Prokuroria Themelore në Prishtinë është në përfundim të hetimeve për rastin e kulmit të Komunës së Prishtinës, i cili u rrëzua para pak muajve, duke lënduar rëndë një vajzë, shkruan Demokracia.com.
Pasi ishte ngritur kallëzim penal nga ana e Policisë së Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte angazhuar ekspertë të jashtëm gjyqësorë për të bërë një ekspertizë lidhur me kulmin që u rrëzua në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.
Demokracia.com ka mësuar se ekspertiza është dorëzuar në Prokurori dhe ajo përmban shumë të gjetura.
Ekspertiza mësohet se ka gjetur punë të kryera në kundërshtim me kontratën dhe rregullat e ndërtimit. Po ashtu, është gjetur se Komuna e Prishtinës ka paguar edhe çmime fiktive, të cilat nuk janë punuar fare nga punëkryesi.
“Edhe sipas gjetjeve të policisë, dihet se Komuna e Prishtinës ka paguar edhe rreth 50 mijë euro për demolimin e kulmit, konkretisht për pozicionin 2.2, 2.3 dhe disa pozicioneve tjera që kanë të bëjnë me demolimin. Pra, në kontratë ka qenë edhe demolimi i kulmit, kontraktuesi nuk e ka bërë fare demolimin. Pra, nuk ka kryer asnjë punë në kulm dhe i janë paguar faturat. Punët janë kryer nën pllakën që ka qenë nën kulm. Pastaj nuk janë kryer konfom kontratës. Bile shihet se ka pasur edhe fryrje të paramasës. Në kontratë, kulmi është mbi 1000m2, matjet tregojnë se ai është rreth 900 m2. Ekspertiza me gjetje të reja është dorëzuar në prokurori”, thuhet mes tjerave në raport, shkruan Demokracia.com.
Prokuroria, sipas burimeve të Demokracia.com, ka përfunduar edhe intervistimin e personave lidhur me këtë hetim dhe pritet të ngritet aktakuzë ndaj menaxherit të kontratës, i autorizuar si mbikëqyrës nga komuna, Ylber Jashari, si dhe punëkryesit Bekim Baftjaraj, si autoritet kontraktues.
Gjykata e Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda, e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për 1 muaj për të dyshuarin Bekim Baftjaraj, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Ndërkaq, për të dyshuarin Ylber Jashari, zyrtar i komunës, ishte marrë masa e ndalimit që për një muaj të mos i afrohet vendit të caktuar – komunës dhe kontaktit me kolegët e punës për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 11 gusht 2023 deri më 18 janar 2024 në Ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, i dyshuari Ylber Jashari në cilësinë e personit zyrtar si menaxher i kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re” në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, duke i mundësuar të përfitojë materialisht në mënyrë të kundërligjshëm kompanisë “NBT ING” SH.P.K. Prokuroria pretendon se i dyshuari me këto veprime e ka dëmtuar buxhetin e komunës në shumën prej 36,450.29 euro. Sipas pretendimeve të prokurorisë, i dyshuari Ylber Jashari ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Kadastrit të Komunës së Prishtinës edhe pse realisht aty, sipas prokurorisë, nuk ishte punuar dhe nuk ishin bërë punimet sipas kontratës.
Sipas Prokurorisë, ky pranim i punimeve nga Ylber Jashari ka mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë, gjë që sipas pretendimeve të prokurorisë, ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro. Po ashtu, prokuroria pretendon se më 11 gusht 2023 deri më 18 janar 2024, rreth orës 13:30 minuta, në lagjen Arbëria në Prishtinë, respektivisht nga Ndërtesa Kadastrale e Komunës së Prishtinës, i dyshuari Bekim Baftjaraj në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “NBT ING” SH.P.K., i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore në kulm, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.
Tutje sipas Prokurorisë, si pasojë e këtyre punimeve, një pjesë e kulmit bie në tokë në pjesën e rrugës qarkulluese, trotuarit dhe objektit përreth, duke lënduar rëndë të dëmtuarën Elza Ujkani, si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër veturat e parkuara përreth.
Në gjysmën e muajit korrik, Komuna e Prishtinës dhe kompania “NBT-ING” kishin nënshkruar kontratë për “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”. Çmimi i kontratës më të cilën u morën vesh kompania dhe komuna ka qenë fiks 386,096.29 euro. Demokracia.com kishte parë dosjen e tenderit të nënshkrimit të kësaj kontrate dhe aty shihet se kompania kishte vendosur shumë më të lartë sesa çmimi që kishte vendosur kompania fituese. Fiks 700 mijë euro ka qenë çmimi që kishte vendosur Komuna e Prishtinës. /Demokracia.com/
Lexo edhe: