Lajme
VIDEO: Minatorët e lënduar në gjendje të rëndë, si i harroi Kurti premtimet për kthimin e ‘shkëlqimit’ të Trepçës
Demokracia
11:38 | 25 Janar 2024

Share:

12 minatorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e derdhjes së acidit në Minierën e Trepçës ditë më parë. Dy prej tyre vazhdojnë të mbeten në gjendje të rëndë.

Kushtet e tyre të punës vazhdojnë të jenë të rënda, ndonëse kryeministri aktual Albin Kurti kishte deklaruar se kur të vinte në pushtet do t’ia kthente shkëlqimin kësaj ndërmarrjeje, shkruan Demokracia.com.

Gjendja e dy minatorëve që u lënduan nga rrjedhja e acidit industrial, vazhdon të jetë e rëndë

Por, duket se këto ishin vetëm premtime të njeriut që nuk merret aspak me zhvillimin ekonomik, por në plan të parë e ka vënë vetëm dialogun me Serbinë.

“Trepça na nevojitet për zhvillimin tonë ekonomik, sepse një punë e minatorit nën tokë, i hap katër vende pune tjera mbi tokë.”, thoshte Kurti.

Vetëm 4 vjet kanë kaluar që kur kryeministri Albin Kurti fliste për padrejtësitë që u janë bërë minatorëve të Trepçës.

Në shkurt të vitit 2020, në manifestimin “31-vjetorit të Grevës së Minatorëve të Trepçës”, Kurti kishte thënë se “greva e minatorëve u bë motori i lëvizjeve për rezistencë”.

Atë kohë, në fjalën e tij në atë manifestim, Kurti thoshte se kërkesat e tyre ishin “të drejta kushtetuese”. Madje, kryeministri Kurti premtoi se qeveria e tij do të kujdesej më shumë për pasuritë publike.

Trepçën e kishte cilësuar “thesar publik” me premtimin që do t’ia kthejë shkelqimin.

“Minatorët e Trepçës vërtet ishin minatorë me profesion, por që të gjithë ishin avokatë me pasion. Minatorë, sepse duhej të ushqenin familjen e tyre e të pasuronin shoqërinë, ndërkaq avokatë sepse duhej ta mbronin popullin dhe Kosovën. Ata ishin klasë punëtore, por dinin për padrejtësinë ndaj popullit të tyre më shumë sesa udhëheqësit e kohës. Greva e minatorëve u bë motori i lëvizjeve për rezistencë. Guximi i minatorëve do t’u jepte zemër fillimisht studentëve, intelektualëve e mandej edhe ushtrisë çlirimtare. 31 vjet më vonë shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, por shumë pak këtu në Trepçë. Këtu sikur koha ecën ngadalë e me zor. Punishtet kanë mbetur ashtu siç ishin, pa investime e mirëmbajtjen e duhur. Prodhimtaria është e mangët e minatorët janë rralluar e moshuar. Mirëpo, tash kemi një qeveri, e cila do të kujdeset për pasuritë publike. Trepça është thesar publik të cilin ne duam ta rivitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkelqimin e saj”, thoshte Kurti në shkurt të vitit 2020. /Demokracia.com/

Të ngjashme