Lajme
“Çka ka, çka s’ka”? | Vëllai i presidentes Osmani, Ramadani, tashmë ka nisur punën në BQK
Demokracia
11:51 | 12 Janar 2023

Share:

Ramadan Osmani vëllai i presidentës, Vjosa Osmani edhe zyrtarisht ka filluar punën në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Para dy muajve, ishte raportuar për synimin e vëllait të presidentes Osmani drejt punësimit në BQK ku tashmë kjo punë është kryer.

Burime të Nacionales brenda BQK-së, kanë bërë të ditur se Ramadan Osmani që nga muaji janar i këtij viti ka filluar punën në insitucionin kryesor financiar në vend.

Osmani është punësuar në pozitën e rëndësishme të Mbikëqyrsit të Lartë të Bankave.

Para se të punësohet në BQK, Ramadan Osmani mësohet se kishte punuar në një bankë komerciale të quajtur Banka për Biznes (BPB).

Sipas konkursit, Osmani ka marrë më së shumti pikë nga katër kandidatët për këtë pozitë.

Kjo pozitë është mjaft e rëndësishme pasi do të ketë për detyrë të kryejë ekzaminimet në vend dhe të shqyrtojë raportet e bankave.

Demokracia.com kishte raportuar se Banka Qendrore e Kosovës një kohë të gjatë ishte përballur me presione politike. Këtë fakt e ka thënë edhe vetë guvernatori Fehmi Mehmeti përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani. Në letrën që Demokracia.com e kishte siguruar dhe publikuar kërkohej që politika të qëndrojë sa më larg BQK-së. Por, duket se edhe vetë Osmani kishte ushtruar presion mbi guvernatorin Mehmeti për t’ia rehatuar vëllain në BQK.

“E nderuar znj. Presidente, përtej arritjeve të mëdha, muajve të fundit BQK është duke u ballafaquar me presione politike të cilat kanë synime të interferojnë në punën e pavarur dhe profesionale të BQK-së. Javët e fundit janë shoqëruar me disa ngjarje politike që godasin në thelb pavarësinë dhe profesionalizmin e BQK-së. Se agjenda politike është e drejtuar ndaj institucionit të pavarur të BQK-së, tanimë konfirmohet edhe nga synimi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për të themeluar grup punues lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L-2()9 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si dhe për Ligjin nr. 05/L-()45 për Sigurimet (e paraparë për mbledhjen e radhës të komisionit përkatës)”, thuhej në letër.

DOKUMENT EKSKLUZIV| Guvernatori i BQK-së iu ankua presidentes Osmani për presione politike, pak muaj më pas gati t’ia punësojë të vëllain

Punësimet e familjarëve të Vjosa Osmanit

Në vazhdën e reagimeve kundër punësimeve familjare, ishte renditur dikur edhe Vjosa Osmani aktualisht presidente e Kosovës.

Mirëpo me ardhjen në pushtet si duket ndryshuan edhe qëndrimet sa i përket punësimeve familjare e partiake.

Venera Çerkini, një familjare tjetër e Osmanit, ka marrë pozitën e zëvendësuese e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Çerkini është vajzës e tezës së Presidentes.

Ndërkohë, edhe i burri i znj. Osmani, Zotëriu i Parë, është një diplomat tashmë me përvojë me shërbim në Maqedoni të Veriut. Në anën tjetër, presidentja është edhe mbesa e Eshref Osmanit, një mjekut të njohur që tashmë punon në sektorin privat.

Presidentja Osmani para se të zgjidhej në postin e shefes se shteti ka qenë shumë kritike ndaj qeverive të kaluara për familjarizëm, ani pse arsyetimet edhe të pushtetarëve të kaluar zakonisht ishin që avancimet apo emërimet ishin bërë në mënyrë meritore.

Në anë tjetër, partia në pushtet Vetëvendosje, ka publikuar këto ditë një video në të cilën tregon që më në institucionet e Kosovës nuk punësohen familjarë dhe persona me librezë të partisë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj punësimet familjare vazhdojnë të raportohen në media.

Kujtojmë se edhe vetë Vjosa Osmani ishte kritikuar se kishte ndikuar në votat e saj për t’u bërë presidente e vendit.

Të ngjashme