U rindërtua vetëm pak javë më parë, por gjatë ditës së djeshme është rrëzuar kulmi i objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”. Në afërsi të objektit, lëndime të rënda ka marrë një vajzë. Ka dyshime të mëdha se kontrata që u nënshkrua me kompaninë punëkryese ishte bërë duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, shkruan Demokracia.com.
Që më 6 janar, Komuna e Prishtinës kishte hapur tender për “Rikonstruimin e kulmit të objektit të Komunës së re”. Më pas kur kishte hapur ofertat ishte gjetur se në garë kanë qenë 15 kompani. Për kontratë ishte rekomanduar kompania “NBT-ING”.
Pasi ishte publikuar vendimi për shpalljen e fituesit, ankesë në komunë kishte parashtruar kompania pjesëmarrëse në këtë aktivitet “Nika proking”. Kjo konsideronte se fituesi nuk i kishte përmbushur disa prej kritereve të vendosura nga vetë komuna në dosjen e tenderit.
Prokurimi komunal ia ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet, duke e lënë në fuqi vendimin e vet. Më datë 15 maj 2023, kompania është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ky institucion e ka autorizuar ekspertin e vet që të shoshis pretendimet ankimore. Më datë 16 qershor, eksperti e ka dorëzuar raportin e vet tek paneli. Ai ka rekomanduar që ankesa e kompanisë të hedhet poshtë, pasi nuk ka qenë e rregullt administrativisht, duke konsideruar se ankesa është bërë nga kompania bartëse e konzorciumit dhe jo nga lideri i konzorciumit, i cili në këtë rast ka qenë “Engineering RK” shpk, ndërsa “Nika pronig” ka qenë në konzorcium. Pra, eksperti ka rekomanduar që ankesa të hidhet poshtë vetëm pse ka bërë ankesë kompania e dytë e jo e para në konzorcium dhe nuk është marrë fare me asnjë pretendim të ankesës, nëse kompania e rekomanduar për kontratë ka qenë e përgjegjshme apo jo, shkruan Demokracia.com.
Cilat kanë qenë pretendimet e kompanisë ankuese?
Kompania ankuese pretendon se kompania “NBT-ING” nuk i ka përmbushur disa prej pikave të cilat i kishte vendosur vetë komuna tek kërkesat teknike.
Tek pika e dytë e ankesës, kompania ka shkruar se “Ne kërkesën e FDT është kërkuar që: Operatori Ekonomik duhet te posedoje mjete, stabilimentet dhe pajisjet teknike për kryerjen e punëve. Pajisjet dhe mekanizimin OE duhet ta prezantojë ne Aneksin 7 te DT. “NBT -ING” SH.P.K. ka plotësuar Aneks 7 sipas dosjes se tenderit. Këtë kriter nuk e ka plotësuar OE dhe është i papërgjegjshëm”.
Po ashtu në kërkesën e dosjes se tenderit është kërkuar që: Shuma e sigurimit të tenderit është valide ne periudhe prej 120 ditësh, nga data e ofertimit apo hapjes se tenderëve. “Ndërsa OE “NBT -ING” SH.P.K. sigurimin e tenderit e ka nga data 13.02.2023 – 13.06.2023, d.m.th. një ditë para datës së ofertimit, sepse dorëzimi i tenderit ka qenë me datën 14.02.2023, e nëse sigurimi i tenderit fillon një ditë përpara, atëherë i bie që edhe të përfundojë një ditë përpara. Këtë kriter nuk e ka plotësuar OE dhe është i papërgjegjshëm”, thuhet në ankesë.
Tutje në dosjen e tenderit është kërkuar që: 1 Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi të kënaqshme AK se qarkullimi vjetor i Operatorit Ekonomik, gjatë tre viteve të fundit, së bashku në të tri vitet ka qenë në vlerë prej jo më pak se 1.000.000,00 euro (60% Bartësi i konzorciumit).
“”NBT -ING” SH.P.K. ka bërë kërkesë për konfidencialitet, të cilin dyshojmë në të. Siç shihet AK ka rekomanduar OE të papërgjegjshëm për kontratë, duke REFUZUAR kërkesën tonë për rishqyrtim si të pabazuar. Gjithashtu AK nuk e ka respektuar edhe nenin 7 të LPP-së, duke na diskriminuar neve si operator ekonomik, edhe pse i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e FTD-së dhe të njoftimit për kontratë, nuk jemi shpallur fitues të këtij tenderi, por po shihet se qëllimi i AK është që ne mos të shpallemi fitues të këtij tenderi. Paragrafi 1 i nenit 7 të LPP-së e parasheh qartë që “Autoriteti kontraktues do ti trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente”, ka shkruar mes tjerash kompania ankuese në ankesën e parashtruar në OSHP, e cila ka mbetur e patrajtuar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me rastin në lagjen “Arbëria”, ku si pasojë e rënies së çatisë së Komunës së Prishtinës është lënduar një vajzë.
Policia e ka konfirmuar se një person është lënduar nga rënia e çatisë dhe lidhur me këtë, Demokracia.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme. /Demorkacia.com/
Lexo edhe: