OpEd
Amerika dhe Rusia i kthehen diplomacisë tradicionale të fuqive të madha
Demokracia
13:03 | 17 Qershor 2021

Share:

Fitimet e vetme konkrete të Joe Biden dhe Vladimir Putin nga samiti i tyre ishin të vogla – por të qëndrueshme, shkruan “The Economist” në një analizë të takimit që u mbajt dje në Gjenevë.

Joe Biden ishte 12 vjeç në 1955 kur Dwight Eisenhower u ul në Gjenevë me Nikita Hrushovin për samitin e parë dypalësh midis udhëheqësve të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Presidenti aktual amerikan ishte një senator 42-vjeçar kur Ronald Reagan u ul me Mikhail Gorbachev duke bërë atë që doli të ishte hapi i parë drejt përfundimit të luftës së ftohtë.

Më 16 qershor ishte radha e Biden të takohej me udhëheqësin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili ka minuar shumë nga arritjet e botës pas Luftës së Ftohtë dhe ka ringjallur disa nga praktikat më të këqija sovjetike. Por megjithëse vendndodhja ishte e njëjtë, konteksti ishte i ndryshëm. Ky nuk ishte një samit midis dy superfuqive që mbanin fatin e botës në duart e tyre. As nuk ishte një përpjekje për të pasur një rinisje të marrëdhënieve, siç u përpoq Barack Obama.

Qëllimi i takimit ishte të menaxhonte një konfrontim të vazhdueshëm duke caktuar vijat e kuqe, duke sqaruar rregullat e angazhimit dhe duke matur dobësitë e njëri-tjetrit. Marrëveshjet e vetme konkrete ishin fillimi i një raundi të ri bisedimesh bërthamore si dhe kthimi i ambasadorëve në postet e tyre. Të dyja këto janë fitore të vogla, por solide. Ky kthim në diplomaci solli ndjenjë lehtësimi që tregon se sa të vështira janë marrëdhëniet mes dy vendeve, prej kur Rusia aneksoi Krimenë dhe nxiti konfliktin e armatosur në Ukrainë më 2014.

Samiti ishte edhe largim nga psikodrama e marrëdhënies së Donald Trump me Putin. Diplomatët amerikanë edhe sot i kapin të dridhurat kur kujtojnë konferencën për shtyp në Helsinki në të cilën Trump tha se nuk kishte asnjë arsye për të mos i besuar Putinit. Këtë herë nuk kishte konferencë të përbashkët për shtyp. Por pasi u takuan për më pak se katër orë në një vilë të shekullit të 18-të, Putin dhe Biden i kuptuan qëndrimet e njëri-tjetrit: sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës vitale nuk lejohen, mosmarrëveshjet rreth Ukrainës dhe Bjellorusisë nuk duhet të zgjidhen me mjete ushtarake; vrasja e Alexei Navalny, udhëheqësi i burgosur i opozitës, do të sillte pasoja të rënda por, për keqardhje, abuzimet e të drejtave të njeriut duhet të trajtohen veçmas nga siguria. Në gjuhën e Luftës së Ftohtë, kishte më shumë se vetëm aludime për paqe e qetësi.

Z. Biden ka projektuar marrëdhëniet me nocione të mëdha, si një garë midis demokracisë dhe autokracisë, e përfaqësuar këtë javë nga Rusia, edhe pse kryesisht nga Kina. Ai e vendosi takimin e tij me Putin në kontekstin e unitetit të ripërtërirë brenda G7 dhe NATO. Stili dhe retorika e tij kishin për qëllim të theksonin se sa i ndryshëm është ai nga Trump. Mantra e tij është “të rivendosë parashikueshmërinë dhe stabilitetin” në marrëdhëniet e Amerikës me Rusinë, për të krijuar një bazë për marrëdhëniet që të jenë të meaxhueshme, edhe nëse janë plot kundërshti, pra jo si ato që ishin me Bashkimin Sovjetik.

Problemi është se njeriu që u ul përballë tij në Gjenevë nuk ishte një udhëheqës i stilit sovjetik i definuar nga ideologjia, hierarkia e partisë dhe, më e rëndësishmja, përvoja e fitores së përbashkët në Luftën e Dytë Botërore.

Përkundrazi, ai është një produkt i kolapsit sovjetik. Ai kryeson një regjim kleptokratik të dominuar nga shërbimet e dhunshme të sigurisë. Është një regjim që më shumë kujdeset për pasurinë sesa ideologjinë dhe është i preokupuar me mbijetesën e vet e jo me një garë globale me Amerikën, e lëre më me interesat e popullit rus. Regjim që lulëzon nga mungesa e rendit, që ka pushtuar vendet fqinje, që ka helmuar kundërshtarët e vet dhe ka zhvilluar luftë kibernetike dhe informative kundër Perëndimit. Putin flet për rivendosjen e madhështisë së Rusisë ndërsa lejon miqtë e tij të plaçkisin resurset e saj.

Rreziku është që retorika e ashpër e Biden do të jetë zëvendësim i veprimeve të ashpra, e jo pararendëse e tyre. Zanafilla e samitit në këtë drejtim mund të jetë më ilustruese sesa rezultati i tij.

