Lajme
Vjosa Osmani krenohet për marrëdhënie të veçanta me Vatikanin, që Kosova i ka nga shpallja e pavarësisë
Demokracia
20:00 | 12 Janar 2024

Share:

“Kosova hap misionin special në Vatikan”, ky ishte lajmi që gjatë ditës së sotme doli nëpër media, me të cilin u krenua presidentja Vjosa Osmani.

Osmani përmes një postimi në platformën X tregoi se ka takuar Papa Françeskun në Vatikan dhe me këtë rast bëri me dije se ‘Republika e Kosovës ka hapur misionin special në Selinë e Shenjtë’.

“Kjo është një e arritur e madhe për Kosovën dhe një kapitull i ri në marrëdhëniet Kosovë-Vatikan, për të cilat ne angazhohemi që të thellohen”, tha ajo.

Mirëpo, ky proces nuk ka nisur dhe nuk ka përfunduar me Vjosa Osmanin, shkruan Demokracia.com.

Kosova hap misionin special në Vatikan

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë janë në relacione paradiplomatike që nga shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe misioni i posaçëm është thjesht një hap tutje.

Saktësisht më 17 shkurt 2008, zëdhënësi i Papa Benediktit, Ati Lombard, në deklaratën për media në mes tjerash e pranon gjendjen faktike duke ofruar dialog. Kjo ishte në një formë njohje implicite e Kosovës nga Selia e Shenjtë. Ndërkaq, përgatitjet për thellim të marrëdhënieve janë proces i gjatë në mes Selisë së Shenjtë dhe të gjitha qeverive dhe presidentëve të deritashëm.

Madje, “misioni special” me Vatikanin është i rregulluar edhe me Konventën për Misionet e Veçanta të vitit 1969.

“Ky hap ndërmerret bazuar në Konventën për Misionet e Veçanta (1969), që rregullon hapjen e misioneve speciale në mes vendeve që nuk njohin njëri-tjetrin”.

Në vitin 2009, një vit pasi Kosova e kishte shpallur pavarësinë, Vatikani kishte emëruar Nuncin në Lubljanë si Delegat Apostolik, ndërsa Kosova kishte emëruar person përgjegjës në rang të Ambasadorit po atë vit, Ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Vilson Mirditën.

Pastaj, ky komunikim ishte vazhduar me Ambasadorin në Lubljanë, Nexhmi Rexhepin. Më pastaj, përfaqësues të Kosovës ishin rangjet e zëvendësministrave, përkatësisht zëvendësministrit Emanuel Demaj dhe zëvendësministrit tjetër, Anton Berisha. Njëkohësisht, më pas presidenti Thaçi kishte emëruar edhe ambasadoren Bukurije Gjonbalaj, ndërsa më vonë u emërua zëvendësministrja Teuta Sahatqija.

Së fundmi, presidentja Osmani emëroi këshilltarin e saj Vehbi Miftarin si kontakt person prej Kosovës. Por, relacionet paradiplomatike krejt të veçanta (taylor made) në mes të Kosovës dhe Selisë së Shenjtë u vendosën shumë më herët, që ishte edhe njohje implicite e Kosovës nga Vatikani. /Demokracia.com/

DOKUMENTE | Këshilltari i Vjosa Osmanit me seancë të mbyllur e kryen procedurën për Ambasador në Vatikan, pritet dekreti i shefes së tij

Të ngjashme