Lajme
Zhvlerësohet Presidenca e Kosovës | Blerim Vela e braktisi presidenten Osmani për një punë në Shqipëri me OSBE-në
Demokracia
19:31 | 14 Dhjetor 2023

Share:

Presidentja Vjosa Osmani e kishte përzgjedhur Blerim Velën për shef të stafit të saj. Por, ai ia ktheu shpinën asaj për një punë në Shqipëri me të huaj. Pak ditë pas dorëheqjes së tij për të cilën Demokracia.com kishte raportuar ekskluzivisht, Vela është shfaqur në publik dhe është kuptuar për çfarë pune e ka braktisur ai presidenten Osmani.

Ish-shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, e ka braktisur punën e shefit në ekipin e saj për një punë në Misionin e OSBE-së, raporton Demokracia.com.

Të paktën kjo shihet nga disa fotografi të postuara nga uebfaqja zyrtare e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, ku pjesëmarrës si përfaqësues i OSBE-së në këtë tryezë ishte edhe Blerim Vela.

“QZ Shqiperi nisi sot Analizën e Zgjedhjeve Vendore 2023 në një aktivitet të bashkëorganizuar me OSCE Prezencë in Albania dhe Council of Europe Office in Tirana. Së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile, medias, organizatave ndërkombëtare dhe Policisë së Shtetit, po diskutojmë hapur mbi mësimet që kemi nxjerrë nga procesi zgjedhor i 14 Majit 2023 dhe procesi i verifikimit paszgjedhor. Kënaqësi të kemi mes nesh edhe një përfaqësi nga KQZ e Kosovës dhe Kryetarin Kreshnik Radoniqi”, ka bërë të ditur KQZ në Shqipëri, e cila e ka ilustruar takimin edhe më disa fotografi.

Në një qëndrim të saj, Presidenca kishte thënë se Vela kishte përfunduar angazhimin e tij për t’iu kthyer angazhimit profesional e familjar.

“Presidentja Osmani e ka falënderuar Velën për angazhimin e deritashëm dhe i ka uruar sukses në angazhimet e mëtejme”, thuhej në deklaratën e Zyrës së Presidentes.

Vela e kishte konfirmuar largimin edhe përmes një postimi në Twitter, pas publikimit të dokumentit nga Demokracia.com.

“Sot është dita ime e fundit në detyrën e Shefit të Stafit të Presidentes. Ishte nder dhe privilegj të shërbeja në Presidencë. Krenar për punën e bërë dhe përvojën e çmuar. Po i kthehem angazhimit tim profesional dhe familjes. Falënderoj kolegët në Presidencë, institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin”, ka shkruar Vela, i cili brenda kabinetit të Osmanit shihej goxha si përçarës i grupit të këshilltarëve të saj. /Demokracia.com/

Të ngjashme