Lajme
Vuçiq: Gjërat kanë dalë jashtë kontrollit, do të kërkojë seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
Demokracia
14:03 | 06 Korrik 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 6 korrik se do të kërkojë një bisedë me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

Ai tha se do të kërkojë që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë KFOR-in që – bazuar në detyrimet e Rezolutës 12 44 – të parandalojë çdo veprim të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë të Kosovës, që “kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë”, për të kryer “çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura”.

Vuçiq tha se Serbia bëri gjithçka që mundi për të shtensionuar situatën në Kosovë, por se në Kosovë po kryhet një “aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik” të serbëve, i cili është “mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.

Sipas tij, në Kosovë po bëhet “kriminalizimi i popullit serb”.

Në këtë kontekst, ai komentoi edhe deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kearns, se armët nga Serbia në Kosovë po kontrabandohen me automjete emergjente dhe se ato “magazinohen” në objektet e Kishës Ortodokse Serbe.

Deputetja britanike, njëherësh kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit britanik, Alicia Kearns, këtë deklaratë e bëri në Parlamentin britanik më 4 korrik.

Vuçiqi u shpreh se Kearns është “lobuese” për Kosovën.

“Ne po bëjmë një hetim ndaj jush, për të parë se kush po ju paguan gjithçka”, u shpreh Vuçiq.

Të ngjashme