Lajme
Zgjedhjet në Shqipëri| Incidente në Fushë-Krujë dhe Durrës, ndërpritet votimi
Demokracia
11:50 | 14 Maj 2023

Share:

Krahas problemeve teknike në disa qendra votimi në Shqipëri janë shënuar disa incidente. Një përplasje ndodhi mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Spitallë, atje ku dhe procesi i  votimit u ndërpre për 30 minuta.

Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë, për të cilin policia ka dalë me njoftim zyrtar. Një votues është përplasur fizikisht me një nga anëtarët e komisionit brenda qendrës së votimit.

“Një incident tjetër është raportuar dhe në Fushë-Krujë, komisioni i qendrës së votimit ka kërkuar ndihmën e efektivëve pasi një votues është konfliktuar me një anëtar të komisionit. Në debat e sipër ai e ka qëlluar me grusht. Tanimë situata është normale, ndërkohë që aty qëndron policia për të shmangur situata të ngjashme”, deklaroi gazetarja.

Ndërkohë policia bën me dije: Rreth orës 10:10, Komisioni i Qendrës së Votimit 1302-1, KZAZ Nr. 20, Fushë Krujë, me vendimin numër 1, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi në këtë qendër votimi një shtetas (votues) ishte konfliktuar me një anëtar të Komisionit. Shërbimet e Policisë, menjëherë pasi kanë marrë njoftim, kanë shkuar në Qendrën e Votimit 1302-1, ku ka rezultuar se shtetasi E. K., i cili kishte shkuar për të votuar në këtë Qendër, kishte debatuar me një anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, shtetasin I. H., dhe më pas e kishte goditur atë me grusht, për radhën e votimit.Shtetasi E. K. është shpallur në kërkim dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e tij”.

Të ngjashme