Lajme
VIDEO/ Perandoria “Berisha”, i gjithë shteti në shërbim të familjes
Demokracia
21:11 | 29 Tetor 2023

Share:

“Ndiq paratë”. Kjo frazë nisi të bëhej e famshme pas filmit të vitit 1976, “All the President’s Men”. Aty dëshmohej se si mund të zbulohej korrupsioni politik duke shqyrtuar transfertat e parave.

Sot, kjo frazë është teoria thelbësore e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tashmë e vënë në praktikë nga SPAK. Të fuqishmit po bien një e nga një nga froni. Këtë herë është radha e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit dhe familjes së tij.

SPAK ngriti akuzën e korrupsionit për të dhe Gjykata e Posaçme vendosi masën “detyrim paraqitje”. I bllokoi edhe pasaportën duke ia ndaluar në këtë formë largimin nga Shqipëria. Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua. Përveç prangosjes nisi edhe sekuestrimi i 23 pasurive të tij, të ndara në llogari bankare, apartamente, njësi shërbimi dhe shoqëri tregtare.

Në një dosje voluminoze, prej afro 200 faqesh, SPAK rendit të gjitha argumentet se si një kryeministër ka vënë shtetin në shërbim të familjes së tij. Ka ndryshuar ligje, ka bërë disa të rinj, ka ngritur agjenci e zyra, të gjithë në funksion personal. Madje ka bërë presion e shkarkuar nga detyra këdo që i ka dalë kundra. SPAK tashmë ka në dorë paligjshmëritë e institucioneve dhe procedurat e dyshimta për tjetërsimin e pronës.

Gjithçka që dukej e kopsitur mirë, me ligje e VKM të bëra enkas për një qëllim, doli në sipërfaqe nga dosja “Partizani”. Privatizimi i ish-Klubit “Partizani” duket se ka qenë një plan i mirëmenduar, madje një synim i përcaktuar qartë që ditën kur Partia Demokratike erdhi në pushtet në vitin 2005. Gjithçka nisi me firmën që Sali Berisha hodhi mbi një vendim, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit. Sipërfaqen prej 0.7 hektarësh që ndodhej brenda kompleksit sportiv Partizani, ai e ktheu nga zonë sportive në zonë banimi. Nga këtu nisi të ndryshojë gjithçka.

Si kryeministër i vendit, Sali Berisha ushtroi ndikimin e tij duke shfrytëzuar çdo institucion që kishte në varësi. Berisha ndryshoi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Hoqi disa kufizime duke lejuar kthimin e pronave në administrim nga Ministria e Mbrojtjes nëse janë jashtë strukturave të Forcave të Armatosura. Po ashtu, ky ligj u kthen ish-pronarëve ndërtimet e përhershme që nuk përdoren për interes publik dhe deri në privatizim shteti i paguan qira ish-pronarit. Me propozim e Berishës u krijua edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, aktiviteti i së cilës përcaktohej nga Këshilli i Ministrave dhe jo nga Kuvendi siç përcaktohej më parë. Edhe emërimet e drejtuesve të saj bëheshin me propozimin e tij.

Në këtë formë e më shumë makinacione të tjera, ndodhi që nga 213 prona të Ushtrisë, e vetmja që u është kthyer pronarëve rezulton të jetë ish-kompleksi Sportiv Partizani. Dhe jo një herë. Ata janë kompensuar për këtë pronë edhe në vitin 1940 nga Italia me monedha ari, kur aty ishte planifikuar të ndërtohej një aeroport. Në atë kohë zona njihej si Shëngjin, sot ish-fusha e aviacionit.

Kompleksi Partizani

Aty ku dikur dominonte gjelbërimi i fushave sportive, sot dominon betoni. Kollona e mure të larta të ngritura me shkresa, prokura, ligje, akte nënligjore e VKM të thurura me një qëllim të vetëm, pasurimin e një grushti njerëzish. Mbi truallin sportiv ku dikur ishte kompleksi shumësportësh Partizani, sot janë ngritur 17 godina banimi e njësi shërbimi, që vlejnë dhjetëra miliona euro. Por paligjshmëria në privatizimin e terrenit ku ishte i ndërtuar ish-klubi Partizani i ka rrënjët edhe më të thella. Pesë familjeve ish-pronare u është kthyer një truall për të cilin ishin dëmshpërblyer edhe një herë më parë, në vitin 1940.  Italia fashiste, pas pushtimit në vitin 1939, kishte ndërtuar në atë sipërfaqe toke aeroportin e Tiranës.  Një dekret i Viktor Emanuelit, bëri shpronësimin e familjeve shqiptare, pronare të atij trualli, që në atë kohë njihej si Shëngjin. Mes familjeve që u shpronësuan, duke u dëmshpërblyer, ishin edhe Mahmut dhe Xhemal Begeja, që janë paraardhësit e Jamarbër Malltezit. Ata ishin një nga 13 familjet që ishin shpronësuar dhe kishin marrë pagesën. Në vitin 1994, Luan Malltezi, babai i Jamarbër Malltezit, që në atë kohë ishte drejtor i Arkivës, informonte Gjykatën dhe Bashkinë, se ekzistonin disa dekrete për truallin tek ish-fusha e Aviacionit, që provonin shpronësimin e ish-pronarëve. Në këtë formë, familjet ish-pronare, ishin dëmshpërblyer një herë dhe nuk mund të trajtoheshin më në zbatim të ligjit për kthimin dhe kompensimin e tokave. Ajo tokë ishte pronë shtetërore.

