Lajme
Zyrtare: Komuna e Prishtinës nuk arriti të shpenzojë 30.4 milionë euro nga investimet kapitale
Demokracia
17:01 | 05 Janar 2024

Share:

Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga kryetari Përparim Rama, ka dështuar këtë vit të shpenzojë buxhetin për investimet kapitale, të cilat vetë menaxhmeti komunal i ka planifikuar. Demokracia.com ka parë raportet komunale të shpenzimit të buxhetit ndër muaj për 2023-ën. Ato tregojnë për një shifër rekorde të tepricës buxhetore për këtë vit.

Investimet kapitale janë të dizajnuara që të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Investimet e tilla janë thelbësore për të ndihmuar në rritjen dhe zhvillimin e qyteteve, në mënyrë të qëndrueshme dhe të përmbushin nevojat dhe pritjet e banorëve. Por, pritjet e prishtinasve nga ky lloj i investimeve për këtë vit janë shumë të vogla. Kjo të paktën mund të thuhet kështu, kur kihet parasysh shpenzimi i buxhetit nga kjo kategori.

Komuna e Prishtinës në total ka pasur një buxhet të miratuar për vitin 2023, në një vlerë prej 105,675,981 eurosh. Ky ka qenë buxheti më i madh në historinë e Prishtinës. Nga to, 40 milionë euro kanë qenë të ndara për investimet kapitale.

Mjete të bartura nga viti 2022 për vitin 2023 nga kategoria e investimeve kapitale kanë qenë 28,145, 739.81 euro. Kjo do të thotë se mjetet e njëjta janë bartur në vitin 2023 dhe të njëjtat janë futur tek kategoria e investimeve kapitale. Më këtë kuptohet se në shumicën e projekteve kapitale që është punuar në këtë vit në punishtet e kryeqytetit janë projekte të viteve të kaluars, sidomos të 2022-ës.

Rrjedhimisht edhe pagesat janë bërë për ato projekte. Janë krejt pak projekte të këtij viti për të cilat janë bërë pagesa.

Mjetet e bartura, plus ato të miratuara për 2023 për shpenzimet kapitale, kapin një shifër prej rreth 68 milionë euro.

Demokracia.com ka gjetur se për 12 muaj janë shpenzuar 37,525,957 euro në emër të shpenzimeve kapitale. Kjo do të thotë se komunës i kanë tepruar 30.4 milionë euro ose mbi 2 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak mjete nga kapitalet.

Një shifër e tillë nuk është shënuar asnjëherë në statistikat e Komunës së Prishtinës. Një pjesë, por më e vogël e parave pritet të humbasin krejt, ngase kanë qenë grant qeveritar, të cilat komuna nuk ka mundur t’i shpenzojë dhe të njëjtat do të shkojnë në thesarin e shtetit për vitin 2024. Ky mosshpenzim në gjuhën e buxhetit quhet suficit.

Bazuar në raportet komunale, shifrat e pagesave ndër muaj kanë qenë këto:

Në janar pagesat për kapitale kanë qenë zero.

Shkurt: Kapitalet – 195,821.00 euro.

Mars: Kapitalet – 685,854.16 euro.

Prill: Kapitalet – 1,222,724.71 euro.

Maj: Kapitalet – 1,251,587.71 euro.

Qershor: Kapitalet – 3,617,461.15 euro.

Korrik: Kapitalet – 3,164,408.25 euro.

Gusht: Kapitalet – 4,246,989.57 euro.

Shtator: Kapitalet – 2,719,179.32 euro.

Tetor: Kapitalet – 6,125,863.36 euro.

Nëntor: Kapitalet – 4,714,414.93 euro.

Dhjetor: Kapitalet – 9,581,657.09 euro.

Totali: 37, 525, 957 euro.

Ndonëse nuk është muaj që punohet shumë, pagesa rekomande për kompanitë, Komuna e Prishtinës ka bërë në muajin e fundit të vitit. Një faturë e paguar që njihet edhe si situacion duhet të bëhet mbi bazën e punëve të kryera që janë bërë në një projekt. P.sh. Një projekt paguhet me 6, 7, 8, 9, 11, 10 etj situacione.

Investimet kapitale për përmirësimin e jetës së qytetarëve janë shpesh të lidhura me infrastrukturën publike dhe shërbimet që përmirësojnë cilësinë e jetës së komunitetit. /Demokracia.com/

Të ngjashme