Lajme
“Zgjedhjet, mina që shkelëm në të”| Si u “penduan” ndërkombëtarët që i mbështeten zgjedhjet në veri
Demokracia
08:17 | 23 Korrik 2023

Share:

Bashkësia ndërkombëtare, specifikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kishin mbështetur zgjedhjet e 23 prillit për katër komunave në Veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – përkundër se ato ishin bojkotuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve – të cilët janë shumicë në atë pjesë të Kosovës.

Por, pasi që gjërat nuk shkuan mirë, dhe pas tensioneve të mëdha të krijuara atje, të njëjtit janë “penduar” për një gjë të tillë.

Kështu të paktën tha Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai në një intervistë për median austriake “Kurier”, duke folur për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel, dhe më pas e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë Veriut, deklaroi se rruga e cila të shpie deri te zbatimi i saj në përpikëri, për të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, është e minuar.

Minimi është bërë, sipas Lajçak-ut, për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat Veriore të Kosovës.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit në komunat veriore ishin njëri prej minave dhe për fat të keq ne shkelëm atë. Aktualisht fokusi ynë nuk është te normalizimi, por te menaxhimi i krizës”, pohoi top-diplomati sllovak.

Si i kishin mbështetur ndërkombëtarët zgjedhjet në Veri?

Dorëheqja e kryetarëve serbë nga katër komunat Veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – më 5 nëntor të vitit të kaluar, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat ilegale “KM” me ato zyrtare që i lëshon shteti i Kosovës “RKS”, kishte sjellë nevojën për zgjedhje të reja.

Fillimisht, ato ishin caktuar nga Presidentja e Kosovës që të mbahen me 18 dhjetor për krytetarë të komunave, ndërsa me 25 dhjetor për asambletë komunalë, mirëpo pas kërkesës së ndërkombëtarëve të njëjtat ishin shtyrë për 23 prill.

Shtyrja kishte ndodhur në mënyrë që t’i jepej hapësirë dialogut Kosovë-Serbi, dhe kështu të sigurohej që të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit politikë serbë, posaçërisht partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe.

Mirëpo, përkundër shtyrjes, serbët përsëri refuzuan pjesëmarrjen.

Por, refuzimi i serbëve nuk do ta pengonte bashkësinë e organizuar ndërkobëtare që t’i përkrahte këto zgjedhje.

Madje, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Veri, pra me 22 prill, Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ishin pozicionuar në krahun e Kosovës.

Përfaqësuesit e ShBA-së dhe Kosovës u dhanë mbështetje institucioneve të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve me 23 prill.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kishte bërë thirrje që zgjedhjet për kryetar të katër komunave me Veriore – të banuara me shumicë serbe – të mbahen në mënyrë të qet.

“Është e domosdoshme që zgjedhjet të mbahen në kushte paqësore dhe BE fton të gjitha palët që të tregojnë përmbajtje”, kishte thënë Stano.

Njëjtë si BE-ja, madje edhe më të qartë për mbajtjen e zgjedhjeve kishin qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kishte potencuar se vendi që ai përfaqëson nuk kishte ndryshuar qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Hovenier u bënte thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në zgjedhje.

“Të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”, deklaronte Hovenier.

Edhe më i qartë për këtë çështje ka qenë i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai pohonte se pavarësisht pjesëmarrjes rezultati i këtyre zgjedhjeve do të njihej.

“Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, theksonte Escobar.

Çka ndodhi më pas?

Pa as edhe më të voglin incident do të përmbyllej procesi zgjedhor me 23 prill, në katër komunat Veriore të Kosovës, madje edhe u përshëndetën nga ndërkombëtarët.

Siç edhe pritej, pjesëmarrja do të ishte e ulët, kjo pasi që serbët – që janë shumicë – i kishin bojkotuar tërësisht.

Dy komuna do t’i fitonte Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht Leposaviqin dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa në Zveçan dhe Zubin Potok, do të udhëhiqnin kryetarët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Deri tek procesi i betimit të këtyre kryetarëve, gjithçka kishte shkuar mirë.

Tensionet do të rriteshin, atëherë kur Qeveria e Kosovës, më 26 maj do të merrte vendim që t’i instalonte në zyrat e tyre katër kryetarët, çka kundërshtohej kategorikisht nga serbët lokalë.

Në mesin e tensioneve dhe përleshjeve në mes të policisë dhe serbëve lokalë, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq do të arrinin që të futshin në zyrat e tyre.

Ky vendim kishte alarmuar edhe parterët ndërkombëtarë, të cilët ishin mjaftë të ashpër në reagimet e tyre kundër Kosovës.

Madje, ShBA-ja – partneri më i rëndësishëm i Kosovës – në reagim e tij kishte thënë se ky veprim mund të vë në pikëpyetje aleancën në mes të dy vendeve.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, ku protestuesit e dhunshëm serbë, të prirë nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, kishin sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur më 14 qershor xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan vetëm pas presionit të madh të bashkësisë ndërkombëtare.

Pas këtyre ngjarjeve Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prezantuar një plan për de-eskalim, ku i kërkohet, veçanërisht Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë që ta shtensionojë situatën atje.

Refuzimi i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, kishte bërë që për herë të parë Kosova t’i vendoseshin masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, duke e futur vendin në një listë ku gjendet Federata Ruse apo Bjellorusia.

Vetëm pas masave ndëshkuese qeveria do të reflektonte, ku do ta pranonte një pjesë të planit të de-eskalimit, si zvogëlimi për 25 për qind i Policisë së Kosovës nga objektet komunale të komunave Veriore, si dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja atje.

Mirëpo, këta hapa, nuk po konsiderohen të mjaftueshëm për BE-në në mënyrë që të largohen masat ndëshkuese.

Të ngjashme