Në dosjen e SPAK thuhet se, përgjatë viteve ‘95-’96-’97-’99, trashëgimtarëve të familjeve ish-pronare, Begeja, Alimehmeti, Vaqarri, Saliaga dhe Llagami u janë njohur pjesërisht pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Gjithashtu u është njohur edhe e drejta e parablerjes së objekteve në këtë territor.

Por pronat që zotëroheshin nga Ministria e Mbrojtjes nuk mund të privatizoheshin, pasi këtë nuk e lejonte as ligji.

Deri në vitin 2006, nuk ka pasur asnjë zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këto prona, sa i përket familjeve të njohura pronare, për pjesën e pakthyer. Por këto objekte dhe territore, kanë vijuar të qëndrojnë në varësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Kulturës. Kjo, sipas VKM nr.312, datë 15 maj 2003 “Për ndryshimin e varësisë së klubit sportiv shumësportësh Partizani nga Ministria e Mbrojtjes tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” dhe VKM nr.515, datë 18 korrik 2003 “Për miratimin e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë kësaj periudhe, Klubi Shumësportësh Partizani, në varësi të Ministrisë së Kulturës, ka arritur të funksionojë normalisht, duke pasur edhe fonde për investime, ndërkohë që Klubi i Futbollit Partizani, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, është përfshirë në disa marrëdhënie tregtare. Fillimisht me një shoqëri të huaj italiane e më pas me shoqërinë Partizani sh.a. Qëndrimet e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me shoqërinë Partizani kanë qenë të paqarta, pasi në kohët që pretendohej se kjo shoqëri nuk kishte  asnjë lidhje me Ministrisë e Mbrojtjes, nga ana tjetër Partizani sh.a., ashtu sikurse ishte parashikuar në aktin e themelimit dhe statusin e saj, përdorte emrin dhe stemën e Klubit ekzistues Partizani. Kjo e bënte Ministrinë e Mbrojtjes aksionere të kësaj shoqërie.

Por, ashtu siç theksohet në dosjen e SPAK, në shtator të vitit 2005, krijohet qeveria e re me kryeministër Sali Berishën dhe në Ministrinë e Mbrojtjes emërohet ministër Fatmir Mediu, në Ministrinë e Ekonomisë, Genc Ruli dhe në Ministrinë e Kulturës, Bujar Leskaj.

Me ardhjen në pushtet të kryeministrit Sali Berisha, konstatohet se familjet e njohura pronare në territorin e Klubit Partizani, fillojnë të paraqesin kërkesa për privatizimin e terreneve dhe objekteve të këtyre klubeve. Po në vitin 2005 shfaqet një reagim i menjëhershëm nga ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili me një shkresë të datës 14 nëntor 2005, i parashtron ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli propozimin për miratimin e privatizimit të objekteve dhe terreneve sportive të Klubit “Partizani”.

Familjet e njohura pronare, të vetëidentifikuara si “Bashkësia Kroi i Shëngjinit”, i janë drejtuar me kërkesë edhe Ministrisë së Turizmit, që në atë kohë drejtohej nga Bujar Leskaj. Referuar shkresës së datës 28 mars 2006 të zv.ministrit të Turizmit Neritan Alibali, u është përgjigjur këtyre familjeve duke thënë se nuk ka një platformë për privatizimin e këtyre pronave. Por qëndrimi i Ministrisë ndryshon në kohën që emërohet ministër Turizmi Ylli Pango, i cili shpreh dakordësinë për privatizimin, me shkresën e datës 4 janar 2008, drejtuar ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli.

Pasi ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu shpreh miratimin për kryerjen e privatizimit, konstatohet se nga muaji janar 2006 e në vijim, një pjesë e familjarëve të njohur si ish-pronarë zgjedhin si përfaqësues të tyre Jamarbër Malltezin, i cili ishte lidhje e afërt familjare e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berishës, konkretisht bashkëshorti i vajzës së tij.

Në prokurat e përfaqësimit që i janë dhënë Jamarbër Malltezit nga familjet ish-pronare, i japin tagrin e ngjashëm me veprimet që kryen Komiteti Shtetëror i Pronave dhe Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave. Bien dakord që të lidhet me firma ndërtuese dhe që për arritjen e qëllimit, i vënë në dispozicion përfaqësuesit të tyre një kapital që fillon nga 3 deri në 5 për qind të pasurisë së tyre të paluajtshme për krijimin e një fondi rezerve, i parashikuar për përballimin e shpenzimeve emergjente.

