Sport
Agim Ademi takoi përfaqësues të klubeve dhe veteranë të futbollit, diskutohen pengesat për vërtetimet e sponsorizimit
Demokracia
17:17 | 26 Shtator 2023

Share:

Presidenti Agim Ademi ka pritur sot në selinë e FFK-së përfaqësues te klubeve dhe veteranë të futbollit. Gjatë këtij takimi i pari i FFK-së i njoftoi ata për gjendjen e futbollit, për të arriturat si dhe për projektet dhe programin e FFK-së për të ardhmen.

Me këtë rast veteranët e futbollit dhe përfaqësuesit e klubeve bënë pyetje të shumta dhe lëvdata e falënderime për punën dhe programin e FFK-së, derisa ndër pyetjet kryesore ishin pengesat e Komisionit ministror për vërtetimet e sponsorizimit.

Ata paraqitën shumë vërejtje për pengesat që po u bëhen klubeve për këto vërtetime, përkundër licencimit të klubeve të tyre, e gjithashtu edhe për sektorin e OJQ-ve, që po i maltreton klubet për regjistrim.

Presidenti Ademi tha se shqetësimet e klubeve janë edhe brengë e FFK-së, ku padrejtësisht dhe qëllimisht po bëhen pengesa të vërtetimit të sponsorizimit. Ai bëri me dije se këtë çështje e ka ngritur deri në zyrën e ministrit dhe sigurisht që shumë shpejt do të zhbllokohet kjo çështje nga njerëz që mundohen t’i japin rëndësi vetes, duke keqpërdorur pozitat shtetërore.

Sipas kreut të FFK-së është e drejtë e sponsorëve që të mbështesin këdo që dëshirojnë dhe këtë nuk mund t’ua ndalojë askush. Ai ka konfirmuar edhe një herë se FFK do t’u qëndrojë afër dhe do t’i ndihmojë klubet me të gjitha mundësitë e saj financiare në mënyrë që garat të zhvillohen në mënyrë të rregullt.

I pari i FFK-së ka thënë se futbolli dhe njerëzit e futbollit nuk mund t’i ndalë askush me këso veprime. Ai në fund ka falënderuar klubet dhe udhëheqësit e tyre për mbështetjen në organizim e qëndrueshmëri.

Të ngjashme