Lajme
Vranë 32-vjeçaren në Durrës, arrestohen autorët
Demokracia
11:11 | 03 Gusht 2023

Share:

Policia ka bërë me dije se është finalizuar operacioni policor i koduar “Deluzion”, për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së 32-vjeçares, e cila u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, paraditen e djeshme.

Ajo thotë se ka arrestuar dy autorët e dyshuar, të cilët vranë me mjet prerës (thikë), 32-vjeçaren, pas një konflikti për motive të dobëta me të.

Gjithashtu janë proceduar penalisht tre shtetase që kanë qenë prezentë gjatë ngjarjes, për moskallëzim të krimit.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 32-vjeçarja, dy autorët e vrasjes dhe tre shtetaset e proceduara, gjatë ngjarjes së ndodhur poshtë urës së Dajlanit, kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Në vijim të këtyre veprimeve, u vunë në pranga shtetasit A. B., 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Y. G., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e thelluara të kryera menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se rreth orës 01:00 të datës 02 gusht, poshtë urës së Dajlanit, Durrës, 32-vjeçarja është konfliktuar me shtetasit A. B. dhe Y. G., për motive të dobëta (pasi kanë konsumuar lëndë narkotike kokainë, së bashku me shtetaset B. S., M. M. dhe me një 15-vjeçare).

Gjatë konfliktit, shtetasit A. B. dhe Y. G. kanë goditur me mjet prerës (thikë) shtetasen L. P., e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./Albania Post/

Të ngjashme