Nga hetimet që ka kryer SPAK, nuk ka evidentuar ndonjë dokument ku të jetë materializuar vendosja e këtij fondi rezerve, por dukshëm rezulton që ky fond shfaqet si shpërblim i premtuar për Jamarbër Malltezin, me qëllim kthimin e pronave dhe lidhjen me firmat ndërtuese.

SPAK evidenton edhe faktin se firma ndërtuese që vijon e shfaqet në marrëdhënie me këto familje pronare, është shoqëria “Kontakt”, e cila ka ortak Fatmir Bektashin, që gjithashtu është përfitues i këtyre pronave, si rrjedhojë e trashëgimit.

Pra, roli dhe pozicioni i Jamarbër Malltezit, që do të kryejë veprime në drejtim të kontaktimit me firmën ndërtuese, ngre dyshime, për shkak se vetë pronarët e njohur të këtyre pronave mund të kontaktoheshin drejtpërdrejt nga Fatmir Bektashi, që ishte pjesë e bashkësisë së tyre e njëkohësisht i interesuar për të kryer ndërtime në atë zonë, siç edhe rezultoi në vijim.

Nga aktet e administruara nga SPAK, rezulton se roli i dhëndrit të Sali Berishës në drejtim të firmës ndërtuese, ka qenë marrëdhënia që ai mund të krijonte me institucionet shtetërore ku ishte e nevojshme marrja e lejeve, ndryshimi i destinacionit të zonës, etj. Në kontratën e datës 22 maj 2006 të lidhur nga njëra anë me trashëgimtarët Begeja, të përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi dhe nga ana tjetër shoqëria “Kontakt”, e përfaqësuar nga Fatmir Bektashi, nga ana e shoqërisë është marrë përsipër ndryshimi i destinacionit të zonës ku ndodhet trualli, nga zonë sportive në zonë banimi, marrja e lejes së ndërtimit, e sheshit, etj.

Referuar nenit 62 të ligjit për urbanistikën, përcaktohet se:

KRRT-të e rretheve, të bashkive të qyteteve të kategorisë së parë, të Bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH, nuk kanë të drejtë të miratojnë asnjë ndërtim të përhershëm ose provizor kashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara ne territore pronë publike të tilla si; terrene sportive të përcaktuara dhe interpretuara në Rregulloren e Urbanistikës. Ndërtimet që mund të bëhen janë vetëm ato të përcaktuara në studimin urbanistik në përputhje të plotë me funksionin e miratuar.

Për rastet e pronave të kthyera nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, kur këto prona gjenden në territore të tilla, KRRT-të e të gjitha niveleve nuk kanë të drejtë të ndryshojnë destinacionin e përcaktuar në studimin e miratuar. Në këto raste pronarët e tokave kanë të drejtë të kërkojnë kompensim sipas ligjeve në fuqi.

Por pavarësisht parashikimeve të ligjit, rezulton se premtimi i bërë në kontratë është realizuar, pasi me vendimin e datës 8 qershor 2006 të kryetarit të KRRT-së, Bashkia Tiranë, është vendosur ndër të tjera që të miratohet kërkesa për ndryshim të destinacionit për zonën rruga “Frosina Plaku” dhe rruga e planit rregullues nga zonë sportive në zonë banimi. Ky vendim hyn në fuqi pas miratimit nga KRRTRSH.

Më 21 nëntor të vitit 2006, Sali Berisha në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, firmos vendimin nr.4, duke miratuar ndryshimet në planin rregullues të qytetit të Tiranës, në lidhje me zoonimin funksional për disa zona të qytetit. Këtu përfshihet zona me sipërfaqe 0.7 hektar në rrugën “Frosina Plaku”, e cila ndryshon nga zonë sportive në zonë banimi.

Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga topografi referuar plan vendosjes, zona për banim ndodhet brenda Klubit Shumësportësh Partizani, në kufirin jugperëndimor të tij, brenda sipërfaqes së njohur dhe më pas kthyer familjes Begeja.

SPAK

Siç lehtësisht mund të konstatohet, ky është një ndër veprimet e para të kryeministrit të kohës, Sali Berisha, ku mund të evidentohet qartësisht konflikti i interesit, pasi si vjehrri i Jamarbër Malltezit, ai ndërmerr veprime për ndryshim destinacioni nga zonë sportive në zonë banimi, pikërisht në territore, në të cilat marrin jetë dhe zhvillohen një tërësi ndërtimesh të kryera nga shoqëria “Kontakt”, e cila siç rezultoi në vijim, është bashkëpunëtore e ngushtë me shoqërinë “Homeplan”, ku ortak në këtë të fundit është Jamarbër Malltezi.

