Lajme
Vjosa Osmani dy vjet në krye të shtetit | Noterja përçarëse e Albin Kurtit që ia panë “hairin” veç tezaket
Demokracia
18:14 | 04 Prill 2023

Share:

Vjosa Osmani sot i ka bërë rrafsh dy vjet në krye të shtetit të Kosovës.

Gruaja e dytë si Presidente e Kosovës, ndonëse erdhi në krye të shtetit më fjalë shumë të mëdha, ajo nuk la shumë gjurmë pune në këto dy vjet.

Osmani në ditën që u zgjodh foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se paqja “do të arrihet vetëm nëse shohim pendesë nga Serbia”.

Osmani në ditën që u zgjodh presidente tha se drejtësi për Kosovën nuk mund të ketë deri sa Serbia nuk do të sjellë para drejtësisë “kriminelët që kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës”.

Por, gjatë mandatit të saj si presidente, duke pasur në krye të Qeverisë partnerin e saj Albin Kurtin, Serbia lëre që nuk u pendua dhe kriminalët nuk dolën para drejtësisë, por dyshja Osmani-Kurti bënë kompromise me Serbinë, duke u marrë vesh që të themelojnë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, shkruan Demokracia.com.

Ajo nuk arriti ta mbajë as premtimin se si presidente nuk do të lejonte të cenohej integriteti territorial i Kosovës, pasi qe tani shteti nuk ka pothuajse aspak kontroll në veriun e vendit.

Gjatë dy vjetëve të saj në krye të shtetit, kufijtë e Kosovës u rrezikuan shpeshherë. Por, edhe marrëveshja e arritur nga partneri i saj po vlerësohet se e cenon integritetin territorial institucional të Kosovës.

Osmani në ditën që e mori besimin si e para e shtetit, tha se do të jetë figurë unifikuese. Por, fatkeqësisht, ajo në vazhdimësi tregohet si figura më përçarëse në skenën politike.

Në shumë fjalime të saj, Osmani ka sulmuar ish-presidentin Hashim Thaçi, ndonëse ai ka mbi dy vjet që është larguar nga skena politike e Kosovës.

Osmanit ligjërisht i mbeten edhe tri vjet deri në përfundim të mandatit, por rrugën e saj mund ta ndërpresë Gjykata Kushtetuese, pasi që së fundmi është raportuar se ajo mund të rrëzohet nga kjo gjykatë për shkelje kushtetuese me mandatet e deputeteve.

Osmani, e cila me profesion është juriste, ka një vit që e ka bllokuar edhe dekretimin e kryeprokurorit të shtetit. Ajo po refuzon që ta dekretojë Blerim Isufajn në këtë pozitë, pa dhënë ndonjë sqarim dhe duke e lënë këtë institucion shumë të rëndësishëm vetëm me ushtrues detyre.

Gjatë këtyre dy vjetëve, Osmani mbahet mend më shumë për mbajtjen e “zhagin” te politikes se Albin Kurtit.

Ajo ka shërbyer vetëm si notere, duke u ikur në të shumtën e rasteve temave të nxehta në vend.

Osmani foli për shtrenjtimin e rrymës, rritjen anormale të çmimeve, marrëveshjen me Serbinë e krejt shqetësimet e tjera të qytetarëve të saj, vetëm kur nuk kishte si t’i ikte pyetjeve të gazetarëve.

Ajo u shfaq gjatë kësaj kohe shpeshherë nervoze dhe e mllefosur edhe me mediat, ku shkak kryesisht ishte bashkëshorti i saj, i cili zuri ballinat e mediave vendore me deklarata tepër skandaloze.

Në dyvjetorin e zgjedhjes së saj Osmani i shkroi nja dy fjali në Facebook, duke mos pasur me çka të krenohet.

“Dy vite si Presidente e juaja! Si gjithnjë, i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim timin është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës. Kështu do të jetë deri në fund të mandatit!
Faleminderit përjetësisht për besimin! 🇽🇰”, ka shkruar ajo.

Ndonëse shteti nuk ia pa pothuajse fare hairin, kjo nuk mund të thuhet edhe për familjarët e saj.

Osmani do të mbahet mend edhe për tenderët për shoqen e motrës dhe shokun e babait te saj. Ajo po mbahet mend edhe për punësimin e të vëllait në Bankën Qendrore të Kosovës.

“Çka ka, çka s’ka”? | Vëllai i presidentes Osmani, Ramadani, tashmë ka nisur punën në BQK

Po ashtu, ajo mbahet mend edhe për favorizimin e tezakes, Venera Çerkini, e cila u emërua krye të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Po ashtu, Osmani do të mbahet në mend edhe për emërimin për pak kohë në krye të Universitetit të Prishtinës të tezakes tjetër të saj, Luljeta Plakolli-Kasumit.

DOKUMENT| Tezakja e presidentes pritet ta marrë bekimin e Kurtit për drejtoreshë në ministrinë e Pecit

Krejt çka ndryshoi në Kosovë gjatë këtyre dy vjetëve është pamja e Osmanit dhe sa herë i përmendet ky fakt, ajo viktimizohet duke thënë se po bullizohet.

Osmani do të mbahet mend edhe sesi nuk i besoi institucioneve shëndetësore publike, pasi qe një ndërhyrje kirurgjike që pati nevojë ta bënte, ajo e bëri në një spital privat. /Demokracia.com/

Të ngjashme