Sport
Xavi thotë se Barça nuk duhet të shndërrohet në Manchester United
Demokracia
18:49 | 23 Prill 2022

Share:

Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka treguar vështirësitë për të garuar për trofe pas largimit të Lionel Messit, por thotë që gjiganti katalunas nuk mund të përballojë që të kalojë nëpër vështirësitë që momentalisht është duke kaluar skuadra angleze Manchester United.

Këtë të diele Barcelona do të përballet me skuadrën e Rayo Vallecanos, ku momentalisht skuadra e Xavit gjendet plot 15 pikë larg liderit të tabelës, Real Madridit, përcjell KosovaPress.

Pasi që trajneri i kaluar, Ronald Koeman, e la Barçën në vendin e nëntë në tabelë, Xavi ka arritur ta ngritë klubin përsëri, dhe po synon që të përfundojë brenda Top 4 në një sezon jo të mirë të “Blaugranëve”.

Edhe pse Xavi është i vetëdijshëm që Barcelona duhet të jetë e durueshme në garën për trofe pasi që e humbën yllin Lionel Messi drejt Paris Saint-Germain, trajneri spanjoll tha që klubi nuk mund të përballojë që të humbas futbollin në Ligën e Kampionëve, duke theksuar “Djajtë e Kuq” si shembull të një emri të njohur që vazhdon tani luftën për t’u kualifikuar në këtë garë.

“Jemi në vitin e parë të kohës pa Messin, duhet të jemi të durueshëm. Kemi parë shumë ekipe të mëdha, si Manchester United, ku për ta ka qenë e vështirë që të këndellen dhe të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve. Barça nuk duhet ta lejojë atë gjë. Ne duhet të luftojmë për trofe, ne duam të garojmë”, tha Xavi.

Momentalisht, pas 32 ndeshjeve të zhvilluara, gjiganti katalunas Barcelona zë vendin e dytë në tabelë me gjithsej 63 pikë të arkëtuara, plot 15 sosh larg vendit të parë dhe rivalit të përbetuar, Real Madridit.

Të ngjashme