Lajme
Emisari britanik: Kosova e vuri në pikëpyetje përkushtimin e saj
Demokracia
20:33 | 27 Mars 2022

Share:

Edhe pse është kërkuar nga shtetet e QUINT-it, zgjedhjet e Serbisë nuk do të mbahen në territorin e Kosovës pa një marrëveshje mes dyja vendeve.

Për vendimin e Qeverisë së Kosovës, që të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, ka folur edhe i dërguari special i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Steuart Peach.

Peach në një intervistë për gazetë malazeze “Vijesti ka thënë se e ka zhgënjyer refuzimi i autoriteteve kosovare për një zgjidhje kompromisi, që serbëve të Kosovës t’u lejohej votimi në territorin e Kosovës, përcjell Demokracia.com.

“Më zhgënjeu lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi, që do ua lehtësonte serbëve të Kosovës të votonin në territorin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme në Serbi. Kosova është e qartë që ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodh, por mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar lidhur me rastin vendos në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”, ka thënë i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Steuart Peach.

Sipas tij, ka një mënyrë që Serbia dhe Kosova të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe ajo është vetëm përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë këtë proces. Unë si i dërguar punoj ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është përgjegjës për dialogun”, ka thënë Peach.

Kosova dhe Serbia, sipas tij, duhet të bashkëpunojnë në interes të dy popujve për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme e të qëndrueshme, e cila është e pranueshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

“U bëj thirrje liderëve të të dyja vendeve që të angazhohen në negociata me gjithë zemër dhe në mënyrë konstruktive”, ka shtuar ai.

Sir Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, kishte thënë se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.

Peach ka shërbyer më herët edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme