgjë nuk i bie tamam”, thotë ish-bashkëpunëtori i Hajdarit për Albanian Post.

“Shumë raste, kryesisht gratë, i ka detyruar të qajnë duke i qortuar si të ishin nxënëse. I thërret stafin civil në kabinet dhe i ofendon, i bullizon. Asnjë këshilltar apo zyrtar sipas saj nuk dinë gjë, vetëm ajo është më e mençura”, rrëfen bashkëpunëtori i dikurshëm i Hajdarit, që nuk ka pranuar t’i përmendej emri.

Ai e kujton edhe një rast skandaloz të Hajdarit, kur kishte dështuar në investimet kapitale.

“Kaluan 6 muaj të vitit dhe vetëm 20 për qind të investimeve kapitale ishin shpenzuar. Buxheti ishte drejt dështimit. Ministrja thirri një mbledhje të gjithë drejtorët e ministrisë. Nisi t’i ofendonte, t’i bullizonte që nuk po punonin, përkundër që shumë çështje nuk vareshin nga ta, por nga ministrja. Kushdo që fliste e nuk i pëlqente çka thoshte e nxirrte jashtë duke e ofenduar. Një moment njëri nga drejtorët ka kërkuar ndihmë në emergjencë, sepse iu keqësua gjendja dhe nisi t’i shtrëngohej gjoksi”, ka treguar njëri nga ish këshilltarët e Hajdarit.

Në dokumentet që i ka siguruar AP përmes qasjes në dokumente publike, shihet se shumica e atyre që kanë dhënë dorëheqje kanë shkruar e-mail, duke e njoftuar se nuk do të jenë më pjesë e kabinetit të saj.

Sipas atyre me të cilët ka biseduar AP në kushte anonimiteti, të gjithë të dorëhequrit kanë të vetmin motiv sjelljen skandaloze të Rozeta Hajdarit me të gjithë bashkëpunëtorët, por edhe me stafin civil.

“I kemi njoftuar edhe organet drejtuese të Vetëvendosjes edhe kryeministrin Albin Kurti, por asnjë veprim s’e ka ndërmarr. Ka mbetur me shoferë e asistente, sepse askush nuk bashkëpunon më me të”, thotë ish-këshilltari i Rozeta Hajdarit.

Nga kabineti i ministres nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Albanian Post për t’i ballafaquar këto pretendime.

Të larguarit nga Hajdari

Leman Hatashi, shefe e kabinetit kishte nisur punën më 1 prill 2021 për të dhënë dorëheqje më 1 nëntor po të njëjtit vit. As një vit punë nuk kishte arritur t’i bënte Hatashi me Hajdarin.

Ermira Gashi ishte emëruar më 20 prill 2021 për të dhënë dorëheqje më 1 mars 2022.

Enis Sulejmanoviç ishte emëruar në pozitën e këshilltarit më 30 prill 2021 për t’u dorëhequr me 12 gusht po të njëjtit vit.

Emil Radonqiç ishte emëruar këshilltar më 11 gusht 2021, ndërsa kishte dhënë dorëheqje më 1 prill 2022.

Blerona Shala ishte emëruar më 6 shtator 2021, ndërsa kishte dhënë dorëheqje më 3 maj 2023.

Këshilltar i Hajdarit kishte qenë edhe Alban Fetahu, diçka që Vetëvendosje e ka mohuar në vazhdimësi.

Fetahu ishte votuar nga bordi i Radiotelevizionit të Kosovës në pozitën e udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta në RTK me propozim të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Fetahu kishte qenë këshilltar i Rozeta Hajdarit nga 24 shtator i vitit 2021 deri më 1 maj 2022.

Bazuar në dokumente, Fetahu ka mbajtur pozitën e këshilltarit të Rozeta Hajdarit më shumë se 7 muaj, ndërsa kur bordi i RTK-së vendosi ta shpërblente me pozitë, VV mohoi se ka qenë këshilltar politik.

Kujtojmë se një pozitë të tillë në RTK nuk mund ta marrësh nëse në dy vitet e fundit ke qenë i ekspozuar politikisht.

Uliks Spaqi ishte emëruar këshilltar më 2 dhjetor 2021 për të dhënë dorëheqje më 2 dhjetor 2022.

Arjeta Latifi ishte emëruar shefe e kabinetit më 24 janar 2022 dhe kishte dhënë dorëheqje më 28 shkurt 2023.

Bekim Murati ishte emëruar këshilltar më 7 mars 2022 dhe kishte dhënë dorëheqje 1 qershor 2022. Murati është edhe këshilltari që më së paku qëndroi në kabinetin e Hajdarit, pa i bërë 3 muaj dha dorëheqje.

Arsim Shala ishte emëruar këshilltar i Hajdarit më 08 gusht 2022, ndërsa dorëheqjen e kishte dhënë më 24 shkurt 2023.

Shkumbin Gërguri ishte emëruar më 29 dhjetor 2022 dhe kishte dhënë dorëheqje më 1 korrik 2023.

Dhe i fundit që ia ka lënë punën Hajdarit është Ejup Gojnovci, këshilltar për media. Ai qëndroi në kabinetin e Hajdarit nga 10 marsi i vitit 2023 deri më 13 korrik të po të njëjtit vit.

Po ashtu burime të AP kanë treguar se edhe Getoar Mjeku, që ishte zëvendësministër i Hajdarit kishte kërkuar nga Kurti që t’ia ndërronte dikasterin për arsye se nuk po gjente gjuhë të bashkëpunimit.

Të ngjashme