COVID-19KosovaSot:258Të gjitha:230,395|Bota 557,809,123
Intervista
Zbehen shpresat për liberalizim të vizave
Demokracia
10:54 | 23 Qershor 2022

Share:

Brukseli do të ketë vëmendjen kryesore të qytetarëve kosovarë të enjten. Kryeqendra evropiane sot dhe nesër do të jetë nikoqir i liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian.

Ani pse, tema e liberalizimit të vizave nuk është përfshirë në agjendën formale të Samitit të BE-së, e njëjta mund të diskutohet, por, nga njohësit e integrimeve evropiane konsiderohet se ka pak gjasa që t’i jepet drita e gjelbër largimit të regjimit të vizave për Kosovën.

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, thotë se gjasat janë të vogla që të ketë vendimmarrje për liberalizim të vizave.

Këtë ai e bazon në takimin parapërgatitor për mbajtjen e këtij samiti.

Sipas tij, maksimumi që mund të ndodh është diskutimi për liberalizim të vizave, megjithatë edhe këtë e vë në pikëpyetje.

“Gjasat janë të vogla që të ketë ndonjë vendimmarrje konkrete sa i përket kësaj çështje. Maksimumi që mund të ketë është një diskutim. Këtë e them bazuar në takimin përgatitor, ku janë takuar ministrat e jashtëm të BE-së për të përgatitur samitin të liderëve, kryeministrave dhe presidentëve. Aty kur përfundoi takimi, u bë e ditur se kush ishin temat kryesore të takimit dhe liberalizimi i vizave nuk ishte një nga ato temat që ata thanë se ishin diskutuar. Nga kjo kuptojmë se çështja e liberalizimit të vizave nuk do të ketë së paku një vendimmarrje. Maksimumi që mund të ketë është një diskutim, por edhe kjo është pikëpyetje”, thotë ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, thotë për KosovaPress se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodh sa më shpejtë që është e mundur.

Ai thotë se vonesa në këtë drejtim është një diskriminim i pakuptimtë që po i bëhet Kosovës.

“Kjo është një e drejtë e munguar, një diskriminim i pakuptimtë që iu ka bërë Kosovës. Unë vërtet besoj që tani duhet të ngritën gjitha alarmet që liria e lëvizjes për qytetarët e Kosovës të mundësohet sa më shpejtë që është e mundur, sidomos para përfundimit të këtij viti. Pasi s’ka asnjë kuptim dhe arsyetim që kjo të vazhdojë”, deklaron ai.

Mbështetjen për liberalizim të vizave e përsëriti dje presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkohë, po ashtu dje, u dhanë sinjale pozitive për ndryshim të pozicionit të Holandës sa i përket liberalizimit të vizave.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes pa viza në zonën schengen të BE-së, megjithëse i ka plotësuar gjitha kriteret e vendosura nga BE-ja prej katër vitesh.

Të ngjashme