“Besoni që ka akterë të ndryshëm, që presin që unë të bëjë shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do të dëmtonte përfaqësimin e Kosovës…”.
Kjo nuk duket se është arsyeja kryesore e deklaruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 24 nëntor 2023, për mospublikimin e Statutit të Zajednicës ose Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e pranoi nga pesëshja e emisarëve më 21 tetor 2023, si rezultat i dialogut të tij me presidentin serb Alksandër Vuçiq, shkruan Demokracia.com.
As konfidencialiteti i negociatave nuk duket arsye që bind, sidomos kur bëhet fjalë për Kurtin që nuk ka qenë asnjëherë problem që të konfrontohet edhe publikisht me ndërmjetësuesit e dialogut, BE-në.
Sot që bëhen 58 ditë larg 21 tetorit, po zbardhen arsyet kryesore se përse kryeministri Kurti po vazhdon që qytetarëve të Kosovës t’ia mbajë të fshehur Statutin e Zajednicës.
Më 13 dhjetor 2023, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zbuluar gjatë një interviste për RTK-në se Statuti i Zajednicës i referohet Rezolutës 1244. “Diku në draft përmendet [Rezoluta 1244]. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar”.
Skandal | Bislimi publikon lajmin e rëndë: Statuti i Zajednicës i referohet Rezolutës 1244
Me këtë deklaratë, Bislimi ka shpërfaqur në publik njërin nga skandalet më të mëdha të kryeministrit Albin Kurti, i cili me veprimet dhe obligimet që ka marrë para bashkësisë ndërkombëtare rezolutojnë të rrezikshme për kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.
Mbështetja e Statutit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999, për profesorin e së Drejtës Ndërkombëtare dhe njëherit ish-kryetar i parë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasanin, “ka pasojë të drejtpërdrejta për shtetësinë e Kosovës dhe shënon fazën e re në procesin e zhbërjes së Mendimit Këshilldhënës të GJND-së për Kosovën dhe, për rrjedhojë, të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”.
Sipas Hasanit, Aneksi i Ohrit nuk mund të zhbëhet dhe se procesi i çnjohjeve do të marrë përmasa drastike. “Unë pres që procesi i çnjohjeve të merr përmasa edhe më drastike, pasi vendet që kanë pasur ndërmend të na njohin do të dekurajohen shumë kur të shohin atë që ka bërë Kosova në Ohër dhe me Statutin për Autonominë serbe me bazë në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”.
Kryeministri Kurti është në ballë të procesit, jo duke e kundërshtuar, por duke prirë në rrugën për themelimin e Zajednicës. Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti tani si kryeministër është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmeaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”. / Demokracia.com/