Lajme
Kurti pjesë e defaktorizimit të shqiptarëve në RMV | Edhe zyrtarisht VMRO-DPMNE kërkon koalicion me opozitën humbëse që mbështetet nga Kurti
Demokracia
19:43 | 28 Prill 2024

Share:

Nuk është më sekret se partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE e lidhur fortë me Rusinë dhe e ndihmuar nga Vuçiqi, nuk e pranon në koalicion qeverisës koalicionin me mbështetje të fuqishme në popullatën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimin Demokratik të Ali Ahmetit.

Kryetari i partisë opozitare maqedonase, Hristjan Mickoski, që sipas të gjitha sondazheve do të dalë parti fituese në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ka paralajmëruar se nuk do të vlejë rruga “fituesi [në radhët maqedonase] me fituesin [në radhët e shqiptarëve]”.

Shkelja e kësaj rregulle do të thotë qartë se partia VMRO-DPMNE parapëlqen që në Qeveri të marrë opozitën humbëse dhe të dobët të partive shqiptare që përbëhet nga “Lëvizja Besa” e Bilall Kasamit, “Lëvizja Demokratike” e Izet Mexhitit dhe “Alternativa” e Afrim Gashit, të cilat, nën koalicionin “Lëvizja Evropiane për Ndryshim” pësuan debakël në zgjedhjet presidenciale përballë kandidatit të BDI-së.

Se a do t’i pranojë “kushtet” e VLEN-it për ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, Mickoski pohoi se nuk ka dëgjuar për këso kërkesash nga ta.

“Me BDI-në nuk kemi qëllim të jemi…Me VLEN? Unë nuk kam dëgjuar që VLEN ka kusht të tillë, atë kusht po e imponon BDI, duke kërkuar kashtë për shpëtim”, deklaroi Mickoski më 28 prill 2024.

https://www.facebook.com/watch/?mibextid=oFDknk&v=957570199008867&rdid=ZSej2qVlr7sky32E

EDHE NËSE HUMBIN ZGJEDHJET, OPOZITA E MBËSHTETUR NGA KURTI BËHET GATI T’IA VJEDHË BDI-SË VENDIN NË QEVERI

Ndryshe, dy ditë pasi që Mickoski shprehu gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme, lideri i koalicionit “VLEN”, Bilall Kasami, ka konfirmuar se janë pro një qeverie të tillë, derisa ka thënë se në ekzekutivin që do të dalë pas zgjedhjeve të 8 majit, do të jenë garantues të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, mirëpo nuk është përgjigjur qartë nëse qeveria e re do të formohet pa ndryshimet kushtetuese.

Këto komente, Kasami i ka bërë në një prononcim para gazetarëve, vetëm dy ditë pasi që Arben Taravari, kandidati i “VLEN”-it për President të Maqedonisë së Veriut, humbi zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar, me një diferencë rreth 40 mijë vota, ndaj kandidatit të “Frontit Evropian”, Bujar Osmani.

“Do të ketë qeveri evropiane ku koalicioni ‘VLEN’ tashmë është paralajmëruar se do të jetë pjesë e saj. Në atë qeveri sigurisht që kemi thënë dhe vazhdojmë të themi që garantojmë rrugëtimin evropian të vendit dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, tha Kasami.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/vec-eshte-paralajmeruar-vlen-do-te-jete-ne-qeveri-edhe-nese-humbin-zgjedhjet-opozita-e-mbeshtetur-nga-kurti-behet-gati-tia-vjedhe-bdi-se-vendin-ne-qeveri-video/

KURTI PJESË E DEFAKTORIZIMIT TË SHQIPTARËVE

Paralajmërimi i Kasamit se koalicioni opozitar VLEN do të bëhet pjesë e Qeverisë, e cila do të formohet nga partia aktuale opozitare, VMRO-DPMNE, është grabitje e të drejtës që i takon partisë më të mbështetur nga votuesit shqiptar.

Të gjitha sondazhet, përfshirë edhe rezultati i zgjedhjeve presidenciale (24 prill 2024), flasin se Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit dhe koalicioni i tij “Fronti Evropian” do të dalin fitues në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Përveç kësaj, taktika e opozitës shqiptare, VLEN, nëse nuk do të përfillte rezultatin zgjedhor, do të ishte në kundërshtim të plotë me vullnetin e shumicës së votuesve shqiptarë.

Për më tepër, shkelja e vullnetit të votuesve shqiptar në Maqedoninë e Veriut, do të kishte pasoja të mëdha dhe të drejtpërdrejta në defaktorizimin dhe shfuqizimin e shqiptarëve në këtë shtet.

Tashmë është e ditur se një nga shtyllat e VLEN është Vetëvendosje e Kurtit, këshilltari i të cilit, Bekim Qoku, është kandidat për deputetet në radhët e këtij koalicioni. /Demokracia.com/

Të ngjashme