Diaspora
​Vushtrria nderon diasporën, Tahiri: Ta ndërtojmë së bashku shtetin tonë
Demokracia
20:54 | 16 Korrik 2021

Share:

Në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, Komuna e Vushtrrisë, mbrëmjen e së premtes organizoi mbrëmjen muzikore “Sofra për mërgimtarët”.

Në shtëpinë e kulturës “Hasan Prishtina” u shtruan sofrat me ushqime tradicionale të mbushura me mërgimtarë që kishin ardhur për të ndjekur muzikë folklorike të kënduar nga rapsodët e Kukësit.

Kryetari Xhafer Tahiri e vlerësoi kontributin e diasporës, andaj tha se rreshtimi rreth sofrës simbolizon dashurinë që e kanë për njëri-tjetrin.

Ai tha se pavarësisht se ku jetojnë dhe veprojnë, mërgimtarët mbesin cdo herë në zemrat dhe mendjet e tyre.

“Jam shumë krenar që sot jemi bashkë në këtë sofër, sepse sa herë jemi ulur rreth sofrës gjithmonë e kemi ndjerë mungesën e njëri-tjetrit dhe nuk ka herë që nënat shqiptare janë ulur në sofër e nuk kanë qartë për bijtë dhe bijat që i kanë në mërgim. E nuk ka mërgimtar që ulet në sofër e që nuk e kujton nënën në shtëpi, por sot në këto ditë është momenti të gëzohemi dhe të festojmë bashkë edhe me artistët prej Kukësit. T’i gëzohemi shëndetit tonë, të popullit tonë. Ta dini mërgimtarë të dashur që edhe pse jeni larg me njëri-tjetrin shumicën e kohës ne jemi bashkë në zemrat dhe mendjet tona dhe në punët tona’, tha ai.

I pari Komunës së Vushtrrisë tha se Kosova sot gëzon lirinë dhe pavarësinë, e cila erdhi falë sakrificës së shumë gjeneratave, andaj ftoi mërgatën që të punojnë së bashku për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

“Dhe ta dini se sot e përgjithmonë armiqtë e popullit tonë, Kosovës sonë janë të dëshpëruar sepse ata kanë humbur, fitorja është e jona. Ne kemi lirinë dhe pavarësinë dhe duhet të vazhdojmë të ruajmë njëri-tjetrin. Ta ndërtojmë shtetin tonë, ta ruajmë lirinë dhe pavarësinë tonë për fëmijët tanë dhe për gjeneratat që vijnë në mënyrë që kurrë më ky vend të mos njoh humbje dhe mërzi nënat tona”, tha ai.

Në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, Komuna e Vushtrrisë, edhe pasditen e së enjtes organizoi mbrëmjen poetike-artistike tek Kalaja e Qytetit. Ky aktivitet u konsiderua i rëndësishëm dhe mirëpritje për bashkatdhetarët në vetëlindjen e tyre.

Të ngjashme