Lajme
VIDEO| Premtimi i Kurtit për reciprocitetin nga ‘çështje ditësh ose javësh’ në ‘kur t’mujmë’ 
Demokracia
14:20 | 22 Mars 2022

Share:

Një deklaratë e Albin Kurtit për reciprocitetin me Serbinë, teksa po synonte karrigen e kryeministrit në prag të zgjedhjeve të shkurtit, ku shumë sondazhe e vendosnin të parin, ishte bërë virale, dhe vazhdon të jetë edhe sot.

Në një debat televiziv kosovar, Kurti do të premtonte vendosjen e reciprocitetit me Serbinë duke konstatuar se ishte një vendim që ai parashikonte ta merrte ‘në çështje ditësh, ose javës e kurrsesi muajsh’.

“Reciprociteti është më thellë se plan sepse është parim. Pra ka një dimension normativ dhe derivon nga koncepti i barazisë, është parim i shëndosh i marrëdhënieve ndërkombëtare. Reciprociteti është gjëja më e zakonshme e një shteti. Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Është njëra prej gjërave t’para që do të bëjë”, pati deklaruar Kurti, shkruan Periskopi.

Pas fitores mbi 50% të Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit, reciprociteti nuk u vendos dhe vazhdon të mos jetë i vendosur as sot.

Arsyetimi i kryeministrit për mosmbajtjen e këtij premtimi elektoral, është se ‘kur të vendoset reciprociteti, duhet të vendoset në atë mënyrë që të mos dështojë më’. Por se kur do të vendoset, duket se askush nuk e di –madje as vet kryeministri.

Se reciprociteti (kurdo që është e thënë) të vendoset, duhet të vendoset fort mirë, e thotë edhe vartësja e Kurtit, znj.ministre Rozeta Hajdari, sa herë që pyetet nga gazetarët lidhur me cështjen e vendosjes së reciprocitetit.

“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë (në iniciativa rajonale), Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, deklaroi Hajdari.

Përgjigja e fundit e saj, siç e transmetoi Periskopi kohë më parë, ishte se ‘kur të vendoset reciprocitet, do të vendoset mirë’.

Kompleksitetin e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, qoftë në aspektin e organizimit logjistik e qoftë në aspektin e veprimit politik, mund ta kuptojmë. Por ajo që nuk kuptohet në këtë rast, është lehtësia e kryeministrit Kurti për të premtuar veprime me precizitet dhe të detajuara, në kohën e fushatave elektorale.

I ngjashëm me premtime, ishte edhe në vite më të hershme, kur premtonte uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, duke dhënë premtime centëm-cent si dhe kur fliste për rrymën e shtrenjtë që e paguajnë qytetarët.

Të ngjashme