Lajme
DOKUMENT | Kompania e afërt me Vetëvendosjen ndërtoi kulmin e ndërtesës së Komunës së Prishtinës, ndërroi pronësinë për shkak të dallavereve me tenderë
Demokracia
18:01 | 18 Janar 2024

Share:

Një vajzë rreth 20-vjeçare është lënduar si pasojë e goditjes nga materiale që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së komunës së re në Prishtinë. Kulmi që u demolua sot duke rrezikuar punëtorët e komunës dhe kalimtarët është rindërtuar para pak javëve, shkruan Demokracia.com.

“Qorba e lirë t’i djegë buzët”. Kështu i ndodhi sot edhe Komunës së Prishtinës, ku nga kontraktimi shumë i lirë i ndërtimit të kulmit për pak sa nuk pësuan shumë qytetarë, ndonëse një është në gjendje të rëndë.

Në gjysmën e muajit korrik, Komuna e Prishtinës dhe kompania “NBT-ING” kishin nënshkruar kontratë për “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”. Çmimi i kontratës më të cilën u morën vesh kompania dhe komuna ka qenë fiks 386,096.29 euro. Demokracia.com ka parë dosjen e tenderit të nënshkrimit të kësaj kontrate dhe aty shihet se kompania kishte vendosur shumë më të lartë sesa çmimi që kishte vendosur kompania fituese. Fiks 700 mijë euro ka qenë çmimi që kishte vendosur komuna.

Në garë për tender kanë qenë 15 kompani, por komuna kishte shpërblyer kompaninë “NBT-ING”, e cila ishte dukshëm më larg me çmim sesa tjerat.

Komuna e Prishtinës nuk kishte arritur që të nënshkruajë menjëherë kontratë, por pas disa muajve të inicimit të këtij aktiviteti. Kjo për shkak se kompanitë insistuan se kompania e përzgjedhur nga komuna nuk i plotësonte kërkesat dhe kishte vendosur çmim në kundërshtim më Ligjin e Prokurimit Publik, “jo normalisht të ulët”. Por, komuna ua kishte rrëzuar pretendimet, duke e lënë në fuqi vendimin e vet. Madje, një ankesë e kishte rrëzuar edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit vetëm pse ajo ka qenë ankese e parregullt dhe nuk ishte marrë fare më pretendimet ankimore.

Kush qëndron prapa kompanisë që ndërtoi kulmin e Komunës së Prishtinës?

Kompania “NBT-ING” figuron se është themeluar në vitin 2008 dhe për shumë vite pronar i saj ka qenë Tahir Sopa, por para pak kohe emri i pronësisë së saj është ndërruar në atë të Bexhet Baftjaraj, i cili është pronar aktual.

Gjasat janë që pronësia e kompanisë u ndërrua për shkak se Tahir Sopa ishte në proces gjyqësor nën dyshime për dallavere me tenderë dhe po të dënohej, nuk do të mund të fitonte me tender për dhjetë vite.

Mediat kanë raportuar se Tahir Sopa dhe Sali Zyba janë miq dhe përveç afërsisë miqësore mes Zybës e Sopës, edhe bashkëshortja e këtij të fundit ishte kandidate për asambliste nga Vetëvendosja në zgjedhjet e vitit 2017. Vetë Zyba e pati prezantuar si prurje të re Lindita Sopën, gruan e Tahirit.

Sopa dyshohet për falsifikim dokumentesh në një tender të madh të shtetit. I njëjti kishte fituar tenderin mbi 800 mijë euro për rinovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me dokumentet e falsifikuara, siç pretendon prokuroria.

Pavarësisht afërsisë së Sopës me partinë në pushtet dhe deputetin Zyba, si dhe aktakuzës për falsifikim, kjo nuk e ka ndaluar Ministrinë e Punëve të Brendshme që vetëm dy muaj pas këtij zhvillimi nga organet e drejtësisë, ta shpërblejë me kontratë kompaninë “NBT-ING”.

Gazeta Insajderi lidhur me këtë çështje ka kërkuar sqarim nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por, as zyra për informim e as ajo e prokurimit, deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë treguar nëse ka ndikuar afërsia e Sopës me Vetëvendosjen që kjo kompani ta fitojë tenderin e MPB-së.

Ky institucion nuk ka treguar as se cilat kritere i ka plotësuar kompania dhe pse i dha tender pikërisht kompanisë, drejtuesi i së cilës është akuzuar për falsifikim.

Aktakuza ndaj Sopës për falsifikim të dokumentit për tenderin mbi 800 mijë eurosh 

Tahir Sopa ishte arrestuar nga policia e Kosovës si i dyshuar për mashtrim, falsifikim dhe keqpërdorim në prokurimin publik, në dhjetor të vitit 2020.

Disa muaj pas arrestimit, në korrik 2021, ndaj Sopës u ngrit akuza për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik.

Sipas aktakuzës, Sopa duke përdorur dokument të falsifikuar ka arritur të fitojë tenderin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, në vlerë prej 811 mijë euro. Kompania që e përfaqësonte Sopa duhej ta bënte renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale në Kosovë.

Pasi e fitoi tenderin, Sopa u zbulua se kishte falsifikuar dokumentin “Letër përkrahje” të datës 12.12.2019 të bankës NLB me të cilin gjoja se banka i ka siguruar përkrahje kompanisë së tij në vlerë prej 200 mijë euro.

Njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë euro në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.

Prokuroria e akuzon Sopën se me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, duke e paraqitur këtë dokument të rremë.

Si pasojë e këtij veprimi të tij, sipas prokurorisë i ka shkaktuar dëm buxhetit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Foto nga gjykimi i Sopës: Betimi për Drejtësi

Apeli vërteton dënimin ndaj të akuzuarit për falsifikim të tenderit mbi 800 mijë euro për renovimin e objektit të PSRKS-së

Më 2 shkurt 2023, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtjes dhe palës së dëmtuar, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 10 tetor 2022, të akuzuarin Tahir Sopa e kishte dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë, për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë marrë më 12 janar 2023, thuhet se ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësve të të dënuarit Sopa, avokatëve Imer Beka e Flamur Bllacaku, si dhe ankesa e të dëmtuarës – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), janë të pabazuara.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozimin që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me burgim, më i lartë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes përfaqësuesit ligjor kishte ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit lidhur me sanksionin penal dhe kërkesës pasurore – juridike, me propozim që ta prish ose ndryshojë aktgjykimin dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërsa, mbrojtësit e të dënuarit Sopa, avokatët Beka e Bllacaku, kishin parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të KPPRK-së dhe KPRK-së, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimin mbi dënimin. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 06 Dhjetor 2024