Në lidhje me veprime që Jamarbër Malltezi do të kryente në Komitetin Shtetëror të Pronave, konstatohet se përgjithësisht ai nuk ka kryer ndonjë veprim të dukshëm, pasi kërkesat janë përgatitur nga trashëgimtarët respektivë, sipas përfaqësuesve të tjerë të caktuar nëpër prokura, por është evidentuar se herë pas here vendosen si adresa kontakti ato të Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi. Në ndërthurje të gjithë analizës, konkludohet se roli i Jamarbër Malltezit ka qëndruar i fshehur në lidhje me institucionet shtetërore.

Në kohën që Ministria e Mbrojtjes fillon të ketë probleme në lidhje me Klubin e Futbollit Partizani, pasi evidentohet se në disa dokumente pasqyrohet si e përfshirë në planin e përhapjes e në disa të tjera jo, nuk po arrihej regjistrimi në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme i kësaj prone. Nuk po merren në dorëzim nga Komanda e Mbështetjes Logjistike dhe nga ana tjetër Ministria e Turizmit nuk shprehej për privatizimin e Klubit Shumësportësh Partizani, afati për të paraqitur kërkesa në Agjencinë e Kthimit të Pronave përfundon.

Atëherë nga Këshilli i Ministrave, në kohën që kryeministër ishte Sali Berisha, propozohen ndryshime të ligjit të vitit 2004 për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke u miratuar ligji nr. 9583, datë 17 korrik 2006, duke hyrë në fuqi në gusht 2006, ku afati ndryshohet duke u bërë deri më datë 1 tetor 2007.

Por ndryshimet që pësoi ligji në këtë kohë, nuk kishin të bënin vetëm me afatin, por edhe me kufizimet në lidhje me kthimin e pronave. Kufizime që u hoqën dhe u vendos që subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu u kthehen ish-pronarëve edhe kur ndërtimet e përhershme dhe të ligjshme të pronarit shtet nuk përdoren më për interes publik dhe madje deri në privatizimin e objektit, shteti detyrohet t’i paguajë subjektit të shpronësuar çmimin e qirasë.

Ndryshimet e këtij ligji sollën edhe ndryshime në organizimin e Komitetit Shtetëror të Kthimit të Pronave, i cili deri në atë moment kishte anëtarë që emëroheshin dhe shkarkoheshin nga Kuvendi. Ndërkohë u vendos krijimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku mënyra e organizimit dhe e funksionimit të saj, si dhe procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara, përcaktohej nga Këshilli i Ministrave sipas VKM-së nr. 566, datë 23 gusht 2006, të miratuar me vendim të kryeministrit, Këshillit të Ministrave. Edhe organika e struktura e AKKP-së përcaktoheshin me urdhër të kryeministrit.

Kjo VKM përcaktonte edhe detyrimin për raportim e informim tek kryeministri të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP. Drejtori emërohej, lirohej dhe shkarkohej nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të kryeministrit, ndërsa 2 zëvendësdrejtorët, emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga detyra nga kryeministri, me propozim të ministrit të Drejtësisë.

Pra shihet qartë një rritje e pushtetit të kryeministrit në sektorin e kthimit të pronave. Pushtet që ai fillon ta ushtrojë menjëherë duke emëruar në krye të AKKP Justina Boriçin, e cila më pas emëron drejtoreshën Rajonale Dhurata Hoxha (Çela).

Pas ndryshimeve ligjore, marrjes së pushtetit hierarkik mbi Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, heqjes së pengesave në lidhje me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes, të afateve kufizuese, si dhe hapjes së mundësisë së privatizimit, familjet ish-pronare fillojnë të paraqesin kërkesat për kthimin e pronës në territoret e klubeve sportive. Kërkesat paraqiten në muajt nëntor-dhjetor 2006 dhe menjëherë pas pushimeve të vitit të ri Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nis me dosjet e familjeve Begeja, Alimehmeti, Vaqarri, Saliaga dhe Llagami. Brenda 3 muajve merren 4 vendime për kthimin e pronave dhe njohjen e të drejtës së parablerjes në territoret sportive. Deri në muajin e pesë merret edhe vendimi i fundit për njërën nga familjet pronare.

Sipas SPAK, nga studimi i dosjeve konkludohet se ZRKKP ka vepruar me shpejtësi për të shqyrtuar çështjet, për t’ nisur shkresat institucioneve, për të kryer verifikime në terren edhe pa praninë e subjekteve përfaqësuese të familjeve, për të administruar shkresa fotokopje dhe pa vlerë juridike të dorëzuara nga ish-pronarët, që tregonin korrespondencë mes ministrive për privatizimin dhe në përfundim për të konkluduar për kthimin e pronave.

SPAK thotë se, mbështetur në aktin e ekspertimit të realizuar gjatë hetimit, ka rezultuar se për sa i përket pronës së familjes Begeja, mbetet e paqartë një sipërfaqe prej mbi 4400 metër katror, e cila ndodhet jashtë Klubit Partizani. Bëhet fjalë për pjesën e rrugës në anën perëndimore dhe sipërfaqen më në perëndim të saj. Kjo sipërfaqe është pjesë e sipërfaqes prej 28 mijë metrash katrorë të kësaj familjeje, të njohur dhe kthyer nga vendimet e Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave dhe pozicionohet jashtë kufirit të Klubit Partizani. Në pozicionet e mëvonshme, e gjithë sipërfaqja e pronës prej 28 mijë metrash katrorë e familjes Begeja është pozicionuar brenda klubeve, duke krijuar një sipërfaqe fiktive.