Në mars, dy muaj pas inaugurimit të tij, që përkoi me kthimin në Rusi dhe burgosjen e Navalnyt, Biden e quajti Putinin një vrasës. Putin me buzëqeshje të ftohtë i uroi Bidenit shëndet dhe sugjeroi që ata të takoheshin dhe të debatonin në televizion. Zyra e Biden u përgjigj se Presidenti kishte gjëra më të mençura për të bërë atë fundjavë.

Disa javë më vonë, Putini mblodhi një ushtri të madhe në kufirin lindor të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, përdori tërë peshën e aparatit të tij të brendshëm të sigurisë për të shtypur lëvizjen e opozitarit Navalny dhe për të pastruar politikën ruse nga disidenca. Disa disidentë u larguan nga vendi. Putin ngufati mediat e pavarura të mbetura duke i etiketuar si “agjentë të huaj” dhe duke trembur kështu sponsorët. Për t’i dërguar mesazh Uashingtonit, agjentët rus hakuan sistemet e think-tankeve dhe organizatave për të drejtat e njeriut dhe think-tank në Amerikë.

Thirrjet për luftë në Ukrainë tërhoqën vëmendjen e Presidentit Biden; dhe ai sugjeroi një samit. Ekipi i tij shpresonte që një lëshimi ndaj Putinit do ta bënte atë të shkaktojë më pak telashe. Ndërkohë, ata shpresuan të projektojnë një shembull të ri të vitalitetit demokratik dhe lidershipit global.

Biden më pas i dha Putinit një fitore tjetër, këtë herë duke vepruar kundër rekomandimeve të këshilltarëve të tij, duke hequr dorë nga sanksionet kundër njërës nga firmat prapa gazsjellësit “Nord Stream 2” që Rusia po ndërton nën Detin Baltik për në Gjermani, duke anashkaluar Poloninë dhe Ukrainën. Biden e nënkuptonte këtë si një koncesion jo për Rusinë, por për Gjermaninë, dhe për realitetin (tubacioni është 90% i kompletuar). Megjithatë Putin dhe Volodymyr Zelensky, Presidenti i Ukrainës, të cilët mësuan për vendimin e Amerikës nga mediat, e konsideruan atë një fitore të madhe për Rusinë.

Putin ka sinjalizuar se edhe ai është i interesuar një marrëdhënie “të parashikueshme dhe të qëndrueshme” – që sipas tij do të thotë që Amerika duhet të qëndrojë – në mënyrë të parashikueshme – larg çështjeve të Rusisë dhe fqinjësisë së saj. Me shpresën për të tërhequr linjat e tij të kuqe, ai parapriu samitin duke nxjerrë jashtë ligjit lëvizjen e Navalnyt si “ekstremiste”, duke kërcënuar për të asgjësuar Ukrainën nëse NATO do të lëvizte më pranë dhe duke mbështetur Alexander Lukashenkon, diktatorin Bjellorus, i cili muajin e kaluar rrëmbeu një aeroplan të Ryanair për të arrestuar një gazetar.

Nëse Biden duhet të qetësojë tensionet me Rusinë në mënyrë që të përqendrohet në një garë më të ngutshme me Kinën, Putin ka nevojë për një qetësim të tensioneve me Amerikën në mënyrë që të mund të përqendrohet në biznesin urgjent të shtypjes së kundërshtive dhe rindërtimit të perandorisë së tij.

“Vitet e fundit Kremlini duket se ka arritur në përfundimin se nuk mund të luftojë njëkohësisht të eleminojë rreziqet për sundimit të tij brenda në vend e në të njëjtën kohë të luftojë kundër Perëndimit me një kosto ekonomike gjithnjë në rritje,” thotë Andrei Kortunov, kreu i think-tankut “Russian International Affairs Council”.

Derisa Biden, ashtu si edhe Obama para tij, e sheh Rusinë si një shpërqendrim, Putin e sheh Amerikën dhe vlerat e saj si një kërcënim ekzistencial.

“Nëse Putini do të përmbushte dëshirat e Biden, të lirojë të gjithë të burgosurit politikë, të tërhiqet nga Krimea dhe Donbas, [dhe] t’i bëjë lëshime Perëndimit në pikat e tjera kryesore, kjo do të rezultonte me kolapsin e regjimit”, thotë Dmitri Trenin, drejtori i “Carnegie Moscow Center”. Në konferencën e tij për shtyp, Putin u përpoq të justifikonte shtypjen e tij duke i quajtur kundërshtarët e tij politikë agjentë amerikanë dhe duke folur për padrejtësitë e vet Amerikës.

Tani për tani të paktën, duket se loja e Putinit ka pasur sukses. Përparimi në marrëveshjet bërthamore dhe kthimi i ambasadorëve i japin pamjen e legjitimitet një regjimi mashtrues që është i përgatitur të sakrifikojë jetët për të mbrojtur pasurinë dhe fuqinë e tij. Mbetet të shihet nëse samiti do ta bëjë regjimin e Putinit më pak të rrezikshëm. Fiona Hill, e cili shërbeu në Këshillin e Sigurimit Kombëtar nën Presidentin Trump, argumenton se kleptokracia e Putinit është bërë një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e qeverive perëndimore, së bashku me sulmet kibernetike. “Ne duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të qëndrojmë të palëvizshëm edhe me vepra, jo ​​vetëm me fjalë. Përndryshe ne thjesht po e ftojmë Rusinë të na hyjë brenda”.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024