Lajme
Abrashi i VV-së analizon vendimin e Kushtetueses për tatimin në pronë: Është hap procedural
Demokracia
19:41 | 04 Shtator 2023

Share:

Deputeti i VV’së, Artan Abrashi thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, ku parashihet falja e 100 eurove e tatim për qytetarët është hap procedural. Abrashi thotë se, kjo masë e përkohshme juridike nuk e prejudikon akgjykimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ai konsideron se është herët që të flitet për këtë çështje, kur nuk ka vendim përfundimtar. “E shohim ashtu siç është, hap procedural, masë e përkohshme juridike, e cila nuk e prejudikon aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Konsideroj që është herët të flitet për këtë çështje kur nuk kemi vendim përfundimtar”, tha Abrashi për GazetaBlic.

Kujtojmë se, gjatë ditës së hënë, Gjykata Kushtetuese bëri me dije se ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, ku parashihet falja e 100 eurove e tatim për qytetarët.

Ndryshe, dorëzimin e kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, më 24 gusht të këtij viti.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme, lidhur me aktin e lartcekur, të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendim e Gjykatës.

Kushtetuesja ka theksuar se komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve të Qeverisë.

“Vendimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Neni i kontestuar përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) falja tatimore zbatohet vetëm për vitin tatimor 2023; dhe (vi) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të asaj komune dhe Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite”, thuhet në vendim.

Të ngjashme