Sipas SPAK, nisur nga këto të dhëna, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se roli i Jamarbër Malltezit në drejtim të kthimit të pronave, ishte pikërisht ndihma që ai do të jeote në ndryshimet e ndodhura ligjore nga vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha dhe konkludimi në vijim i suksesit në kthimin e këtyre pronave.

Ndërkohë, më 19 shtator të vitit 2007, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka miratuar privatizimin e terreneve sportive dhe objekteve të Kulbit Partizani dhe deri në muajin korrik të vitit 2008 është ngritur komisioni i vlerësimit, janë marrë konfirmimet në lidhje me pronën dhe është përgatitur ekspertimi.

Ndërkohë kishte ende diçka që e pengonte këtë veprim. Ishte ligji i vitit 2005 për sportet.

Ligji për sportet

Ndryshimi i statusit të objekteve sportive në varësi të pushtetit qendror a vendor, bëhet në përputhje me ligjin nr.7926, datë 20 prill 1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare” dhe se objektet sportive jepen me koncension, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin e datës 18 dhjetor 2006 “Për koncensionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”.

Kjo pengesë kalohet në vitin 2008, pasi më 21 korrik të atij viti, me propozim të Këshillit të Ministrave miratohet ligji me numër 9963, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e vitit 2005, duke u quajtur ligji “Për sportet i ndryshuar”. Në nenin 31 të këtij ligji përcaktohet se: Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, ku ka të tillë, në të kundërt jepen me koncension.

Pikërisht pas këtij momenti, në lidhje me Klubin e Futbollit Partizani, pa humbur kohë, fiks një ditë pasi u miratua ky ligj, më datë 22 korrik, Drejtoria e Privatizimit, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë, i dërgon Ministrisë së Financës dokumentacionin për privatizim. Me urdhër të së njëjtës datë, të drejtorit Urim Maja, ngrihet komisioni për verifikimin e dosjeve të vlerësimit të Klubit Shumësportësh Partizani.

SPAK konkludon në dosje se roli i Jamarbër Malltezit në procedurën e privatizimit shfaqet ndër të tjera edhe në përputhje me marrjen përsipër nga shoqëria Kontakt të ndryshimit të destinacionit të zonës. Në rastin konkret është proceduar me mundësinë e privatizimit të objekteve sportive duke i shfrytëzuar më pas ndryshe nga funksioni sportiv që kishin.

Pas një memo që përgjegjësi i sektorit të shitjeve, Nuri Sopaj i ka nisur drejtorit Urim Muja, duke i parashtruar se po i paraqesin për miratim procesverbalin për dhënien e të drejtës së parablerjes, qeveria vlerëson të bëjë edhe disa ndryshime të tjera në aktet nënligjore. Miratohet VKM nr.1638, datë 17 dhjetor 2008 për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes, ku ndryshon metodologjia e pagesës së vlerës së objektit, i cili më parë bëhej vetëm me lekë, ndërsa pas këtij akti parashikohet të bëhet 20 për qind në lekë dhe 80 për qind në bono privatizimi dhe letra me vlerë.

Në mbledhjen rreth këtij akti nënligjor ka ndodhur ky diskutim:

Genc Ruli: Jo ankandi është veç doktor, por futëm 20 % lekë dhe 80 % me letra me vlerë

Sali Berisha: Bravo! Jepe këtë njoftim se edhe kjo përbën risi. Ma thuaj si ua keni vlerësuar letrat me vlerë juve këtyre? Unë do të mbroj pronarët, do të bëj avokatin e tyre. Domethënë si t’ia bëjmë që t’i favorizojmë, t’i marrim ato se ja ke mbajtur tjetrit, ti e ke shfrytëzuar.

Sali Berisha: Letrat me vlerë ua kemi borxh se nuk i kemi shpërndarë. Duhet të gjejmë mënyrat që t’i ndihmojmë, t’i hetim këto letra me vlerë. Këtë e kemi bërë shumë mirë. Jam shumë dakord me ty, se nuk i marrim dot, absolutisht. Jepe këtë lajm, është një lajm shumë i rëndësishëm, që u miratua, që 80 % ta paguajnë me letra me vlerë vetëm pronarët. Ai borxh do të shlyhet. Qeveria ka borxh. Ma gjej ti mua mënyrën se si ta shlyejmë. Unë me atë borxh nuk rri. Unë do ta shlyej po qe se shqiptarët ma japin mandatin e dytë. Unë ta them se do t’ua shlyej borxhin. Unë atyre letrave do t’u qëndroj se kanë një sens ato të shpërndarjes së pasurisë. Kanë një bazë morale shumë të fuqishme. Tjetër punë se tani nuk po merret kush me këto në botë, por ne do të merremi, nuk kemi se çfarë të bëjmë.

Por, megjithëse në Komisionin e vlerësimit të privatizimit të Klubit Partizani ishte caktuar një përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, këmbëngulej që kjo pronë të merrej në përgjegjësi administrimi nga Komanda e Mbështetjes Logjistike. Kjo gjeti kundërshtim të fortë nga komandanti Vladimir Qiriazi. Me një shkresë të datës 26 mars 2009, ai i është drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm Maksim Malaj, ku i parashtron se atë ditë, me telefon, i është kërkuar zbatimi me urgjencë i urdhrit për dorëzim prone e ligje kontrate. Në shkresë ai thotë se kjo del jashtë përgjegjësisë së tij si komandant dhe ndjehet i shqetësuar për mënyrën se si i kërkohet kjo firmosje, ndaj kërkon mendimin e tij.

Me një tjetër shkresë, më datë 2 prill 2009, Vladimir Qiriazi ka informuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuara, Maksim Malajn, në lidhje me takimet e zhvilluara me ministrin e Mbrojtjes Gazmed Oketa për çështjen e dorëzimit të pronës. Qiriazi sqaron në shkresë se ka informuar dhe për raste të tjera që Ministria e Mbrojtjes kërkon ushtarakët për të firmosur, ndërkohë që ka në dispozicion Drejtorinë e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes.

Në këtë shkresë shtetasi Vladimir është shprehur se, Ministri i ka kërkuar Vladimirit që të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij. Sqaron se, ka marrë takim me ministrin më datë 31 mars 2009 në orën 18:15 dhe se është ballafaquar më datë 1 prill rreth orës 13 me personelin e Drejtorisë së Menaxhimit.

I pyetur përgjatë fazës së hetimeve, Vladimir Qiriazi ka deklaruar se

Vladimir Qiriazi: Unë i thashë ministrit Gazmend Oketa se nuk mund të firmosja dhe ai më tha se edhe atij po ia kërkonin që të firmosej. Më tha “Duhet firmosur…” por nuk më sqaroi se kush ia kishte kërkuar firmosjen. Ministri Gazmend Oketa më tha se kjo gjë mund të shkonte deri në masë, se faktikisht, në raportin e komisionit të auditit, ministrit Oketa i kërkohej qe unë te ndëshkohesha me masë disiplinore….

Në Kryeministri, është gjendur një shkresë fotokopje (por jo origjinalja) e datës 30 mars 2009, drejtuar Sali Berishës, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar” nënshkruar nga përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqarri.

Megjithëse është kërkuar pranë Arkivës së Këshillit të Ministrave në Kryeministri, shkresa origjinale e datës 30 mars 2009 drejtuar kryeministrit Sali Berisha, nuk është arritur të gjendet. Gjithashtu nga këqyrja e regjistrit të korespodencës në Kryeministri, për periudhën 27 mars 2009 – 2 prill 2009 nuk u konstatua as e regjistruar në protokoll hyrje e shkresës / ankesës datë 30 mars 2009.

Vladimir Qiriazi, më 26 maj të vitit 2009 i është drejtuar me një shkresë edhe presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Vladimir Qiriazi: “Në lidhje me dorëzimin dhe nënshkrimin e kontratës së shitjes, ju bëj me dije se kjo pronë nuk është në administrim e kontabilitet të komandës, për rrjedhojë nuk mund ta dorëzoj apo të lidh kontratë me ish-pronarët. Kam informuar ministrin e Mbrojtjes dhe jam takuar disa herë më te duke i kërkuar argumente ligjorë nga strukturat vartëse, por vijimisht më është kërkuar që kjo kontratë duhej nënshkruar. Për këtë pronë kanë treguar vëmendje të veçantë Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave që ka ardhur për verifikim me autorizim të kryeministrit Sali Berisha.  Prona në fjalë është duke u përdorur nga një subjekt privat që ushtron aktivitet që nga viti 2000 si sh.a FK Partizani dhe nuk dihet kush ia ka dhënë në përdorim. Kjo pronë nuk i është dorëzuar asnjëherë dhe për asnjë rrethanë Komandës Mbështetëse nga Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm. Prona sipas Institutit të Gjeografisë Ushtarake është 30 mijë metër katror, ndërkohë që kërkohet të dorëzohet dhe shitet rreth 27 mijë metër katror. Prona rezulton me mbivendosje. Nuk kanë marrë certifikatë pronësie dhe për rrjedhojë nuk mund të shitet. Për vlerësimin e kësaj prone nuk ka pasur asnjë përfaqësues të Këshillit të Ministrave dhe nuk kanë asnjë dijeni për procedurat e ndjekura.”

