Lajme
Zëvendësimi i targave, sipas “urdhrit të Vuçiqit”
Demokracia
18:06 | 04 Korrik 2022

Share:

Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fton pjesëtarët e komunitetit serb që t’i përgjigjen procesit të riregjistrimit të veturave me targa RKS (Republika e Kosovës), sytë e tyre janë drejtuar nga Beogradi zyrtar.

“Unë vozis [veturë me] targa KM [Mitrovicë e Kosovës], jam në pritje të vendimit të shtetit serb”, tha për Radion Evropa e Lirë, Filip Kovaçeviq, nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 29 qershor, veturat me targat e qyteteve në Kosovë, të cilat ende lëshohen nga autoritetet serbe, do të mund të zëvendësohen me targa RKS (Republika e Kosovës) brenda periudhës 1 gusht deri më 30 shtator.

Këto janë kryesisht vetura me targa KM (Mitrovicë e Kosovës), ndërsa ato me qytete në jug të Ibrit, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), janë shfuqizuar dhjetë vjet më parë.

Heqja e këtyre tabelave ishte paraparë në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën në vitin 2011, por ajo nuk u zbatua asnjëherë në veri të Kosovës. Prishtina zyrtare deri vitin e kaluar ka toleruar përdorimin e targave KM, edhe pse i konsideronte të paligjshme.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10,000 vetura me targa KM, të cilat janë lëshuar nga Zyra serbe e Policisë për Mitrovicën, me seli në Rashkë, qytet në Serbi.

Filip Kovaçeviq nga Mitrovica e Veriut thotë se është në pritje të vendimit të Serbisë për targat dhe shton se do të veprojë sipas “urdhrit të shtetit”.

“Ka shumë vetura dhe nëse serbët vazhdojnë të refuzojnë të riregjistrohen, atëherë do të jetë problem i madh konfiskimi i automjeteve… askush nuk do të japë pronën e tij, është pronë personale”, thotë ai.

As Zhivorad Illiq nuk do ta riregjistronte veturën e tij me targa RKS nëse “shteti [i Serbisë] nuk merr një vendim të tillë”.

“Nëse shteti merr një vendim, [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, atëherë në rregull”, thotë Iliq.

Me bashkëqytetarët e tij pajtohet edhe Zorani nga Mitrovica e Veriut.

“Unë jam shtetas i Serbisë, jo i Kosovës”, thekson Zorani.

Të gjithë ata shpresojnë se autoritetet e Kosovës nuk do t’ua konfiskojnë targat dhe veturat nëse nuk riregjistrohen brenda afatit të caktuar kohor.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, riregjistrimi i tabelave RKS do të jetë i vlefshëm për të gjitha automjetet e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Gjithashtu theksohet se pas afatit nuk do të mund të bëhet riregjistrimi i veturave me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia.

“Ministria e Punëve të Brendshme [e Kosovës] merr përsipër të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për realizimin e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Deri në publikimin e këtij teksti, askush nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me veprimet përgatitore për zbatimin e procesit të riregjistrimit dhe as cilët do të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës nëse qytetarët në veri refuzojnë të riregjistrojnë veturat e tyre.

Më herët, kryeministri Kurti kishte paralajmëruar “konfiskimin” e targave KM, pasi ato kishte thënë se janë të paligjshme.

Më 3 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët drejtojnë vetura, siç tha ai, me targa të paligjshme të qyteteve në Kosovë dhe të lëshuara nga autoritetet serbe, që të bëjnë riregjistrimin në targa RKS (Republika e Kosovës).

Kurti iu drejtua serbëve të Kosovës në gjuhën serbe.

“Për të siguruar që procesi i regjistrimit të automjeteve të jetë sa më i lehtë, nuk do të ketë nevojë për doganë. Ky është një koncesion i madh, duke pasur parasysh se pagesa doganore për automjet do të ishte rreth 5,000 euro. Për regjistrimin e parë nuk do të kërkohet kontroll teknik i veturës”, ka deklaruar Kurti në një mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Facebook.

Kurti ka shpjeguar se riregjistrimi i automjeteve do të jetë i mundur në një nga 33 qendrat e regjistrimit në mbarë Kosovën, duke përfshirë edhe komunat në veri.

Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se targat serbe në Kosovë nuk janë të paligjshme, por se ekzistojnë në bazë të ligjeve të Serbisë dhe Marrëveshjes së Brukselit.

“E vetmja gjë që është e paligjshme është mosrespektimi dhe shkelja e marrëveshjes, e sigurisht jo targat e KM! Ky provokim dhe tentativë për konfiskimin e veturave serbe nuk do të kalojë”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në Twitter.

Lidershipi serb ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Prishtinës për caktimin e afatit për riregjistrimin e veturave.

Një nga deklaratat e fundit për këtë temë erdhi nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila më 3 korrik tha për RTV Pink të Beogradit se “presioni, terrori dhe ngacmimi i vazhdueshëm” i serbëve në Kosovë po vazhdon.

Të ngjashme