Sport
Ancelotti junior i zbulon prapaskenat tek Real Madridi
Demokracia
15:14 | 27 Maj 2024

Share:

Davide Ancelotti, asistent trajner i Real Madridit, e ka dhënë një intervistë për “Sky Sport”, ku ka folur për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Borussia Dortmundit.

I biri i trajnerit Carlo Ancelotti mezi po e pret ndeshjen e 1 qershorit në stadiumin “Wembley” të Londrës, ku “Los Blancos” do ta kërkojnë trofeun e 15-të të Championsit.

“Ne po e përgatisim lojën si të ishte një ndeshje si të tjerat, së paku në aspektin taktik. Më pas, është e qartë se çfarë ndjenja të mira janë kur luan në një finale të Championsit. Është një privilegj për ne, por duke i përgatitur ndeshjet normale të heq pak nga presioni”, deklaroi Ancelotti junior.

Ai foli edhe për zëvendësimin e famshëm në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kur në fushë u fut sulmuesi Joselu, i cili e vendosi lojën me dy gola të shënuar.

“Historia e ndërrimit të Joselut nuk e përmban asnjë sekret. Është një gjë që e kemi menduar së bashku me pjesën tjetër të stafit, siç bëjmë gjithmonë. Ishte një zëvendësim tashmë i përgatitur, thjesht jam zgjuar dhe kam thënë se ishte momenti për t’u futur në lojë”, vazhdoi Davide Ancelotti.

Ai tutje tregon se i drejton vetë stërvitjet e Real Madridit.

“Babai im iu jep urdhra dhe detyra stafit të tij, ka ndryshuar me kalimin e viteve dhe tash është më shumë një vëzhgues që merret me raportet me lojtarët. Në stërvitje, unë dhe stafi punojmë shumë në aspektin taktik, më pas është e qartë se babai im i merr vendimet finale. Taktikisht, këtë vit jemi munduar t’ia jepnim një pozicion në fushë Bellinghamit: fillimisht ka nisur si një numër 10 në ‘piramidë’, e më pas ka përfunduar si lojtar anësor në 4-4-2. Është e qartë se edhe liria e lojtarëve në fushë iu krijon vështirësi kundërshtarëve”, përfundoi Ancelotti junior, i cili është pjesë e pandashme e stafit të trajnerit legjendar italian. /Gazeta Express/

Të ngjashme