Gjendur para faktit se Vladimir Qiriazi nuk kishte ndërmend të ndryshonte qëndrim, zgjidhja përfundimtare është gjetur nëpërmjet largimit të tij nga detyra me dekretin e datës 2 shtator 2009 të presidentit të kohës, Bamir Topi dhe emërimin në vend të tij të Xhemal Gjunkshit.

Një javë pas emërimit të Gjunkshit, më datë 15 tetor 2009, administrohen aktet nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me vlerën e pasurive të Klubit të Futbollit Partizani dhe nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami nënshkruhet autorizimi për dorëzimin e pronës dhe lidhjen e kontratës me fituesit e privatizimit.

Dosja e SPAK

Konkludohet se Xhemal Gjunkshi, menjëherë pas marrjes së detyrës, veprimi i parë që kryen është procedura në lidhje me marrjen në dorëzim të pronës dhe dorëzimin e saj tek pala përfituese. Veprimet janë kryer brenda dy ditëve. Nga aktet në vijim rezulton se më 19 maj 2008 ishte themeluar shoqërua “Homeplan” me ortak të vetëm Fatmir Bektashin. Pesë muaj pas krijimit të kësaj shoqërie, me aktmarrëveshje për pjesëmarrjen në investim ndërtimi të kompleksit “Begeja 6000”, Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja dhe shoqëria “Homeplan”, lidhin aktmarrëveshje për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet investitorëve. Kapitali total për realizimin e investimit ëshhtë në vlerën e rreth 9.2 milionë eurove.

Ndërsa investitorët bien dakord që për realizimin e vlerës totale të kontribuojnë në këto raporte:

Jamarbër Malltezi 35 %

Xhimi Begeja 25 %

Shoqëria “Homeplan” 40 %

Me qëllim për të rregulluar situatën në një moment të caktuar, Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja paraqiten sikur në vitin 2014 blejnë aksione të shoqërisë “Homeplan” në një vlerë rezpektive prej 35 mijë lekë dhe 25 mijë lekë. Por paligjshmëria dhe fshehja e marrëdhënieve me këtë shoqëri vijon të ngelet e tillë për Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begenë deri në fund të vitit 2018 kur vendosin të depozitojnë këtë kontratë në QKB dhe të shfaqen si bashkëortakë në këtë shoqëri.

Dosja e SPAK

Jamarbër Malltezi ka kontribuar edhe në ndryshimin e destinacionit të truallit. Nga aktet rezulton se ka qenë në listën e anëtarëve të Grupit Strategjik për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Qytetit të Tiranës dhe në listën e anëtarëve të Grupit Teknik për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Qytetit të Tiranës. Emri i Jamarbër Malltezit evidentohet edhe në vendimin e datës 15 shkurt 2013, kur Këshilli Kombëtar i Territorit, me kryetar Sali Berishën, ka vendosur miratimin e planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Tiranë.

Në rastin konkret ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se nga ana e Sali Berishës, si kryeministër i Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin 5 familjet ish-pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.

Janë kryer veprime aktive nga Sali Berisha, në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkretë për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin procesin e privatizimit, në favor të Jamarbër Malltezit.

Gjithashtu nga ana e Berishës janë kryer veprime aktive edhe në vendosjen në dispozicion të Malltezit të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore në favor të tij. Privatizimi i objekteve sportive, si përfitim i parregullt, është bërë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Jamarbër Malltezi.

Dosja e SPAK

Përfitim i parregullt janë ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në banimi, pavarësisht interesit publik që ekziston në lidhje me vijën e ekzistencës së ambienteve sportive, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejt Jamarbër Malltezi.

Përfitim i parregullt janë të gjitha përfitimet monetare që ka marrë Jamarbër Malltezi nga shoqëria “Homeplan” para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri dhe fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie dhe të shpërndara në vijim, të llogaritura në shumën e rreth 673 milionë lekëve ose 5.4 milionë eurove.

Në vendimin e dhënë në mungesë, Gjykata e Posaçme parashtron në mënyrë kronologjike rrethanat e faktit, si dhe të gjitha veprimet e kryera nga ana e personave nën hetim, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi dhe Sali Berisha. Berisha në cilësinë e tij si kryeministër i Shqipërisë, ka kryer veprime të materializuara nëpërmjet miratimit të akteve ligjore apo nënligjore me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për 5 familje ish-pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.

Gjykata vlerëson se:

Ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim, Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, pasi nga aktet dhe provat e administruara deri në këtë fazë të hetimeve krijohet dyshimi i arsyeshëm se:

Nga ana e peronit nën hetim Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive nëpërmjet miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore, në funksion të realizimit të interesave të 5 familjeve ish-pronare, ku përfitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi. Po ashtu, nga ana e tij janë kryer kontrolle administrative, që kanë rritur presionin ndaj organeve respektive, për të vijuar me procedurat e privatizimit të pronave objekt hetimi.

