Lajme
ZRRE dhe Qeveria bllokojnë kthimin e 40 milionë eurove që t’u kthehen qytetarëve nga faturimi i rrymës në veri
Demokracia
18:57 | 07 Gusht 2023

Share:

Të gjitha institucionet ligjore në Kosovë kanë vendosur që qytetarëve duhet t’u kthehen paratë e tyre të cilat u shpenzuan për disa vite për të mbuluar faturat e energjisë elektrike në veri të Kosovës. Por, Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit për Energji-ZRRE janë kundër. Për më tepër, po kujdesen që të mos zbatohet vendimi.

Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës.

Avokati i Popullit i Kosovës ka ushtruar padi kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.

Para pak muajve, padia kishte marrë miratim të formës së prerë nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe në vitin e kaluar edhe nga Gjykata Kushtetuesen e Kosovës. Por, ZRRE nuk po do të zbatojë këtë vendim që 40 milionë euro t’u kthehen qytetarëve të Kosovës, të cilëve ua morën paratë nga xhepi.

Meqenëse ZRRE-ja ka një buxhet të konsiderueshëm, Ministria e Finanacave do të duhej që 40-milionët të derdheshin në llogarinë bankare të ZRRE-së por se kjo e fundit po mundohet ta shtyjë vendimin në pafundësi.

Së fundmi ZRRE i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese,  anipse ajo ka dhënë mendim në këtë çështje.

“Më lejoni t’ju informoj se ZRRE-ja, ka parashtruar kërkesë  pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me datë. 24.05.2023. Nga Gjykata Kushtetuese me dat.16.06.2023, ZRRE-ja është njoftuar për regjistrim të rastit dhe është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata”, kanë bërë të ditur për Periskopin nga zyra për informim e ZRRE-së.

Periskopi ka tentuar të marrë një përgjigje nga GJK-ja lidhur më atë se pse po zvarritet nxjerrja e një vendimi të dytë, kur tashmë kjo çështje është gjykuar një herë, por deri në publikimin e këtij artikulli ky institucion nuk ka dhënë përgjigje.

Më 13 prill të këtij viti, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore.

Supremja ka konstatuar se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit, dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE.

“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor 2022 kishte aprovuar kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të Republikës së Kosovës. I njëjti aktgjykim e obligonte ZRRE-në që të ndërmarrë veprime që e obligojnë KEDS-in që të bëjë kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.

Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës dhe faturat për komunat në veri ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet sepse ishte joligjore.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, ka detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga 2012-2017 kanë paguar rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

Megjithëkëtë edhe Avokati i Popullit kishte bërë kërkesë gjysmake të padisë, duke mos kërkuar kompozimin e parave nga viti 1999, deri në 2017, por ka kërkuar nga viti 2012 deri në 2017 që kanë rezultuar të jenë pak mbi 40 milionë euro.

Vendimi për pagesën e rrymës së banorëve serbë në veri të Kosovës më herët e kishte marrë vetë ZRRE-ja, kurse për inkasimin e faturave, të cilat kanë përfshirë edhe shpenzimet në veri, qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të njoftuar.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka afat deri më 13 qershor 2022 që t’i pajisë konsumatorët e energjisë elektrike në veri me njësor dhe të bëjë faturimin, ndryshe rrezikon ta shkelë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit. Këtë detyrim ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës me anë të aktgjykimit të publikuar më 13 janar 2022.

“Gjykata fillimisht sqaron se objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetutshmëria e Aktit të kontestuar të Kuvendit, të 6 majit 2021, me të cilin: (i) është autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, thuhet në pikën dy të aktgjykimit i publikuar më 13 janar të këtij viti.

“(ii) është obliguar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”, thuhet më tej.

Kjo, pikë jo vetëm që obligon Qeverinë e Kosovës të shtrijë sistemin, përkatësisht instalimin e njësorëve, por edhe faturimin e konsumatorëve. Ndryshe, Qeveria bën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht edhe të sovranitetit të vendit.

Në aktgjykimin e bazuar në pretendimet e Blerta Deliut – Kodrës dhe 12 deputetëve tjerë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se Vendimi i Kuvendit të Kosovës i 6 majit për të paguar devijimet e KOSTT-it për energjinë e shpenzuar në veri të Kosovës nuk përbën shkelje kushtetuese. Por se shkelja do të ndodhë në rast se Qeveria nuk e shtrin sovranitetin energjetik brenda gjashtë muajsh.

Kuvendi i Kosovës kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.

Gjykata më tej sqaron se “bazuar në dokumentacionin e pranuar nga palët e interesuara, si rezultat i mosfaturimit të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, humbjet e energjisë elektrike janë regjistruar ‘si devijim i Kosovës ndaj sistemit të Evropës Kontinentale’. Pas shfuqizimit të Vendimit të lartcekur të ZRRE-së dhe deri në prill të vitit 2021, këto humbje, përkatësisht devijimet në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, janë mbuluar nga Buxheti i Republikës së Kosovës”.

Gjykata ka theksuar se si rezultat i mosfaturimit/mospagesës së energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër komunat e Republikës së Kosovës, konsumi i energjisë elektrike në këto katër komuna, është regjistruar si devijim.

Të ngjashme