Lajme
“5 emisarët ofruan planin e ri…” | Heshtja e Kurtit për dokumentin që s’pranon kushtëzime, por pa vonesë kërkon themelim të Zajednicës
Demokracia
10:03 | 23 Tetor 2023

Share:

“Si kryeministër i Kosovës, Kurti ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian. Dhe këtu duhet të theksojmë nevojën që pa vonesa të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Pa këtë nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”.

Ky duket se është thelbi i planit të ri të prezantuar nga emisari evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili bashkë katër të dërguarit tjerë të ShBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë takuan më 21 tetor kryeministrin Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Lajcak: Kurti është përgjegjës për progres në normalizim, s’ka avancim drejt BE-së pa Asociacion

Pra, në thelb të progresit të rrugës evropiane të Kosovës, qëndron Zajednica apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, Vetëmenaxhimi për serbët dhe statusi i Kishës Ortodokse Serbe.

Një muaj para kësaj deklarate të emisarit Lajçak, Demokracia.com kishte raportuar më 14 shtator 2023 se kryeministri Kurti e ka lidhur përgjithmonë integrimin evropian me themelimin e Zajednicës, vetëmenaxhimin për serbët dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Si e lidhi Kurti përgjithmonë integrimin evropian me themelimin e Zajednicës, vetëmenaxhimin për serbët dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe?

Kryeministri Kurti ka vazhduar të hesht edhe dy ditë pasi 5 emisarët ia lanë në tavolinë planin e ri. Ai nuk ka bërë ndonjë deklaratë pas këtij takimi, i cili u zhvillua gati një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Vetëm një njoftim zyrtar, në disa rreshta, është bërë nga Qeveria e Kosovës, por që nuk thotë shumë. Kryeministri Kurti ka shprehur falënderimet dhe vlerësimet e tij ndaj 5 emisarëve që ofruan planin e tyre të ri.

“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e 21 tetorit.

Gjithashtu, sipas njoftimit të Qeverisë, në takim u bisedua edhe për “zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”.

Në qendër të këtyre marrëveshjeve qëndron Zajednica apo Asocicioni i Komunave me Shumicë Serbe. / Demokracia.com/

Kurti ndërron, “Zajednicën” e pranon

Të ngjashme