Lajme
Vuçiç: Ka presion për njohjen e Kosovës, situata për çështjen e dinarit s’ka ndryshuar
Demokracia
11:27 | 02 Mars 2024

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, ka potencuar se komuniteti ndërkombëtar po i bën presion Beogradit zyrtar në tri gjëra, njëra ndër ta është edhe njohja e Kosovës.

Përveç kësaj, sipas Vuçiç-it, Serbisë po i kërkohet edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe heqja dorë nga Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

“Perëndimi dëshiron kthimin e regjimit të vjetër ‘kukull’ në Serbi meqë ata janë më të lehtë të menaxhuar. Kështu ata do ta njihnin Kosovën, vendosnin sanksione ndaj Rusisë dhe do të ishin kundër lidhjeve ekonomike me Kinën”, ka potencuar ai.

Në rolin e viktimës siç rëndom bën, Vuçiç, ka vlerësuar se situata në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, nuk është përmirësuar as pas përpjekjeve të Perëndimit për ta bindur Prishtinën zyrtare që ta ndryshojë qëndrimin e saj.

Prandaj, Vuçiç, ka potencuar se në një të ardhme të afërt Serbia do të detyrohet të marrë vendime për këtë çështje, pa specifikuar se për çfarë vendime bëhet fjalë.

“Do të gjejmë zgjidhje alternative për dërgimin e parave për serbët në Kosovë”.

Të ngjashme