Përfitimi i parregullt në favor të Jamarbër Malltezit është materializuar në provatizmin e objekteve sportive, të cilave i është ndryshuar destinacioni dhe janë përdorur nga ana e tij për përfitime materiale. Në këtë kontekst, përfitimi i parregullt përfshin të gjitha përfitimet monetare që ka marrë Jamarbër Malltezi nga shoqëria “Homeplan” para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri. Fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie dhe të shpërndara në vijim, llogariten në total në shumën rreth 673 milionë lekë ose 5.4 milionë euro. Vepra e mësipërme dyshohet se është kryer në bashkëpunim midis personave nën hetim Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha, për shkak të marrëdhënies së posaçme ndërmjet tyre dhëndër- vjehërr. Sali Berisha ka kryer veprime për realizimin e përfitimeve monetare të paligjshme të të hetuarit Jamarbër Malltezi nëpërmjet funksioneve që ushtronte për shkak të detyrës së tij si kryeministër i kohës. Pavarësisht se Jamarbër Malltezi nuk është subjekt i posaçëm, marrëveshja e dyshuar e bashkëpunimit që ka pasur me funksionarin e lartë, ish-kryeministrin Sali Berisha e përfshin në këtë fushë veprimi.

Ndërsa shtetasi nën hetim Fatmir Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur vendorë”, pasi në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin, nëpërmjet shoqërisë “Homeplan”, i ka siguruar Malltezit përfitimet e palishme të afro 5.4 milionë eurove. Gjykata ka vlerësuar se Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi kanë konsumuar edhe elementë të veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në përfundim Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masat e sigurisë: “Arrest në burg” për Jamarbër Malltezin,  “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për Sali Berishën dhe Fatmir Bektashin. Vendimi u shpall më 20 tetor 2023, nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Malltezi dhe Bektashi janë njohur me masën në Gjykatë, sigurisht duke kundërshtuar akuzat.

Jamarbër Malltezi: Nuk e dija që isha unë armiku. Të gjitha procedurat për privatizimin e objektit, kanë nisur në vitin 2000. Inventarizimi është firmosur nga kryeministri aktual Edi Rama, që ne atë kohë ishte kryetar bashkie. E gjithë prona nuk ka qenë zonë sportive, siç pretendon prokuroria, por ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht banimi. Zona sportive ka qene me uzurpues të pa ligjshëm, i cili pretendonte se e kishte të regjistruar shoqëri aksionere KF Partizani. Vetë Ministria e Mbrojtjes në kohën e Pandeli Majkos ka hapur një proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës. Në atë kohë gjykata shfuqizoi KF Partizanin të regjistrohej si shoqëri aksionere. Unë jam profesor doktor dhe jetoj në Shqipëri edhe pse kam pasur mundësi të largohem. Hetimi prej vitit 2020 po mbahej qëllimisht dhe unë kam qenë në dijeni të këtij procedimi.

Ndërkohë seanca për Sali Berishën është shtyre herë pas here, në fillim me pretendimin se veprimi i SPAK ishte antikushtetues. Më pas avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kërkuan kohë për njohjen me aktet. Pas seancës së parë, që përfundoi duke u shtyrë dhe nuk ishte e vetmja, avokati Gjokutaj tha se kishin kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Në seancën e radhës, që u caktua të nesërmen, avokatët braktisën sallën, ndërsa Gjykata priti avokatin e caktuar nga shteti, Artan Simonin. Por ky avokat u zëvendësua nga Gjykata me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim garantimin e mbrojtjes efektive. Mëngjesin e së enjtes, në seancën e radhës u paraqitën dy gra avokate të caktuara nga shteti për Sali Berishën, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia. Po në këtë ditë, në kryesekretarinë e GJKKO paraqitet me shkrim kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Dukej si një skenar për shuarjen e masës, që në fakt nuk funksionoi. Pasditen e së enjtes Gjykata e Posaçme vendosi vazhdimin e masës së sigurimit personal për Sali Berishën. U konfirmua masa e dhënë në mungesë ndaj tij më 20 tetor, ajo e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Vendimi

Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10, para oficerit të policisë gjyqësore, në Prokurorinë e Posaçme. Urdhërohet shtetasi nën Sali Berisha, të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.

Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit per shtetasin nën hetim, Sali Berisha.

Megjithatë Sali Berisha ka dëshmuar për vite me radhë se nuk është nga ata që bindet për t’u paraqitur në Gjykata, as si dëshmitar e aq më pak si person nën hetim. Me argumente si “antikushtetues” Berisha vijon të sfidojë Gjykatën dhe SPAK. Për sa kohë…? Kjo mbetet për t’u parë….

Por një gjë është e sigurt. Teoria e “ndjekjes së parave”, nëse gjurmohen siç duhet, me vendosmëri, pa u lëkundur, pa u joshur, do të sjellë rrëzimin nga froni të kujtdo që e konsideronte veten të paprekshëm. Qoftë ky edhe Sali Berisha.

https://www.youtube.com/watch?v=kjlZ2B3GaSE&embeds_referring_euri=https%3A%2F%2Fabcnews.al%2F&source_ve_path=MjM4NTE&feature=emb_title

Të ngjashme