Lajme
9 vjet nga rasti i Kumanovës | Kurti dhe VV nga opozita premtonin inicimin e hetimit ndërkombëtar, por e “harruan” sapo erdhën në pushtet
Demokracia
22:06 | 09 Maj 2024

Share:

Një shkëmbim zjarri, i cili shpërtheu gjatë një bastisjeje të policisë në mes të forcave policore dhe një grupi të armatosur shqiptarësh, ka ndodhur më 9 maj 2015 në qytetin verior maqedonas në Kumanovë.

Gjatë të shtënave, 8 policë maqedonas dhe 10 nga pjesëtarët shqiptarë u vranë, ndërsa 37 oficerë u plagosën. Të shtënat përfunduan më 10 maj 2015 në një operacion nga policia maqedonase dhe forcat e armatosura, ku 28 burra shqiptarë janë arrestuar dhe akuzuar për “terrorizëm”. Akuzat janë bërë nga ana e autoriteteve maqedonase, shkruan Demokracia.com.

Pas kësaj ngjarjeje, Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, nga opozita premtonte inicimin e një hetimi ndërkombëtar, por si shumë kauza edhe kjo u braktis. Albin Kurti sot nëntë vjet pas, përveç që nuk ka bërë asgjë për inicimin e hetimit, ai nuk e ka marrë mundin as t’i shkruajë dy fjalë.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideronte vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit kundër “Grupit të Kumanovës” si të motivuar politikisht dhe si trajtim jonjerëzor e degradues në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut.

“E kaluara në Maqedoni ka dëshmuar se shumë raste dhe procese gjyqësore kundër shqiptarëve kanë rezultuar si procese të montuara nga autoritetet shtetërore, duke i diskredituar pushtetet e hetuesisë dhe gjyqësisë. Deri më tani, Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë nuk ka marrë përgjegjësitë e saj për të ndërmarrë masa kundër atyre që kanë montuar këto raste. Në vend të kësaj, në territorin nën sovranitetin e qeverisjes së saj, po vazhdojnë të ndodhin raste dhe procese të diskredituara për nga profesionalizmi, pavarësia politike dhe paanshmëria e pushteteve policore dhe gjyqësore”, thuhej në kumtesën e Vetëvendosjes.

Tutje thuhej se “Të panjohurat e ngjarjes së Lagjes së Trimave, trajtimi i të burgosurve, procesi gjyqësor dhe së fundi dënimi i shtatë të akuzuarve me burg të përjetshëm dhe me gjithsej 746 vjet burg, prej të cilëve shumica janë shtetas të Republikës së Kosovës, janë referencat më të mira për ta inicuar urgjentisht fillimin e një hetimi të pavarur ndërkombëtar lidhur me ngjarjen e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Vetëm duke e hetuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme tërë ngjarjen do të mund të sillet drejtësia për të gjithë personat e përfshirë, në një mënyrë apo tjetër, në ngjarjen e padrejtë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, prapavijat e të cilit proces të montuar i di vetë pushteti dhe sigurimi shtetëror maqedon”.

Në fund të kumtesës thuhej: “Ftojmë gjithashtu Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë të angazhohen politikisht dhe në rafshin diplomatik për një gjykim të drejtë dhe për respektim të të drejtave të njeriut për rastin e Lagjes së trimave në Kumanovë”.

Ngjarjes i parapriu gjendja e rëndë politike në Maqedoni, ku opozita publikonte përgjimet e ashtuquajtura “bomba qeveritare”, ku njerëzit e kabinetit qeveritar kishin diskutuar për korrupsion dhe biseda nacionaliste antishqiptare, sidomos ai i Ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska, ku u dëgjua duke thënë se “shqiptarët e Maqedonisë mund t’i zhdukim brenda një ore” dhe “me shqiptarët duhet t’i lajmë duart”.

Ndryshe, pas sulmit, prokurorët maqedonas akuzuan 30 shqiptarë për terrorizëm. Autoritetet thanë se 18 nga të dyshuarit ishin emigrantë etnikë shqiptarë të paligjshëm nga Republika e Kosovës. Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka deklaruar se tetë policë dhe 14 persona të armatosur u vranë në operacion, ndërkohë që 37 oficerë të tjerë u plagosën. Më 10 maj 2015, Kryetari i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, thirri një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vendit, udhëheqjen e ushtrisë maqedonase, policinë dhe udhëheqësit politikë qeveritarë dhe të partive opozitare u takuan në pallatin presidencial për të diskutuar ngjarjet.

Policia maqedonase shkatërroi shumë shtëpi shqiptare. Rreth 3000 shtëpi ishin krejtësisht të djegura apo të pabanuara. Rreth 5000 shqiptarë menjëherë dolën refugjatë në fshatrat kufitare në Kosovë.

Autoritetet maqedonase kurrë nuk kanë raportuar apo dhënë ndonjë deklaratë për dëmet që bëri policia kundër këtyre shtëpive.

Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.

Grupi kishte deklaruar se vendosja e tij në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni./Demokracia.com/

Të ngjashme